Në makinën që u bë shoshë nga plumbat te mbikalimi i Shkozetit në Durrës, ndodhej edhe një person që nuk është emër i panjohur për Policinë e Shtetit.
I skeduar disa herë për ngjarje të rënda kriminale, pjesa më e madhe e të cilave nuk i është provuar, Aleksandër Laho, emri me të cilin njihej së fundmi, ishte mik i prokurorit të Durrësit.
Ai, po ashtu, mbeti i plagosur me një plumb në nofull, gjatë atentatit që ndodhi pasditen e djeshme. Njihet si “i forti” i Shijakut, por “bëmat” e tij duket se kanë një rreze më të gjerë se brenda hapësirës së 4 rrugëve të vendlindjes së tij.
Të gjithë e thërrasin me pseudonimin “Rrumi”, ndërsa Policia thotë se ai e ka ndryshuar emrin të paktën dy herë. Fillimisht quhej Pëllumb Muharremi, më pas Landi Muharremi, emër i cili është shënuar shpesh në regjistrat e Policisë së Durrësit, por edhe të Tiranës. Ndërsa së fundmi, 48- vjeçari e kishte ndryshuar sërish emrin dhe në dokumente figuron si Aleksandër Laho.
Por ajo që është me më shumë rëndësi dhe që ngjall dyshime, është fakti se si një person me precedentë penalë, i lakuar gjerësisht për përplasje për çështje pronësie, ishte mik i një prokurori dhe për më tepër udhëtonte në një makinë me të.
HETIMI
Ndonëse hetimet për atentatin janë përqendruar te vrasja e mbetur në tentativë, për shkak të detyrës së prokurorit Arian Ndoja, Policia dhe Prokuroria nuk e përjashtojnë mundësinë që objektiv i atentatit mund të ketë qenë edhe Landi Muharremi. Ky i fundit ka lidhje e afërta me Muharrem Muharremin, i përfshirë në konfliktin për pronat te Gjiri i Lalzit, që humbi biznesmeni libanez Fadi Mitri.
Më 14 shtator të vitit 2016, Policia e Tiranës shoqëroi 3 persona të dyshuar si autorë të rrahjes së biznesmenit amerikano-libanez, Fadi Mitri, në rrugën e Rinasit. Të dyshuarit ishin të tre nga Shijaku dhe sipas burimeve nga grupi hetimor në atë kohë u dyshuan se mund të ishin paguar ose porositur nga persona të tjerë për të dhunuar e kërcënuar investitorin e huaj.
Me një automjet tip “Tuareg”, me targa italiane, ata përplasën makinën “Mitsubishi” ku ndodhej biznesmeni me familjen. Tri vite më parë, burimet thanë se vetë i plagosuri e ka tërhequr denoncimin që iu mor disa orë pas ngjarjes në spitalin privat ku mori mjekim. Megjithatë, Policia i kreu veprimet me iniciativë, duke qenë se ishin përballë dy veprave penale, siç ishte “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Kanosja”.
Burime nga Policia thanë në atë kohë se tre personat e shoqëruar në lidhje me ngjarjen e datës 10 shtator 2016 ishin: Skënder Krahja, Landi Muharremi dhe Arben Mërkuri, të tre nga Shijaku. Njëri prej tyre, Krahja, u arrestua pasi iu gjet një sasi hashashi në xhep. Ndërsa në lidhje me plagosjen e rëndë të biznesmenit Fadi Mitri, nuk u gjetën prova të mjaftueshme që t’i lidhnin me ngjarjen. Por, përveç kësaj ngjarjeje, Landi Muharremi u hetua edhe për rrahjen e një avokati vitin e kaluar, ngjarje për të cilën po ashtu nuk u arrestua asnjëherë.
Biznesmeni libanez u rrah barbarisht për pronën te Gjiri i Lalzit
Biznesmeni me shtetësi amerikane dhe kombësi libaneze, Fadi Mitri, u masakrua me shkop bejsbolli në rrugën e Rinasit, pranë kryqëzimit të Laknasit në Tiranë, më 10 shtator të vitit 2016. Mitri, në atë kohë 55 vjeç, po udhëtonte në drejtim të kryeqytetit me automjetin tip “Mitsubishi”, që drejtohej nga shoferi i tij shqiptar, me iniciale E.M., kur është përplasur qëllimisht nga një automjet tjetër. Ai ishte administrator i kompanisë nga Katari, “Omnix Albania”, e cila do të ndërtonte një resort gjigant me vlerë 180 milionë euro në Gjirin e Lalzit.
Biznesmeni i huaj ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe fëmija në momentin kur u sulmua barbarisht me shkop bejsbolli. Ai është goditur 10 herë në kokë dhe 7 herë të tjera në gjymtyrë e për pasojë ka hematoma të shumta, ndërsa njërën këmbë e ka të thyer. Kanë qenë tre persona që e kanë sulmuar, pasi i kanë përplasur makinën, me të cilën ai udhëtonte në rrugën e Rinasit. Ata janë larguar me një makinë tip “Tuareg” me targa të huaja, që ende nuk është gjetur nga Policia. Sipas dëshmisë që Fadi Mitri dhe shoferi i dhunuar kanë dhënë para hetuesve, njëri nga autorët ka filmuar të gjithë skenën.
Vetë biznesmeni i plagosur ka arritur të fiksojë targën e automjetit “Tuareg”, ku ndodheshin autorët, të cilën edhe e ka fotografuar, pasi mjeti gjatë gjithë rrugës kryente manovra të rrezikshme dhe parakalonte makinën e tij. Burimet thanë se makina ka qenë me targa italiane, të vjetra, që pas verifikimeve nuk kanë rezultuar të kenë kaluar në rrugë zyrtare kufirin shqiptare.
Sulmi ndaj tij u dyshua se kishte lidhje me investimin që do të kryhej në Gjirin e Lalzit, nga i cili ai u tërhoq më pas dhe u largua nga Shqipëria. Të paktën këto ishin dyshimet e para të Policisë, nisur nga ato çka vetë sipërmarrësi i huaj ka deklaruar pas sulmit. Sipas dëshmisë që ai ka dhënë para hetuesve, mësohet se autorët që e kanë sulmuar, e kanë kërcënuar duke i thënë: “Ik nga Shqipëria, ose ndërprit punimet…”.
EMRAT
- Landi Muharremi
- Pëllumb Muharremi
- Aleksandër Laho
- Pseudonimi “Rrumi”