Kryebashkiaku Veliaj ndezi dritat e festave të Kalaja e Tiranës: Ta kthejmë...

Kryebashkiaku Veliaj ndezi dritat e festave të Kalaja e Tiranës: Ta kthejmë këtë periudhë në muaj solidariteti

327
0

Pas Pazarit të Ri, festat kanë mbërritur edhe te Kalaja e Tiranës. E kthyer në një nga ikonat më të bukura dhe të vizituara të Tiranës, në Kalanë e Tiranës janë ndezur sot dritat e festave të fundvitit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ndezi në mënyrë simbolike dritat e Pemës së Krishtlindjeve dhe uroi të pranishmëve gëzuar festat, ndërsa theksoi se është e rëndësishme që atmosfera e festave të ndjehet në gjithë qytetit. Ndaj dhe bëri të ditur se Bashkia e Tiranës do të ndezi dritat edhe në sheshe e rrugë kryesore të Tiranës.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi nga të gjithë fëmijëve dhe prindërve të tyre që këtë muaj festash ta kthejnë dhe në një muaj solidariteti për të qenë pranë me ata që nuk kanë mundësi. “Festat janë edhe një mundësi për të ndihmuar njerëzit që kanë nevojë. Përshembull, nëse kemi një bluzë më shumë, ose një lodër më shumë, sidomos në ato familjet që kanë më shumë nevojë”, – tha ai.

Nga ana tjetër ai bëri të ditur se Bashkia e Tiranës ka hartuar një kalendar të ngjeshur aktivitetesh dhe festimesh duke nisur që nga festat e nëntorit dhe ato të fundvitit. “Por ajo që dua është që ta kthejmë këtë stinën edhe një kohë hareje. Ndoshta me zyshën ju keni planifikuar që të bëni disa koncerte apo jo? Pra do të shkoni në disa vende të ndryshme që ky gëzimi që përjetuam sot ta përjetojnë të gjithë njerëzit në Tiranë. Pra ne filluam te Pazari i Ri ku hapëm dritat, sot po i hapim këtu te Kalaja. Kështu që duam t’i ftojmë të gjithë mamat, babat dhe kalamajtë të vijnë te Kalaja sepse është një nga vendet më të bukura në Tiranë. Ne do të kemi pafund aktivitete në vitin e ri 2020, sepse është 100 vjetori i Tiranës. Tirana mbush 100 vjeç. Një nga gjërat që do të bëjmë është që do të kemi më shumë festa si kjo”, – u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj bëri të ditur se nisur pikërisht nga fakti se kjo pjesë e Tiranës është shndëruar në një nga pikat më të preferuara të qytetarëve dhe turistëve, Bashkia e Tiranës do të mundësojë pastrimin edhe të pjesë tjetër të këtij objekti historik për të qenë edhe ai i vizitueshëm. “Do të pastrojmë edhe pjesët e tjera të Kalasë që gjithë kjo gjë e bukur të rritet akoma më shumë. Edhe disa nga shtëpitë karakteristike të Tiranës do t’i bëjmë muze. Pra do t’i blejë Bashkia që të ketë mundësi që të gjithë kalamajtë të vijnë dhe të shikojnë si ishte Tirana para 100 viteve”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.