Kulture

KUFIJTË E PAQENË TË NJË KOMBI! versioni i II/ Nga Emil Asdurian

By vizional

May 16, 2019

 (Letërsia e ishullit që s’ish ishull: mbi një shkrim të Mehmet Krajës për letërsinë)

 

“Ky fakt mund të pritet nga teoria ime sepse, siç është shpjeguar tashmë, llojet nganjëherë të ardhur dhe pas periudhash të gjata kohe në vende të izoluara. ku konkurojnë me bashkëvendas të tjerë, ku do jenë kryesisht të detyruar të ndryshojnë dhe shpesh krijojnë tufa pasardhësish të modifikuar” Charles Darwin, udhëtimi në ishujt Galapagos

 

E megjithatë ndryshimet janë dhe ndodhin dhe në psikikën njerëzore për të njejtat arësye, aq sa për të krijuar etni të reja dhe pse jo dhe kombe të rinj. A nuk ishin trojanët dardanë dhe për pasojë, sipas Virgjilit, dhe Italianët? Fatkeqësisht, Darwini nuk flet për një dukuri me kah të kundërt, që lloje/speciet tashmë plotësisht të ndryshme, të kthen pas në llojin parësor të prejardhjes së tyre. Krokodilët e bëjnë. Thonë, edhe arinjtë. I bardhi me të kaftin, në kushte të vështira mbijetese, ndërzehen mes tyre dhe kuptohet këlyshët i afrohet më shume të parit, Ursinae, se sa çdo njerit prej prindërve. Punë ndërzimi!

 

Mehmeti në fillim të artikullit të tij shkruan:

“Fakti se këto dy pjesë të letërsisë shqipe janë zhvilluar në rrethana të ndryshme historike, shoqërore dhe politike, shpesh me pengesa të mëdha në komunikim të ndërvetshëm, nxori si rezultat konsolidimin e dy përvojave letrare.”

 

Kraja në fund të artikullit të tij shkruan:

“… Në të vërtetë, ky integrim i tërësishëm as që do të ndodhë ndonjëherë, sepse rrugët e ndryshme, nëpër të cilat kanë ardhur deri në ditët e sotme të dy krahët e letërsisë sonë, do të ruajnë edhe më tej dallime dhe veçanti.”

 

Ky pohim i bazuar në evolimin e përzgjedhjen natyrore i zbatuar prej zotit Mehmet Kraja, i cili është tashme për të, një bindje e pakundërshtueshme, e patundshme si muri i Adrianit, shtrirë ne dy fushat më të rëndësishme të jetës së një kombi: në atë politike (një artikul më parë) dhe atë letrare (në një tjetër para do ditësh), ku përfshihet dhe gjuha dhe për rrjedhojë ndërgjegjja kombëtare, ku ndasia është thelbi i vlerësimit të tij, në mos diçka më shumë pas kuintave. Jo më me dy koka, por dy trupa me shpirt/ndërgjegjje të tjetërsuar! Kujt i shërben kjo ndasi? Kjo mëdyshndarje? Nuk besoj as Shqipërisë dhe as shqipëtarëve! Është kjo domosdoshmëria e kohës së sotme, kur Kosovën kërkojnë t’a shqyejnë pjesë pjesë në emër të mëvetësisë së etnive që përmban?

 

  1. Shqipëria për Kosovën (nëntitulli është i EA)

 

“Letersia e realizmit socialist, …përmes ideve nacionale përpiqej të lidhej me letërsinë e Rilindjes, … letërsi e drejtpërdrejtë, që ka një shkallë të lartë komunikimi me lexuesin e Kosovës dhe i përshtatet më shumë nivelit të tij arsimor, pra edhe aftësisë së tij perceptuese…me idealet kombëtare të lexuesit të Kosovës” dhe si “letërsi nacional-socialiste, … u konsumua jo për të përmbushur kritere estetike dhe as për efekt të kënaqësisë artistike, por thjesht për utilitarizëm kombëtar dhe politik…. idealizoi Shqiperine socialiste kjo u arrit nga shkrimtaret me të mire te Shqiperise” (3)

 

