DOSSIER

Krahina e Topalltisë dhe karakteri historik legjendar, mbështetur në prova dhe fakte…

By vizional

October 03, 2022

Anila Ahmataj

 

Në emisionin Autokton të autores Anila Ahmataj këtë të diel u trajtuan ngjarjet historike në fshatin “Mekat”si dhe emrat më të njohur të krerëve shqiptar, duke nisur nga viti 1612…

 

Pamja e një qyteze që mbart në brendësi të saj historinë e të parëve, bëmat dhe veprat e tyre shfaqet magjishëm nëpermjet mugëtirës dhe brishtësisë së njerëzve të kësaj treve.Ky territor që mbështjell rreth vetes fshatra të shumtë  quhet Topallti. Ketu  syri të sheh përtej maleve, aty ku shqiponjat ngrenë folet e tyre.Këtu fshihet në mënyrë natyrore kontributi   i kapedanëve të luftës. Karakteri historik në veprat legjendare mbështetet në fakte të cilat tregojnë lashtësinë e origjinës sonë kombëtare.

 

Llakatundi është njësi administrative.Në ditët e sotme përbëhet nga disa fshatra ku  popullsia është e paktë, për shkak të emigrimit jashtë kufijëve për një jetë më të mirë. Dikur në këtë territor ishin dhjetëra familje, kishte çerdhe, kopshte e shtëpi kulture.Jeta asaj kohe ishte e gjallë e stinët vinin magjishëm, pranvera kundërmonte aromë lulesh e dimri zbardhte çatitë e shtëpive. Sot  në këtë territor qëndron hijerëndë veç pesha e varreve të të parëve që nuk e tradhëtuan kurr atdheun e tyre…

 

Pas vdekjes së Gjergj Kastrio-Skënderbeut, një valë tërrori osman përfshiu territoret shqiptare dhe popullsinë vendase. Preha e parë ishin luftëtarët besnikë të heroit që përbënin komandantët e gardës së tij.

 

Kështu grumbuj të tërë karvanesh me kuaj, qerre bagëtijë e fëmijë tërhiqeshin nëpër portet e Shëngjinit, Durrësit dhe Vlorës për të kapur ato pak anije që dërgoi Mbretëria e Napolit, si aleatja më besnike apenine. Shumë prej tyre nuk mundën të arrinin në kohë në destinacion.

 

Njëri prej komandantëve të heroit që ish caktuar të mbronte varrin e tij dhe kish luftuar kështu në tërritoret fushore të Lezhës, u detyrua të devijonte nga turmat e mëdha dhe të drejtohej nga një territor fushor në luginën e majtë të Vjosës.Shpirti luftarak që trashëgonte nuk do ta linte pa u dalluar mes banorëve punëtorë por dhe liridashës. Bëhet fjalë për bregun e majtë të rrjedhjes së Vjosës dhe një krahine të tërë, mjaft jetike të qendrës së Jugut Kaninë, të quajtur osmanisht Top-Allti katundi Mekat, ku sundimtarët osmanë të Jugut shqiptar do të krijonin aty jo vetëm pronat, por dhe pallate verore. Më 1670 udhëtari kronikan e historian Evlija Çelebiu në veprën e tij “Seyahatnameja” (libri i udhëtimit) pasi viziton Jugun shqiptar ndalet në Vlorë duke përshkruar kështjellën e më pas vizitoi dhe Pallatin Veror të Mekatit ku u befasua nga biblioteka e madhe , për cilën shprehet se nuk ka asnjë ndryshim nga ato perandorake të Stambollit.

