Lajme

KOSOVA SHTET I DYTË/ (Më mirë shtet mëvehte se sa provincë e Shqiperisë?) Nga Nik Kryeziu

By vizional

April 07, 2019

(Më mirë shtet mëvehte se sa provincë e Shqiperisë?)

 

Disa mendime mbi një shkrim në VOA të Mehmet Krajës

 

Në të fundit pavarësisht nga mbulesat vezulluese apo muri ndarës, ai i ngrituri më parë dhe ai që po mundohen ta ngrenë me arsyet gjoja të një dialektike historike, apo në analiza dhe të shruara librash, është se trojet shqipëtare si dhe populli shqipëtar kanë qenë dhe janë një. Pavarsisht nga ndarjet territoriale dhe ato politike, kombi ka funksionuar si një. Si para dhe pas Jugosllavisë. Se ka më shumë të vërteta historike dhe kulturore qe na mbajnë bashkë, se sa ato që na ndajnë. Këtë e vulos jo vetëm etnia e njejtë, por një histori e tërë. Gjuha! Dhe nuk ka se si, që për një arsye apo një tjetër, cilado qoftë, këto tridhjetë vitet e fundit, me një farë mëvetësie të kontrolluar, të keqe apo të mirë, sigurisht jo të përsosur, ta ndryshojë këtë. Kosova, krahinë apo shtet, nuk është republike Baske, as Austri. Ka qenë dhe është e Shqipërisë. Është Shqipëri. Jo për mitologji por në gjak dhe për gjak. Për atë që rrjedh dhe për atë q’u derdh.

 

Mehmet Kraja, diku andej nga fundi i një interviste ne VOA, pasi ka pranuar disa nga faktoret e këtij uniteti, të cilët qëndrojnë, arrin në disa përfundime të çuditshme dhe të gabuara, dhe pse në pamje të parë me “asnjanjësi parimore”. Sipas tij çka ka mbetur të diskutohet “është intensiteti i integrimeve brenda botës shqiptare dhe modernizimi i disa pikëpamjeve recidiviste”, të cilat shkurt janë:

  1. Shqipëria nuk duhet ta shohë Kosovën si provincë, (sikur e mjera të ish perandori), për t’u aneksuar.
  2. Se Kosova në këtë njëjtësim ka një rang të barabartë, si shtet!

 

“Ta zëmë, Shqipëria nuk duhet ta shikojë më Kosovën si provincë të saj (ka mundur të ishte, por nuk është më, kjo ka marrë fund!) dhe as idenë për bashkim kombëtar ta kultivojë përmes pikëpamjeve aneksioniste dhe identitetin e saj lokal, të ngritur tashmë në identitet shtetëror (pra, jo kombëtar) ta shikojë si identitet të “nivelit të dytë”.

 

Kush vallë e ka parë Kosovën kështu veç Sërbisë dhe aleatëve të saj. Shqipëria, në ndërgjegjjen dhe ndërgjegjësimin e saj kombëtar e ka konsideruar si pjesë të trupit, të pandarë dhe të patjetërsueshme. Apo ndoshta krenaria lokale, të cilën e përmend disa herë autori, u ka zënë sytë atyre që e mendojnë, se është fare e paqenë. Pa asnjë bazë. Nuk e kuptoj në emër të ç’vetulle kërkojmë të nxjerrim sytë! Se as disa politikanë nuk mund të shtrojnë alternativa të tilla as të pretendojnë se përfaqësojnë popullin, se janë thjesht dokra antikombëtare. Dhe se “avancimi” i këtyre pikpamjeve … (??)

 

“Një avancim i këtillë i pikëpamjeve dhe botëkuptimeve recidiviste në Shqipëri e ndihmon integrimin shqiptar dhe krijon parakushte që të braktisen idetë subversive dhe dezitegruese, siç është ndarja e Kosovës, apo krijimi i një kombi të ri.”

