Ekonomi

Kursimet e shqiptarëve në banka pësojnë rënie

By vizional

July 02, 2018

Depozitat e qytetarëve në sistemin bankar janë ulur për vitin 2017. Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave të qytetarëve deri në fund të muajit dhjetor 2017 ishte rreth 967 miliardë lekë, me një rënie prej 0,19 për qind apo 2,2 miliardë lekë. Në total, depozitat e qytetarëve në fund të vitit 2016 ishin në vlerën e 969 miliardë lekëve. Shifrat për depozitat dhe arsyet e rënies së kursimeve të qytetarëve jepen në raportin vjetor të mbikëqyrjes për 2017-n i Bankës së Shqipërisë. “Depozitat e individëve mbeten baza kryesore e depozitave të sistemit, me peshë prej 83.24 për qind të totalit të depozitave, por me një rënie rreth 0.19 pikë për qind krahasuar me një vit më parë. Kjo sjellje vjen si pasojë e kombinimit të efekteve të ecurisë së normave të interesit të tregut me faktorë të jashtëm”, shpjegohet në raport. Por ndryshe ka ndodhur me depozitat e biznesit. Për vitin 2017, depozitat e biznesit janë rritur më shumë në krahasim me ato të qytetarëve. “Gjatë këtij viti, llogaritë e bizneseve janë rritur me ritme më të larta se llogaritë e individëve (përkatësisht 3.27 për qind dhe 0.46 për qind” shpjegohet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Po ashtu pesha që zënë depozitat në lekë në totalin e depozitave në sektorin bankar janë ulur.

 

 

 

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, pesha e monedhës vendase në totalin e depozitave ka rënë lehtësisht në 47.08 për vitin 2017, nga 47.2 për qind që ishte në dhjetor 2016. Efektet e tkurrjes së depozitave në lekë kanë ardhur pasi struktura e maturitetit është zhvendosur në drejtim të afateve më të shkurtra, sepse është rritur pesha e llogarive rrjedhëse dhe depozitave pa afat, ndërkohë që depozitat me afat janë tkurrur relativisht nën ndikimin e uljes së vazhdueshme të normave të interesit të tregut. Ndërsa me bazë vjetore, totali i depozitave është rritur 0,74 për qind krahasuar me një vit më parë.

 

 

 

Ndërsa, raporti kredi/depozita, në dhjetor 2017, paraqitet në nivelin 51.55 për qind, ndërsa në dhjetor 2016, ishte 51.86 për qind, çka reflekton një strukturë të aktiv-pasiveve, që krijon lehtësi në administrimin e likuiditetit, si dhe stimuj potencialë kredidhënieje. Raporti kredi/depozita tregon që sistemi bankar ka mjaftueshëm likuiditet për dhënie kredie. Ky raport ka evidentuar gjithnjë vlera më të larta në valutë me gjithë rënien e treguesit gjatë vitit 2017, nga 57.6 për qind në 54.98 për qind. / Panorama