Aktualitet

Kryebashkiakja e Kurbinit, Majlinda Cara: Dhuna me bazë gjinore mbetet një problem i madh dhe i përhapur në shoqërinë tonë

By vizional

December 10, 2024

Për kryetaren e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara, pozita e grave në politikë është përmirësuar në disa aspekte, me një rritje të numrit të grave në pozita udhëheqëse dhe legjislative. Megjithatë, thekson zonja Cara ende ka një hendek të madh për sa i përket ndikimit dhe mundësive për të marrë vendime të rëndësishme. E pyetur për faktorët që kufizojnë pjesëmarrjen e grave në zgjedhje, ajo thekson pasiguritë financiare, mungesën e burimeve për fushatat elektorale, barrën e dyfishtë të detyrave profesionale dhe familjare që gratë shpesh mbajnë, si dhe kulturore dhe strukturore, që vazhdojnë të minojnë besimin në aftësitë udhëheqëse të grave. Pavarësisht progresit të arritur, nënvizon kryebashiakja e Kurbinit, dhuna me bazë gjinore mbetet një problem i madh dhe i përhapur në shoqërinë tonë

Cila është një nga barrierat kryesore për të patur mundësi të barabarta në politikë?

Një nga barrierat kryesore për mundësi të barabarta në politikë është vazhdimi i stereotipeve gjinore dhe rolit tradicional të gruas në shoqëri. Shpesh, gratë nuk trajtohen në të njëjtat kushte si burrat, duke përfshirë vështirësitë në sigurimin e mbështetjes financiare dhe rrjeteve politike, që janë kyçe për suksesin në fushatat zgjedhore.

Cilët faktorë ndërveprojnë për të kufizuar pjesëmarrjen e grave në zgjedhje?

 

Faktorët që ndikojnë negativisht përfshijnë një pasiguri financiare, mungesën e burimeve për fushatat elektorale, barrën e dyfishtë të detyrave profesionale dhe familjare që gratë shpesh mbajnë, si dhe kulturore dhe strukturore, që vazhdojnë të minojnë besimin në aftësitë udhëheqëse të grave. Kjo mund të çojë në një pjesëmarrje të ulët të grave në zgjedhje dhe në pozita vendimmarrëse.

 

A është financimi pengesë për pjesëmarrjen politike të grave?

Po, financimi është një pengesë e konsiderueshme për pjesëmarrjen politike të grave. Shpesh, gratë nuk kanë akses në të njëjtat rrjete financiare dhe mundësi si burrat, dhe kjo mund të ndikojë direkt në mundësitë e tyre për të kandiduar dhe për të zhvilluar fushata të suksesshme. Pa një mbështetje të qëndrueshme financiare, është shumë e vështirë për gratë të garojnë në kushte të barabarta.

 

Jemi në 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore. Jeni përballur gjatë punës tuaj me dhunën me bazë gjinore në politikë?

Për fat të keq, dhuna me bazë gjinore është ende një realitet i pranishëm, edhe në fushën politike. Si kryetare bashkie, kam përjetuar dhe kam qenë dëshmitare e rasteve të dhunës verbale dhe diskriminimit të hapur ndaj grave që janë aktive në politikë. Ndërsa ndryshimet ligjore dhe sensibilizimi janë rritur, është ende një rrugë e gjatë për të krijuar një mjedis politik të sigurt dhe mbështetës për gratë.

 

Në këndvështrimin tuaj, cilat janë pozitat sot të grave dhe vajzave në politikë?

Pozita e grave në politikë është përmirësuar në disa aspekte, me një rritje të numrit të grave në pozita udhëheqëse dhe legjislative. Megjithatë, ende ka një hendek të madh për sa i përket ndikimit dhe mundësive për të marrë vendime të rëndësishme. Gratë janë ende të përfaqësuara më pak në nivelet më të larta të politikës, dhe shpesh janë të pranishme vetëm në pozita simbolike, pa mundësi reale për të ushtruar pushtet dhe ndikim.

 

Sot gratë dhe vajzat përballen me të gjitha llojet e dhunës. A mendoni se është bërë mjaftueshëm për ta parandaluar dhunën me bazë gjinore në shoqërinë tonë?

Po, ende ka shumë punë për të bërë. Pavarësisht progresit të arritur, dhuna me bazë gjinore mbetet një problem i madh dhe i përhapur në shoqërinë tonë. Duhet të bëhen më shumë përpjekje për të edukuar shoqërinë dhe për të ndihmuar viktimat që të kenë mundësi për t’u shprehur dhe kërkuar drejtësi. Ligjet ekzistuese duhet të zbatohet më efektivisht, dhe burimet mbështetëse për viktimat duhet të jenë më të shumta dhe më të aksesueshme.

Intervsitoi: Eglantina Alliaj

 

-Ky shkrim publikohet në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, me mbështetjen e Rrjetit “Barazi në Vendimmarrje”.