“Kur të rritem do të jem gjithmonë për ty” letra e papublikuar...

“Kur të rritem do të jem gjithmonë për ty” letra e papublikuar e Esielës 8 vjeçare do t’ju pikëllojë zemrën

453
0

Babanë e Dienës, mamanë e Rolejtit apo të riun Ramë Lala, viti 2020 i gjeti fatmirësisht gjallë, por më të trishtuar e ndoshta më boshë se kurrë pasi humbën njerëzit e tyre më të dashur, kurse për Klajdin që qëndroi 21 orë nën rrënoja ky vit është ndryshe. Të gjithë ne jemi ndryshe që prej mëngjesit të kobshëm të 26 nëntorit, ajo që ndodhi na ka tjetërsuar. Pasojat e tërmetit fatal ndoshta nuk do të kalojnë për vite të tër, sidomos për ata që humbën më të dashurit e tyre. E ndjera, piktorja Diena Karanxha, ndonëse me trup luftoi për orë të tëra për të mbrojtur vajzën e saj Esiela, nuk mundi dot t’i shpëtojë fundit tragjik bashkë me të ëmën, pasi pallati ku ato banonin në Durrës u shemb i gjithi.

 

Një nga historitë më të dhimbshme, që ka bërë jehonë në të gjithë median shqiptare, edhe për një tjetër fakt: Diena vetëm pak vite më parë kishte humbur të shoqin nga ataku kardiak.

Por, vetëm dy muaj përpara tërmetit, Esiela e vogël kishte vendosur t’i shkruante një letër emisionit “Dua të të bëj të lumtur” me dëshirën e vetme që të surprizonte gjyshen e saj. Fatkeqësisht ëndrra e saj nuk u bë kurrë realitet, por moderatorja Arbana Osmani zbuloi mbrëmë përmes rrjeteve sociale se letra prekëse e Esielës së ndjerë do të jetë një prej atyre që do të lexojë të shtunën, kur edhe zyrtarisht nis sezoni i ri i “Dua të të bëj të lumtur” në Top Channel.

Letra e plotë dërguar emisionit “Dua të të bëj të lumtur”: ” Unë që po ju shkruaj quhem Esjela Karanxha dhe jam 8 vjeçe. Dua të të bëj të lumtur gjyshen më të mirë në botë, atë që më ka rritur me shumë dashuri, nënën time Rozetën. Ajo është gjithmonë me mua, s’më ka lënë kurrë të mërzitem që kur babi iku lart në qiell.

Mami qan shumë, por ajo më thotë që ju më keni mua dhe ne babi na sheh nga lart dhe lutet për ne. Unë e dua shumë gjyshen time. Për vitin e ri 2019, ne e festuam dhe unë i këndova nënës këngën tonë të preferuar të Kejsi Tolës “Ti më ke mua”. Unë dua t’i them që ti gjithmonë do të më kesh pranë dhe kur unë të rritem do të jem gjithmonë me ty.”