 

 

 

Tek vepra e Eqrem bej Vlorës gjejmë

 

“Më 1612 me urdhër të sulltanit sanxhakbeu i Vlorës, ish-bejlerbeu i Sirisë Veli Isuf pashën e mbajtën në pallatin e Stambollit. Kronikanët e asaj kohe flasin mbi thesaret e mëdha që u sekuestruan në Kalanë e Kaninës dhe në Pallatin Veror të Mekatit”. Ngjarjet pasojnë. “Në raportin e vitit 1678 thuhet se një bibliotekë prej 3000 vëllime librash të nipit të madh të Isuf pashës gjendet në Pallatin Veror të Mekatit”

 

Per familjen Mekati shekujt perandorakë i dhanë emrin e vendit, si prijës. Etja për të udhëhequr në emër të lirisë, bëri që familja Mekati të bënin pjesë në çdo vepër që ngrihej në emër të kombit shqiptar.

 

I riu Ismail, bën pjesë si zyrtar dhe ushtarak brenda Pashallëkut. Ai u shqua jo vetëm si mbrojtës, por edhe si një lloj diplomati, ku falë aftësive negociuese pas ekspeditës ndëshkimore shkon me një grup në marrëveshje me ta, e cila shënoi sukses, pasi njihen sot luftrat dhe besnikëria e suliotëve ndaj pashait edhe ditët e fundit të tij. Marko Boçari spikat si një nga udhëheqësit suliot më të shquar të fillimshekullit 19.

 

Ismail Mekati shfaqet një njëri i besuar dhe luftarak, ku Ismail pashë Vlora do ta kishte si mbështetje. Veprimtaria e tij bëri që Mehmet Reshit Pasha të organizonte një kurth famëkeq për eliminimin e tij. Porta e Lartë do ta emëronte sundimtar të Janinës, si kryeqendra e Jugut shqiptar. Një gjë të tillë osmanët e kishin bërë edhe me krerë të tjerë si Zylyftar Podën.

 

Qaj moj Vlorë, qaj Kaninë,

 

Ismaili shkoi në Janinë,

 

I dërguan bujurdinë..

 

-Malo mos shko në Janinë,

 

Se të kan’ ngritur pusinë..

 

I shoqëruar me mbi 600 trupa pashai Vlorajve i sigurtë shkoi drejt Janinës ku kurthi famëkeq osman nuk e kurseu me gjakderdhje të një numri luftëtarësh që e shoqëronin brenda pallatit të sundimtarit osman të Janinës. Konsujt e huaj të Janinës njoftonin shtetet e tyre për ngjarjen.

 

Ekziston informata e rëndësishme se udhëheqësit të madh shqiptar Ismail pashë Vlorës iu pre koka në Janinë në datën 5 të këtij muaji.

 

Mes shumë trimave ndodhet dhe Ismail Mekati, së bashku me besnikë të tjerë si kaninjotë, por dhe shumë të tjerë nga Kazaja e Vlorës.

 

Hadër Sulo trim i rrallë

 

Asim Ibrua përmbi kalë

 

Dalip Xhelua feste bardhë

 

Smail Mekati me pallë,

 

Skëndo Hodua do të dalë,

 

Fejzo Çobua po e ndalë,

 

Dyfekun hazër si djalë

 

Mustafa Bimua i gjallë,

 

Vështron me dylbi vërdallë..

 

Trupat mbrojtëse jashtë nuk patën asnjë lloj mundësie të hynin në luftime.

 

..Në Janinë i kishin kallë,

 

Sarajet sa një mëhallë,

 

Brënda ç’po llafosej vallë?

 

Se ç’u ra pika në ballë,

 

Kur plasi gjaku në shkallë..

 

Me grupin e madh të trupave ishte një trim 18 vjeçar, Zenel Gjoleka nga Kuçi i Kurveleshit, bashkluftëtar i Ismail Mekatit. Ai kërkon ti ngarkohet misioni i hakmarrjes për të vrarë organizuesin e masakrës, vetë Kaftan Aganë.

 

Dërgon Gjolekë spanoi,

 

Tafil Buzit të mi thoi,

 

Gjoleka se turpëroi,

 

Kaftanazin e martoi,

 

Me të dyja ç’e qëlloi,

 

Çau dyzetmij’ e shkoi,

 

Nxorri pallën e shpëtoi..