Idealet kombëtare, nacionale siç ia vë emrin Mehmeti, nuk është se i nxiti realizmi socialist, i cili shpesh iu largua nga i gjori, në valëvitjet e tij mes erërave të internacionalizmit, por se ato i gjeti të ndezura dhe të mbrujtura qysh një shekull më parë, se kurrë nuk ishin shuar. Kosova asnjëherë, as ne Paleolit, nuk ka qenë e ndarë fizikisht me kufij nga toka mëmë. Para dhe pas turqve. Shkollat shqipe u përhapën kudo njëlloj, në mos më parë në Kosovë. Se flamurin në Vlorë e ngritën bashkë. Se Çamërinë e shpëtoi Lidhja e Prizerenit edhe pse krahët asaj vetë ia prenë pabesisht. Rilindja na bashkonte jo me një ide romantike të hiperbolizuar, por me një realitet etnik dhe kombëtar të jetuar. Nusen mbi gjogun e bardhë, gjakovari nga Berisha, e kish marrë me kanun në Mirditë! Por edhe sikur të ishte ky adhurim romantik, për mëmëdhenë, ku qëndron e keqja. Kush në botë nuk e bën. Kush i ikur s’e ëndrron më shumë se dashurinë e parë!

Dhe kjo, siç e pohon Kraja, u bë nga shkrimtarët më të mirë Shqipëtarë. Që me këto ide të fshehura nëpër rreshta na paskan gënjyer popullin e paditur kosovar. Kur harrojmë, që deri në vitet 50-60, edhe pse paksa e mënjanuar, Jugosllavia i përkiste të njejtës shkollë arti! Nga ana tjetër veprat më të mira letrare në Shqipëri (siç e cilëson ndarësi i çquar) nuk i përkisnin më të vertetë realizmit socialist, as nga forma dhe as nga përmbajtja: Gjenerali, Kështjella, Pallati i Endrrave, dhe të tjerë e të tjerë, por një historie të përbashkët gjaku. Kjo ish arsyeja dhe jo një “gabim” i “autoriteteve arsimore” Jugosllavie, qeë për më tepër shkonte kundër interesave të saj. Demostratat në Kosovë në fundin e shekullit të XX e mbështesin këtë.

 

  1. Kosova për Shqipërinë

 

“Nga fundi i viteve shtatëdhjetë dhe fillimi i viteve tetëdhjetë fillon një interesim më i gjerë për letërsinë e Kosovës, por gjithsesi kriter themelor i përzgjedhjes ishte përshtatshmëria ideologjike e tekstit. … dhe jo në vlerat letrare, do të krijojë në Shqipëri një pasqyrë të shtrembëruar për letërsinë e Kosovës. … si hermetizëm, dekadentizëm e kështu me radhë…duke qëndruar larg nga përmbajtjet që ofron ajo.”

 

Edhe pse në ato vite, siç bën sot zoti Mehmet, popullsia konsiderohej një dhe e pandarë “një trup i vetëm”, kur s’ishte aspak e tillë, sidomos në pjesë e saj më të ditur, intelektuale, për nga vetë natyra e saj, vlerësimet bëheshin për nga vlerat artistike dhe jo ato ideologjike. Letërsia “underground” ka egzistuar gjithmonë në çdo vend, pavarësisht nga forma e pushtetit. Me Majakovskin qarkullonte Yesenini, me Agollin dhe Qosja, me operen Mrika dhe LP e Beatles-ve. Kështu ishin të mirënjohur dhe të vlerësuar në atdhe autorë si Rugova, Demaçi, Qosja, Podrimja, Surroi dhe të tjerë edhe pse përmendëshin fare pak ose aspak në tekstet mësimore. Ata ishin, siç ishin përkthimet e shumta nga shtepitë botuese në Kosovë, Sartori, Kamy, Freud e tjerë, një dritare tjetër e hapur drejt perëndimit, për ndërgjegjësimin bashkëkohor të kombit. Kush kërkonte gjente, atë që donte dhe i duhej. Me një kod kanunor te pashkruar dhe te heshtur, kur vinte rasti për këtë ndërshkëmbim ndër vedi, mbyllej një sy dhe nga pushtetarët, kur nacionalismi, gjithmon në vend të parë e vinte nën vete socialisten çupëlinë. Ne atë kohe shihej qartësisht se ç’ishre nga “tufëzat” e gjora, që hanin vjedhurazi në rrëzë të kanaleve vaditës. Kish baticë dhe zbaticë, por kurrë mur a shkëmb në mes.

 

Nuk do të ndalem me hollësi në pikërisht 3, e cila mund te titullohet si “Vetëmohimi i Letërsisë së Kosovës dhe Faji i Kritikës Letrare të saj” dhe 4( Shkrimtarët kosovarë shkrimtarë të vegjël në Shqipëri), të cilat s’janë veç nëndarje të çështjeve të më sipërme pa shtuar asgjë veç mllefit te unit të lënduar të autorit ndasiprurës.

