Kryemadhi: Të gatshëm të ecim përpara me miratimin e reformës zgjedhore. Axhenda...

Kryemadhi: Të gatshëm të ecim përpara me miratimin e reformës zgjedhore. Axhenda opozitare nuk do ndryshojë

351
0

 

Lëvizja Socialiste për Integrim është e gatshme të ecë përpara me miratimin e reformës zgjedhore. Kështu deklaroi sot kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët. Ajo tha se opozita e bashkuar është në unison sa i takon këtij procesi dhe se detyrimet e opozitës kanë mbaruar me arritjen e këtij konsensusi për reformën zgjedhore duke ia kaluar topin maxhorancës pasi sipas saj, i takon maxhorancës të vijojë me plotësimin e 8 kushteve.

 

 

 

“Për LSI-në dhe anëtarët gjithpërfshirja dhe dialogu politik janë e vetmja rrugë. Kemi qenë dhe jemi të gatshëm të ecim përpara me miratimin e menjëhershëm të reformës zgjedhore, një nga kushtet e para të Bundestagut dhe këshilli i ministrave të jashtëm. Për vetë LSI-në integrimi europian është gjëja themelore dhe më e rëndësishme që kanë nevojë shqiptarët.

Ne si opozitë e bashkuar jemi në unison sa i takon këtij procesi. Detyrimet e opozitës kanë mbaruar dhe tashmë janë të mazhorancës. Përgjegjësia jonë e vetme që ishte dhënia e konsensusit për reformën zgjedhore dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR kanë qenë të nevojshme për t’u përfshirë”, deklaroi kryetarja e LSI-së.

 

Sipas saj, axhenda opozitare nuk do ndryshojë, do jetë e njëjta. “Do vazhdojmë hap pas hapi jo vetëm në realizimin e gjitha detyrimeve që kemi ne si opozitë por edhe në intensifikimin e aksionit politik, jo vetëm me denoncime por edhe me mjetet demokratike të protestës që janë të domosdoshme. Sot kemi një dakordësi dhe nga parlamenti monopartiak që ka pranuar ilegjitimitetin e kësaj strukture politike”, u shpreh Kryemadhi.

 

Ajo theksoi se në 9 kushtet e Bundestagut, që janë kushtet e Evropës, pika që ka detyrim opozita është vetëm miratimi i reformës zgjedhore, implementimi i saj është detyrim i maxhorancës, pikat e tjera kanë lidhje vetëm me të, opozita nuk është pjesë e as përgjegjëse.