 

T’fala tha nga Smail Vlora,

 

I ra filxhani nga dora..

 

 

 

Kryengritja e vitit 1833

 

“Gjatë gjithë vitit 1833 kryengritja u shtri dhe në krahinat e tjera të Shqipërisë si në Tepelenë, Delvinë, Vlorë, etj” vazhdon raporti.

 

Kryeqendra nga ku varej Vlora, Berati mbetej si nyjë rrugësh tokësore, përbënte rrezikun e madh të ardhjes së trupave të armatës më të madhe në Ballkan, atë të Vardarit. Këtë herë Mehmet Reshit Pasha kish dërguar në krye të ushtrisë birin e vet, një ushtarak, Emin pashën. Ismail Mekati pasi përgatiti forcat e tij luftarake, së bashku me katundet fqinjë morën rrugën për në Jug me gjithë Kazanë e Vlorës. Ushtrisë së madhe të Emin pashën i kish dalë përpara një forcë prej mijra kryengritësish nën udhëheqjen e Çelo Picarit, Veis Vasjarit dhe Tafil Buzit. Dhe kjo ndodhi në një grykë në afërsi të Tepelenës.

 

U nisën Mekat e Armenë,

 

Si era kuajt me djem,

 

Të sosin më Tepelenë,

 

Llafi erdh’ e muarr dhenë,

 

Çelua kish zënë dervenë,

 

Në Luzat kishte bërë benë,

 

Desh e zuri Emin benë,

 

Të vrarët me pirgje mbenë..

 

Ismail Mekati së bashku me forcat e tij dhe krerët e tjerë përreth u nisën drejt Beratit duke ndjekur forcat armike turke. “Në fillim kryengritësit e Tepelenës dhe të Beratit ishin 10 mijë vetë. Së pari marrshuan mbi Berat dhe e rrethuan mirë kalanë. Myteselimi Emin pasha u mbyll brenda.. Mori me vete dhe mirmiran Sulejman pashën nga Berati dhe disa nga parësia. Lufta u ndez, por ushtarët i thanë myteselimit të dorëzojnë kalanë. Ata i thanë; “Shko të shpëtosh kokën..” Kalaja u dorëzua dhe myteselimi shkoi në Kavajë..”

 

Forcat mekatase së bashku me forcat e tjera të kazasë së Vlorës u gjendën në muret e kështjellës nga ku u flisnin nëpër natë nizamëve turq, se nuk do të tërhiqeshin pa marrë kalanë, por sidomos qëllimin, Emin pashën, i cili u detyrua të largohej natën fshehurazi i maskuar.

 

Top Alltija ju qep lart,

 

Rrëpirës përmbi Berat,

 

Qasur mureve e kalasë,

 

Topat e bëjnë tym e flakë,

 

-Myteselimin të gjallë,

 

Ja kokën e tij më trastë,

 

Sabahu të mos e kapë,

 

Emin pashnë nëpër natë,

 

E nxuarr poshtë si lugat,

 

Nuk e ktheu kokën prapë..

 

I pafuqishëm Stambolli u komunikoi kryengritësve të Beratit se nuk do të sillnin ushtri ndaj tyre dhe do të plotësonin kërkesat, si mashtrim i radhës. Luftëtarët e Kazaja e Vlorës, ishte këtë radhë objektivi i ushtrisë osmane dhe me që krahina e Topalltisë është në më të shumtën fushë, ishte e vetmja rrugë nga do të sulmohej. Prijësit luftarakë vendas me forcat e tyre i zunë pritat, ku Ismail Mekati dhe Muhamet Muço goditjet trupave turke duhet t’ja jepnin qysh në territorin e Topalltisë. Armatat osmane u detyruan të futen nëpër rrugë të tjera pas rezistëncës së Topalltisë.

