Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, takim me Kryeministrin Ramush Haradinaj

Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, takim me Kryeministrin Ramush Haradinaj

370
0

Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, i shoqëruar me një delegacion të përbërë nga Aqif Rakipi, Alket Veliu dhe Galip Taho, ka zhvilluar një takim me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Z.Idrizi u shpreh se për ne shqiptarët e Çamërisë është shumë e rëndësishme dhe një simbolikë, që Javën Çame, në kuadër të 75-vjetorit të Genocidit e spastrimit etnik mbi shqiptarët e Çamërisë, ta përmbyllim me aktivitete në Prishtinë dhe me Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj.

 

Kreu i PDIU-së vlerësoi qëndrimin e Kryeministrit Haradinaj, për përqasjen me dinjitet dhe reciprocitet në raport me Serbinë dhe vendosjen e taksës 100% mbi mallrat serbe, por edhe si një mundësi e mirë për të mbushur këtë hapësirë me bizneset shqiptare e kosovare. “Vendosja e kësaj takse është qëndrim i një shteti që funksionon, kur dihet që shkëmbimet tregtare mes Kosovës e Serbisë, janë të rendit 680 milionë euro, kurse me Shqipërinë vetëm 180 milionë euro”, – tha z.Idrizi.

 

Gjithashtu kryetari i PDIU u shpreh se duhet të përmbyllet sa më shpejtë procesi për liberalizimin e vizave për shqiptarët e Kosovës. Z. Idrizi tha se ndjehet i shqetësuar që vendi i dytë pas Serbisë, për vendosjen e barrierave mbi bizneset e mallrat e Kosovës, është Shqipëria dhe kjo përfshin edhe taksën e Rrugës së Kombit.

 

Z.Idrizi informoi Kryeministrin Haradinaj, për situatën delikate dhe preokupuese për demokracinë e pluralizmin ku ndodhet Shqipëria dhe gjetjen e një zgjidhje e kompromisi që kalon nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme.

 

Kryeministri Ramush Haradinaj shprehu vlerësim e inkurajim për përpjkejet e PDIU-së dhe Shoqatës Çamëria, për çështjen çame si çështje kombëtare dhe ndjeshmërie e shqiptarëve të Kosovës, për Çamërinë. Sipas z.Haradinaj, çështja çame është një çështje që zgjidhet në kuadër të të drejtave të njeriut dhe pronësore.

 

Kryeministri Haradinaj e njoftoi z.Idrizi për një arrtije shumë të rëndësishme sot për Kosovën, siç është pavarsia energjitike dhe nga sot Kosova menaxhon vet resurset dhe politikat energjitike.

 

Z.Haradinaj shprehu shqetësimin e tij për situatën politike në Shqipëri dhe gjetjen sa më të shpejtë e gjithëpërfshirëse të një zgjidhje për krizën politike.