 

“Rinjësimi i Gjermanisë më 1989/90 shkaktoi shumë ankth nëpër botë. Pamja e turmave pafund në Leipzig duke valëvitur flamurin kombëtar dhe duke dëgjuar të oshëtijë “Deutschland, einig Vaterland!”—“Gjermania një atdhe” zgjoi kujtime të pakëndshme…. Kur vetëm disa vjet më parë, përpara rinjësimit, vëzhguesit e shpallnin Gjermaninë si një shoqëri “paskombëtare”, ku identitetet lokale dhe krahinore dhe ndjenjën e përgjithshme e të qënit Europian e kishin zëvendësuar përgjithësisht identitetin kombëtar të së kaluarës.”(*)

 

Llogjika ta do, që s’ka pse të ndodhe ndryshe. Fijet e padukshme në dhe të nëndergjegjjes kombëtare mbeten të pakëputura ndër shekuj, në mos në jetë të jetëve. Ne vetë jemi pikërisht dëshmi e pakundërshtueshme e kësaj dukurie. Është ky faktor, që edhe pse përmendet si “arketipi” i kombeve shpesh i harrohet si forca ashtu edhe pesha e rëndesës që ka dhe ka pasur në historinë e shoqërisë njerëzore, me një rol kryesor dhe jo dytësor.

 

Meti shkruan:

“Besoj se në këtë pikë tashmë janë ndarë rolet dhe kohët: shqiptarët e konsiderojnë të tyre antikitetin e Kosovës dhe në njëfarë mënyre serbët janë pajtuar me këtë; serbëve ju takon mesjeta kishtare, bashkë me mitet dhe legjendat kalorësiake dhe shqiptarët në njëfarë mënyre janë pajtuar për këtë;

 

Shqiptarëve mesjeta u përket edhe pse dyndjet sllave arritën të mbërrinin deri në Ohridë në kohën e Bizantit, treva e ruajti identitetin e saj deri në kohe të Gjergj Kastriotit edhe pse nuk qe një mbretëri gjitharbërore. Gjuha dhe kultura etnike e vërteton katërcipërisht këtë. Po ashtu dhe nën perandorinë Osmane. Lidhja e Prizerenit përsëri flet për të kundërtën e asaj që shkruhet më sipër. Kosova e pandarë ish vilajet mëvete. Jo, ne nuk jemi pajtuar kurrë me asnjë sa më lart, se na përkasin si antikiteti, po aq mesjeta e kishave aq dhe e nesërmja. Ne kemi qenë ne si në antikitet, por shumë më tepër në mesjetë! Nacionalizmi shqiptar nuk ka qenë kurrë krijim i romantizmit të shekullit të nentëmbedhjetë, por qysh në gen. Ndryshe nuk ka si shpjegohet gjuha përkundrejt gjithë fatkeqesive historike.

 

Për të arritur në përfundimin e zotit Kraja se:

“Tani për tani, dy shtete shqiptare në Ballkan dhe një shtet tjetër ku shqiptarët participojnë me pjesëmarrje të konsiderueshme, janë zgjidhje e pranueshme për të gjithë shqiptarët. Problemet e mbetura pezull ka shumë gjasë të zgjidhen përmes integrimeve dhe komunikimit intensiv.”

 

Dy shtete shqiptare në Ballkan është një absurditet i rallë në historinë njerëzore, dhe përçudni e përçudnuar është për më tepër, ideja e dykombësive. Sa Aristofani do të ngrihej nga vari të shkruante peë të një “grerëzë” të re për te konkuruar për çmimin Kadare, por zgjeti thuajse asnjë të dilte të këndonte në korin e tij, por dhe një që gjeti, kish zë të çjerrë.

 

“Oh me një të rënë a mund ndonjë zot,

Në një re tymi të më ktheje dot

Si fjalët e politikanëve të ngrihem

në vlagë t’ajrit në qiell të ngjitem.”

(50, Akti Parë, Skena e Parë, Grerëzat nga Aristofani)

 

Integrimi dhe komunikimi intensiv pritet të vijë nga kush? Është e lehtë të bëjmë anatema për reziqe e gurë, (apo t’i vëmë dhe vete) që do n’a pengojnë të ecim në udhën tonë, por jemi ne ata që në të vërtetë jemi tharmi i një njësimi apo rinjësimi kombëtar, (mendimtarë a gjithkush),se në të vërtetë s’kemi qenë të ndarë kurrë! Gjithmonë NJË!

 

PS Shumë i nderuar zoti Mehmet Kraja, ndoshta dhe jemi të një mendje, se dhe jemi, por do të doja të sqaroja sado pak ato ide që aty këtu zbehen apo çojnë në ndonjë përfundim të gabuar apo dhe qoftë në dymendje. Përshëndetje!

 

Nik Kryeziu

 

* REREADING GERMAN HISTORY From unification to reunification 1800–1996 Richard J.Evans, First published 1997, Routledge.

 

ea 4/6/2019 all the rights and copyrights are protected!