 

Taborret se s’bën do vijnë,

 

Bien anës Top Alltinë,

 

Sahatin vetëm nuk dijmë,

 

Djemtë hazër të rrijnë,

 

Mekat e gjer më Hoshtimë,

 

Smaili me gjith’ të tijtë,

 

Muhameti mbiu më pritë,

 

Nuk ka gjumë as natë as ditë..

 

Pas kësaj ngjarjeje kryengritësit rrethuan Beratin dhe u pozicionuan në goditjen e trupave që vinin për ndihmë nga Elbasani, Kavaja dhe Ohri. Ismail Mekati në krye të forcave të tij së bashku me krerë të tjerë të kazasë radhiten në sulmin e kështjellës.

 

Kaza e Vlorës ngarkuar,

 

Pallat zhveshur nëpër duar,

 

Martinat nëpër sinuar,

 

Mbi shkallë bedenave duall,

 

Nizamët lemerinë muarr,

 

-Kalanë që keni zaptuar,

 

Nuk e lë se s’është e juaj,

 

Ja e marr, ja ymrin shuaj!..

 

Kryengritja në maj 1835, në krahinën e Myzeqesë drejtohej nga Alush Frakulla.

 

Për të siguruar fitore me çdo kusht u thirrën luftëtarë me eksperiencë si atë kalorsiake, ashtu dhe atë të luftës. Shkathtësinë e pushkatarëve ia ngarkuan Azbi Vranarit dhe Mustafa Bimos nga Kazaja e Vlorës, ndihmuar nga Veis bej Cakrani.

 

Daut pasha më të tijnë,

 

Alush Frakullën të gjallë!

 

Dërgon taboret të vijnë,

 

Ndaj Azbiu me Mustafanë,

 

Do ken’ Veis benë në ndihmë,

 

Pusitë te bregu me thanë

 

Osmanllinjtë nuk e dijnë,

 

Bataretë të mos ja ndajnë..

 

Njohja e terrenit të forcave kryengritëse solli nga pozicionet e tyre betejë të shpejtë e zjarr të përqëndruar dhe për pasojë humbje të armikut. Por goditje të befasishme dhe të rrezikshme e realizuan Ismail Mekati dhe Bajram Muço.

 

Smaili tok me Barjamnë,

 

Hazër të presin me kuaj,

 

Prapa kavakëve të dalnë,

 

Dhe me një frymë nëpër duaj

 

Taborri me gjth’ nizamë,

 

Të mos e dijë nga të luaj,

 

Vetëtimë t’i marrin krahnë,

 

T’a ndihën edhe djemtë tuaj..

 

Taborët osmanë erdhën nga dy drejtime dhe ranë në pritën e parë, dhe gjatë tërheqjes u sulmuan nga kalorësia. Veç të vrarëve me goditje të befasishme nga shumë pika, armiku nuk dallonte zjarrin nga vinte, si dhe vatrat e reja të sulmit që lindnin në vende ku nuk e priste. Shumë prej tyre ranë rob dhe në panik e shpartallim të plotë.

 

Por masat e luftëtarëve myzeqarë e shihnin ngjarjen e luftës si abuzim me punën e tyre nga ana e klasës feudale.

 

-U bubu ç’ësht’ ky hiqmet,

 

Lufton bualli me një mizë,

 

Alush Frakulla në Myzeqet,

 

I bën llogoret me drizë..

 

Myzeqarët po luftojnë,

 

Nëpër shi e nëpër borë,

 

Jo si agallarët tanë,

 

Në të shirë e në të korrë..

 

Në vitin 1839, vit kur sulltan Abdyl Mexhdi hipën në fron, kështu që i takoi ti shpallte rregullore dhe reforma të reja që synonte mbijetesën mes konfkiteve të kombeve.