 

  1. Gluha Mëmë një dhe e pandarë

 

Zoti Kraja shkruan:

“… se shkrimtarët e Kosovës, të gjithë së bashku, kanë probleme serioze me gjuhën. Situata paraqitet e papërballueshme, sepse në Shqipëri, gradualisht, refuzimi i dikurshëm ideologjik i letërsisë së Kosovës, është zëvendësuar pak nga pak me refuzim gjuhësor. dhe.. për shkak të gjuhës dhe trashëgimisë komuniste tregohet refuzuese ndaj Kosovës.

 

Gjendja e gjuhës letrare dhe asaj “kooperativiste e tufëzuar në baze krahinore”, qëndron edhe sot në ekonominë e pakufij të tregut, ku çdo gjë mbart në vetëvete lirinë e paçensurueshme të blerje/shitjes ashtu siç është dhe çlirimi i vetëdijeve, apo dhe i mosvetëdijeve në internet. Qysh në lashtësi Epiri në jug ndahej nga Iliria në veri, ashtu si u shprehen më vonë dhe për dy dialektet përcaktuar përkatësisht në gegë dhe toskë në Mesjete dhe deri më sot, ashtu si kish shkruar Samiu. Janë dhe ishin, edhe pse diktatura vendosi ta fshinte njerin në emrin e njejtësimit, njerezit përdorën zhargonin (1) për të ruajtuar Lahutën e gegnishtes së mohuar. Kjo “ndarje” për mijëveçare të tërë nuk mundi të shkojë më tej dhe të evoluojë ne gjuhë të veçanta, përkundrazi të dy dialektet u pasuruan ndërsjelltasi, se s’janë veç një gjuhë. Në thelb dhe në lëkurë jane siç kanë qenë, një. I ndryshojnë fjalët e huaja të futura me zor nga kush erdhi t’i pushtojë, e me to, pyka nguli t’i ndajë. Dhe s’mundi atëhere kur ish e pashkruar, jo më tani, me aq shumë sa është mbledhur si trashigimi e patundshme kombëtare.

 

Dhe me gjithë ndryshimet në dialekt dhe tradita, midis dy krahinave qysh në kohë të pambajtura mend, apo ndarja veri-jug, prapë…

Megjithë kohën fare të shkurtër te ndarjes politike të detyruar më te fundme a ngritja e një muri në kryeqytet, prapë…

Dhe megjithë përdorimin e gjuhës si mjet për të ndryshuar mënyrën e të menduarit të turmës në popull, prapë se prapë, pas një debati ndërtimor, Gjermania u kthye në origjinën e saj. Një shtet! Një komb, se ndarja sado e dukshme s’qe kurrë e qenësishme.

 

“Njejtësimi i Gjermanisë më 1990 ideja e së njejtës Kulturë u përmend përsëri nga elitat kulturore dhe politikës si mjet i mundshëm për të kapërcyer ndarjet e dukshme sociale dhe ekonomike të popullit Gjerman…”(1)

 

Dhe siç thuhet në nenin 35 të Njejtësimit:

“Gjatë gjithë viteve të ndarjes, arti dhe kultura siguroi bazën për njejtësimin në vazhdim të kombit Gjerman, në kundërshtim me zhvillimet ndarëse në të dy shtetet Gjermane. Ato, do të japin tani një kontribut të veçantë dhe të domosdoshëm në proçesin e njejtësimit të Gjermanisë ndërsa shkon drejt bashkimit të Europës.”(2)

——————————————————-

 

(1) East Germany distinctiveness in a unified Germany. The New Germany in Context Series editors: Jonathan Grix (Birmingham), Paul Cooke (University of Leeds) and Lothar Funk (Universityof Trier) University of Birmingham Press 2002, ISBN 1-902459-17-2

 

(2) Maryland Law Review, Articles “The Constitutional Law of German Unification

nga PETER E. QUINT, 1991.

 

(3) Mehmet Kraja, Mbi disa përvoja dhe kundërthënie letrare Kosovë – Shqipëri, Gazeta Liberale. https://liberale.al/mbi-disa-pervoja-dhe-kunderthenie-letr…/ Publikuar me 13/5/2019

 

EA 5/14/2019 all the rights and copyrights are protected