Ku duhet të jeni të vëmendshëm me etiketat e ushqimeve..

Ku duhet të jeni të vëmendshëm me etiketat e ushqimeve..

89
0

Kur blini një produkt ushqimor, që nga çokollatat, karamelet, akullore e deri tek ato që merrni për të gatuar, mos përtoni të lexoni etiketat. Specialistët e shëndetësisë sugjerojnë kontrollin e informacioneve që shkruhen në këto etiketa, pasi në shumë raste mund t’i shmangni vetes probleme shëndetësore, rritje të tensionit, helmime e deri te probleme të tjera më të rënda. Pasi produktet ushqimore të përpunuara ambalazhohen dhe etiketohen përpara se të ofrohen për shitje te konsumatori. Dhe kjo etiketë përmban të gjithë informacionin e plotë dhe të qartë në lidhje me natyrën, karakteristikat, sigurinë dhe cilësinë e produktit ushqimor.  Për të bërë zgjedhjen e duhur në treg, konsumatori duhet të jetë i vëmendshëm në vlerësimin e informacionit të dhënë në etiketë. Por etiketa e një produkti ushqimor duhet të përmbajë patjetër disa të dhëna të cilat cilësohen të detyrueshme, sikurse janë: emri i produktit, lista e përbërësve të produktit dhe sasia e përbërësve të veçantë, afati i përdorimit ose i skadencës, kushte të veçanta të ruajtjes dhe të përdorimit, deklarimin e sasisë neto, adresa e prodhuesit ose ambalazhuesit, vendi i origjinës ose prejardhjes së produkteve ushqimore në mënyrë që mos të keqinformojë konsumatorin, udhëzime të përdorimit për produktet që në mungesë të këtyre udhëzimeve është i pamundur përdorimi i tyre, gradën alkoolike për pijet që përmbajnë më shumë se 1.2 % të volumit alkool.

 

Blerësit

 

Nga ana tjetër rekomandohet që konsumatori të jetë i vëmendshëm ndaj përbërësve të produktit, të cilët përfshijnë: substanca të ndryshme me veprim alergjik (p.sh. drithëra me përmbajtje gluteni, veze, peshku, soje etj.), përbërës të veçantë si kafeinë që kanë efekte në shëndet dhe përbërës të modifikuar gjenetikisht, në mënyrë që të parandalohen efektet e dëmshme për shëndetin. Po kështu të tregohen të vëmendshëm ndaj afatit të përdorimit ose të skadencës, tejkalimi i të cilit cenon sigurinë dhe cilësinë e produktit ushqimor, kushtet e veçanta të ruajtjes dhe përdorimit të cilat duhen ndjekur rigorozisht që produkti të jetë i sigurt dhe të ruajë vlerat ushqyese.

 

Informacione

 

Po kështu etiketa e produkteve ushqimore mund të përmbajë dhe informacion mbi vlerat ushqimore që lidhen me: vlerën energjetike, ushqyesit, proteina, karbohidrate, yndyrë, fibra, sodë, vitamina dhe kripëra minerale, si dhe deklaratat nutritive (ushqimore) që nënkupton çdo mesazh që tregon, sugjeron që një ushqim ka veti të veçanta dhe të dobishme ushqyese.

 

Përmbajtje e ulët Energjie –Deklarimi që një ushqim është me përmbajtje të ulët energjie, mund të bëhet vetëm kur produkti nuk përmban më shumë se 40 kcal (170kj)/ 100 g produkt të ngurtë ose më shumë se 20 kcal (80 kj)/ 100 ml produkt të lëngshëm.

 

Përmbajtje e ulët Yndyre– Deklarimi që ushqimi është me yndyrë të ulët, mund të bëhet vetëm kur produkti përmban jo më shumë se 3 g yndyrë/100 g produkt të ngurtë ose 1.5 g yndyrë /100 ml produkt të lëngshëm (1.8 g yndyrë/100ml për qumështin gjysmë të skremuar).

 

Pa sheqer-Deklarimi që ushqimi është pa sheqer, mund të bëhet vetëm kur produkti përmban jo më shumë se 0.5g sheqer/100ml.

 

Përmbajtje e ulët natriumi ose kripe- Deklarimi që një ushqim ka përmbajtje të ulët natriumi ose kripe, mund të bëhet vetëm kur përmban jo më shumë se 0.12 g Na ose të njëjtën vlerë për kripën, për 100 g ose për 100 ml. Për ujin, me përjashtim të ujit mineral natyral, kjo vlerë nuk duhet të kalojë 2 mg Na për 100 ml.

 

Burim proteine –Deklarimi që produkti është burim proteine, mund të bëhet vetëm kur të paktën 12% e energjisë në ushqim sigurohet nga proteinat. Deklaratat shëndetësore që nënkuptojnë çdo mesazh që tregon, sugjeron ose nënkupton që ekziston një marrëdhënie midis një kategorie ushqimi, ushqimi ose një përbërësi të tij dhe shëndetit.

 

Deklaratat shëndetësore mund të jenë; funksionale p.sh: ndihmon në mbajtjen e kolesterolit në nivel të shëndetshëm; përmban kalcium/ndihmon në forcimin e kockave; e pasur në fibra/ndihmon në tretje etj., që i referohen uljes së riskut të sëmundjes, p.sh: ndihmon në uljen e nivelit të kolesterolit në gjak; dieta me përmbajtje të ulët natriumi redukton riskun e tensionit të lartë të gjakut etj.

 

Kujdes!

 

Deklaratat që nuk lejohen të bëhen në etiketën e produktit ushqimor, sikurse janë deklarata të përgjithshme shëndetësore si p.sh: e shkëlqyer për organizmin, ndihmon në mbajtjen e trupit të shëndetshëm dhe të ri. Apo deklaratat që sugjerojnë se mos konsumimi i produktit ndikon në shëndet si dhe deklaratat që i referohen humbjes në peshë. Produktet ushqimore të prodhuara në vend përmbajnë informacionin në etiketë në gjuhën shqipe.

 

Importi

 

Në produktet e importuara të dhënat për emërtimin e produktit, karakteristikat e tij (natyra vetitë, përbërja), mënyra e përdorimit, kushtet e ruajtjes, data e fundit e përdorimit si dhe adresa e importuesit, duhet të jepen në gjuhën shqipe në etiketën origjinale ose në kundëretiketë.  

loading...