 

Do të realizohej rekrutimi i detyrueshëm ushtarak pa shpërblim. Kjo iu bë shqiptarëve kryengritës me një lloj hakmarrjeje, ku shërbimin e detyrueshëm ushtarak e vendosën në Jemen.

 

Mirjallà or tunjatjeta,

 

Me javash ato trumpeta,

 

Se shkojmë vëndeve të shkreta,

 

Të soset ymri dhe jeta..

 

 

 

Nga fillimi i vitit 1845 Stambolli e Padishahu, bëri amnisti duke u falur dënimet e internimit krerëve të Jugut shqiptar. Nga ata të mbetur gjallë spikatnin Çelo Picari dhe Zenel Gjoleka, tashmë në një koordinim të plotë me krerët e kazave të tjera, si ai mallakastriot Rrapo Hekali, që është njëkohësisht dhe djali i tezez së Ismail Mekatit. Por edhe vetë krerët e ardhur nga internimi si edhe ata që kishin mbajtur zjarrin ndezur, nuk mund ta imagjinonin se do të shkruanin në histori kryengritjen më të madhe luftarake të shekullit 19. Kuvendi i madh ndërkrahinor në formën e beslidhjes, u bë në vitin 1846 udhëheqja e kryengritjes, shkruan revista historike greke “O neos kuvaras” 1966. Kuvendi u mbajt në Picar të Kurveleshit, vëndlindja e Çelo Picarit.

 

Parësia dhe disa shqipëtarë me rëndësi janë në marrveshje me kryengritësit shqiptarë dhe të një mendimi me ata.. por askush prej tyre nuk u ngrit për tu vënë në krye si udhëheqës..

 

Ra tërmeti u tund mali,

 

Na erdhi Rrapo Hekali,

 

Vjen Gjoleka lab’ i Kuçe,

 

Fustanin mbi gju hajduçe..

 

Një nga krerët kryesorë kryengritës të Kazasë së Vlorës edhe Ismail Mekati. Por pushteti otoman kishte dhe mbështetësit e tij që kryenin punën e dovletit (shtetit) në radhët e klasës feudale renegate dhe në Berat gjendej i grumbulluar fuqimisht tek Hysen pashë Vrioni që ishte dhe kajmekami (prefekt) i Beratit. Ai ishte dora e fortë për zbatimin e dhunshëm të reformave të Tanzimatit dhe në veçanti të reformës ushtarake rekrutuese “Nizami xhedid”. Pikërisht një konsull i huaj në raportin e vet thekson dukshëm se; “Dhuna dhe keqpërdorimët e familjes së fuqishme të Vrionasve, janë ndoshta shkaku kryesor i kryengritjes së tanishme” Ai u kërkoi krerëve luftarakë mallakastriotas zbatimin me forcë të reformës, sidomos të asaj rekrutuese ushtarake, por që gjeti reagimin e menjëhershëm të krerëve. Duke i kërcënuar ai u deklaroi mallakastriotëve se do tu merrte jo vetëm djemtë nizamë, por dhe çupat!

 

Fjalën e mori fusha e luftës dhe ndeshja e parë mes kryengritësve, shumica nga Kazaja e Vlorës dhe taboreve osmanë me në krye vëllezërit e Hysen Pashës, Lamçe beu e Sulçe beu ndodhi një mbrëmje të verës 1847 në fshatin e Greshicës, ku lufta vazhdoi me gjakderdhje tre ditë. Forcat smokthinase u ndeshën të parat me humbje të mëdha, ndërsa Ismail Mekati me forcat e tij u fut në betejë ditën e dytë.

 

Moj Greshica maja-maja,

 

Për tre ditë u bë hataja..

