Aktualitet

KQZ njofton datën, ç’do ndodhë me Agim Kajmakun? Precedenti, si iu hoq mandati Rehovicës së LSI dhe Rakipit të PDIU

By vizional

October 30, 2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi dje zyrtarisht shqyrtimin e përgjigjes së mbërritur nga Prokuroria e Përgjithshme për kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku. Përgjigjja e Prokurorisë së Përgjithshme për Kajmakun u është shpërndarë të 5 anëtarëve të KQZ-së për të shqyrtuar aktet. Sakaq, sot mësohet se KQZ do të mblidhet të premten paradite për të shqyrtuar çështjen.Gazeta “Panorama” ka siguruar shkresën e Prokurorisë që ka shkuar në KQZ. Prokuroria e Përgjithshme konfirmon se Agim Kajmaku është i njëjti person me Jorgo Toton, ndaj të cilit, në Greqi, në Gjykatën e Janinës ka pasur një procedim penal për përdorim dhe shpërndarje të parave të falsifikuara.

 

Megjithatë, sipas organit të akuzës, nga hetimet e kryera rezulton se më datë 13.09.2019 ka një vendim pafajësie ndaj Kajmakut. Bazuar në vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme të dërguar në KQZ, pafajësia e tij e bën që Kajmaku të mos jetë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të detyrës së kryetarit të Bashkisë së Vorës.

 

NJOFTIMI I KQZ PER MBLEDHJEN

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e premte, më datë 01.11.2019, ora 10:00, zhvillon mbledhjen me këtë rend dite:

 

Shqyrtimi i projekt-vendimit:

 

  1. “Shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme për funksionarin publik z. Agim Ymer Kajmaku, me funksion Kryetar i Bashkisë Vorë, Qarku Tiranë, në zbatim të ligjit nr.138/2015 ”Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.​

 

PRECEDENTET

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka krijuar dy precedentë të ngjashëm me rastin e kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku.

 

Një herë me heqjen e mandatit të deputetit për Aqif Rakipin dhe një herë për heqjen e mandatit të deputetit Gledian Rehovica. Në të dyja rastet, Prokuroria provoi se ata kishin fshehur ndalime apo dënime jashtë vendit në formularin e dekriminalizimit dhe KQZ vendosi t’u heqë mandatin.

 

Edhe Gjykata, kur vendimi i KQZ u animua nga ish-deputeti Aqif Rakipi, la në fuqi vendimin për heqjen e mandatit. Më 5 janar të vitit të kaluar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me 5 vota pro, pranoi kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila pas verifikimit të shenjave të gishtërinjve i akuzoi dy deputetët se me emër të rremë janë ndaluar në shtetin italian rreth 20 vite më parë.

 

Ndonëse Rakipi ankimoi vendimin në Gjykatë, pasi paraqiti vendimin për pafajësinë, kjo e fundit la në fuqi vendimin e KQZ-së me arsyetimin se Rakipi kishte mashtruar në formularin e vetëdeklarimit, duke mos pasqyruar se kishte qenë ndonjëherë i arrestuar/ndaluar nga autoritetet ligjzbatuese.

 

Sakaq, në një deklaratë për mediat ditën e djeshme, sekretari për çështjet ligjore i PD-së, Çlirim Gjata, tha se kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku, duhet të arrestohet për shkak të deklarimit të rremë në formularin e vetëdeklarimit.