Shpesh kemi dëgjuar që në zonat më të varfëra dhe të marzhinalizuara është dhe më i përhapur fenomeni i dhunës në familje. Por, fatkeqësisht ngjarje të tilla ndodhin dhe në mes të Tiranës. Madje, në një nga rrugët më të njohura të kryeqytetit, ku lëvizshmëria është tejmase e lartë, Rruga e “Kavajës”. Siç mësohet një grua është paraqitur mbrëmjen e djeshme tek komisariati numër 2 dhe është ankuar për dhunë nga bashkëshorti i saj. Pas verifikimeve është bërë dhe lëshimi i urdhërit mbrojtës. “Më datë 24.09.2017, u arrestua shtetasi Shkëlqim S., 58 vjeç, banues në Tiranë, pasi në rrugën e ‘‘Kavajës“, në banesë ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj bashkëshortes Silueta S., 48 vjeçe, të cilës i‘u plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhërit të mbrojtjes së menjëhershëm. Materialet i kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësorë Tiranë. Ligji Nr. 9669, datë 18.12.2006. “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”. Neni 130/a i Kodit Penal.”, shkruhet në njoftimin e Policisë. Ky lajm që vjen nga Policia vjenë 24 orë pas mbledhje së komisionit të sigurisë ku diskutua pikërisht lufta ndaj dhunës në familje. Debatet në komisionë, janë fokusuar fillimisht lidhur me masat që po merr dhe që duhet të kishte marrë policia për parandalimin e rasteve konkrete. Drejtori i Departamentit të Sigurisë, Altin Qato i pranishëm në këtë komision ka theksuar se për goditjen e rasteve nuk mjafton vetëm ndërhyrja e policisë, ndërsa ka vënë theksin për më shumë partneritet edhe me organet e tjera. “Po analizojmë rastet dhe po studiojmë ndërhyrjen. Për goditjen e rasteve nuk mjafton vetëm policia, por duhet partneritet edhe me aktorëve të tjerë”, u shpreh Qato. Menjëherë ka ndërhyrë Flamur Noka, sipas të cilit qytetarët kanë humbur besimin te policia. Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, Ermonela Felaj ka ndërhyrë për të qetësuar situatën duke thënë: “Nuk mund të flasim pa fakte, duhet të ballafaqohemi me të dhëna konkrete”.