 

Ngaqë Hysen pasha qëndroi me pak ushtarë larg betejës, arriti të largohej duke ndjekur një rrugë anës luginës së Vjosës, ku arriti në Fier. Por krejt i pasigurtë nën tmerr të asaj beteje që pa, shkoi me të shpejtë në Berat dhe u mbyll në kështjellë. Kjo bëri që forcat kryengritëse vlonjate në një luftë të jashtzakonshme të rrethonin Beratin dhe kështjellën, e cila mbi një shkëmb natyror krejt e papushtueshme nga tre anë e nga shkëmbinj thikë ka reliev tejet i thyer. Forcat mallakastriote zunë pritë për taborët që do të vinin në ndihmë nga Elbasani, ndërsa Çelo Picari dhe Zenel Gjoleka taborëve që do të vinin nga Janina.

 

Tragjas e Dukati shumë,

 

Dil o Kanina me vulë,

 

Kaza e Vlorës furtunë,

 

Asnjë nuk e lojti gurë..

 

Nga që forcat mekatase ishte me luftëtarë të rinj në shumicën e tyre, kërkonin të kalonin nëpër shkrepa për të dalë sipër mureve, por ushtarët e shumtë turq shtinin papushim. Këngët popullore na japin një tablo të përgjakshme të këmbënguljes kryengritëse.

 

Kalasë më të përpjetë

 

Ismail Mekati vetë,

 

I vente qishës së tretë,

 

Plumbat po vinin nga retë..

 

Shtrirë dhe Sadik Çelua mbet..

 

Urrejtja e Ismail Mekatit ishte e pafundme ndaj vetë Hysen pashë Vrionit dhe çdo gjë në këtë luftë lidhej me shkaktarin e humbjeve të Greshicës dhe tani të rrethimit të Beratit.

 

Djema plumbat u lodhë,

 

Ndaj do luftoni me kordhë,

 

Smail Mekati u thotë,

 

-Qishën nuk e merrni dotë,

 

Më lini të parin sotë,

 

T’ja ngjis jataganë më kokë..

 

Por humbjet në pjesën veriore ku ndodhej dhe porta kryesore ishin të mëdha që Kazaja e Vlorës po pësonte nën zjarrin e artilerisë armike.

 

Nuk pushuan të xhumanë,

 

Topat dhe gjylet varganë,

 

Tek port’ e kalasë kur vanë,

 

Bataretë bënin hatanë,

 

Katër djem mbytur në gjak,

 

Kishin mbetur mu në prak,

 

Tri të tjerë ranë më lark

 

Gjylet i muarr në bark..

 

Në kulmin e luftës vjen një forcë nga Gjirokastra me Hodo Ali Nivicën në komandë. Ky fakt tregonte më së miri për tensionin në shtabin qëndror kryengritës, por edhe këta luftëtarë që ishin të suskesshëm në luftën nga afër më jataganë, këtu nuk u përshtatën dot. Ata zunë vend në mes detashmentit të Ismail Mekatit dhe Beqir Velo Kaninës.

 

Duke e parë të pamundur futjen e njësive të mëdha luftarake në territoret filloi fuqishëm një zbarkim trupash me anë të flotës, që nga portet e Durrësit deri në Prevezë. Një gazetë ruse, Saint Petërburgskije që ndiqte me vëmendje kryengritjes njoftonte; “Porta e Lartë me notën e datës 2 gusht 1847 u bëri të ditur ambasadave të huaja se për një muaj brigjet e Shqipërisë që nga Preveza deri në Durrës do të jenë të bllokuara nga forcat detare turke.”

 

Dilte nevoja që krerët të takoheshin diku pranë Mesaplikut me të gjithë krerët kryengritës të Jugut shqiptar, pasi ata i kanë vendosur firmat në një kërkesë për ndihmë materiale mbretit gjerman të Greqisë, Oto fon Vitelsbah.

 

Letra daton më 15 gusht ku në krye të Mallakastrave firmos Rrapo Hekali, Kazanë e Delvinës, Zenel Gjoleka, Çelo Picari e Hodo Ali Nivica, ndërsa, Kazaja e Vlorës, më e madhja në numër me plot 45 krerë, bart në krye të saj nënshkrimin tre krerëve luftarakë, Hadër Sulo Kaninës, Mustafa Bimo Kaninës, Beqir Velo Kaninës, Muhamet Muços, Ismail Mekatit, etj. ku emrat e 89 krerët e kazave që kanë vendosur firmën e tyre në letër na i bëjnë të qartë burime të ndryshme historike, përfshi Oneos kuvaras 1966, Kosta Biri “Arvanites..”

 

Një çere e zezë ka rënë,

 

Te rrapi me dega tëndë,

 

Çelua do nisë kuvëndë,

 

Rixhaja aty tri pëllëmbë,

 

Jazari hazër me pëndë..

 

Mënyra e mosbesimit, që do të rezultojë e vërtetë nga Çelo Picari, arsyetohet me frikën që ka akoma nga dovleti Greqia, por dhe nga situatat kur ambasadorin grek e trajtuan turpshëm para pallatit perandorak në Stamboll, fakt që kish sjellë këto dy vende në prag të konfliktit.

 

-Morajtë nuk do e lënë,

 

Të ziret si kali në lëmë,

 

Mbretin si zot më këmbë,

 

Po futi Dovleti dhëmbë,

 

T’a qajn’Junan dhe vëndë..

 

Në të kundërt Zenel Gjoleka shpreh besim tek karakteri gjermanik dhe mundësitë e mbretit për mirnjohjen ndaj shqiptarëve në krijimin e shtetit grek, e cila duhet të kthehet në kohën e tyre të vështirë. Madje ai shkon më tej duke aluduar se një udhëheqës të tillë nuk e meritojnë grekët si ballkanas, jo ta imponojnë në veprimet e tij.

 

Gjoleka përveshi mëngë,

 

-Othoni vjen nga prusiëntë,

 

Se vënë dotë nën këmbë,

 

Mbretin një grusht me gdhënjë,

 

Zoti ja shkoftë ndër mëndë,

 

Të këthej kusurë më vëndë..

 

Në këtë çast ndërhyn Kazaja e Vlorës, ku përfaqësuesi Hadër Sulo Kanina debaton përsëri mbi nevojën për ndihmë materiale luftarake dhe këmbënguljen e kërkesës, si nevojë imediate. Ai madje paramendon se momenti historik që shqiptarët po tregojnë tërë energjitë e tyre, mund të rezultojë i pafat.

 

Hadër Resuli më këmbë,

 

-Halli i madh ne na ka zënë,

 

Morajtë mbren’ si e bënë?

 

Hodhën lumin me kal tënë,

 

Na iku me gjak e mund,

 

Vdekjen borxh kemi në fund,

 

Pa kalorësi këmbët tund..

 

Çasti historik, por dhe fusha e luftës që pret të korrë jetë njerëzish, i bën krerët kryengritës të mendojnë që tragjedive të tyre t’u përgjigjet e vërteta. Qoftë ajo e mirnjohjes së shtetit grek ngritur me gjak shqiptarësh. Pa ata shteti grek do të ishte një iluzion. Por mbilodhja dhe të vrarët nervozojnë krerët e Kazasë së Vlorës duke e quajtur padrejtësi historike mosmirnjohjen, të cilët e shprehin për mbretin gjerman të Greqisë fare ashpër..

 

Mekat ngriti zënë,

 

Bërtiti me tërsëllëmë,

 

Do ta bëjë dhe me një këmbë,

 

Se i kemi ngritur vëndë,

 

Vetë mbem’me shpirt ndër dhëmbë,

 

Dyfeqe duam, jo mëndë..

 

Këtu dodh e padëgjuara, krerët feudalë vlonjatë ofrojnë dhe të hollat që mund të bihen armët kur koha nuk pret, por si një fakt tejet domethënës i sakrificës për hir të atdheut, ky veprim shfaqet unik në historinë tonë.