Lajme

Kosova dhe Shqipëria presin UEFA-n për Kupën “Nëna Terezë”

By vizional

February 08, 2020

Federata e Futbollit të Kosovës dhe Federata Shqiptare e Futbollit janë duke punuar për realizimin e nismës për krijimin e një gare të futbollit, të quajtur Kupa “Nëna Terezë”, në të cilën do të merrnin pjesë të gjitha klubet e futbollit nga Shqipëria dhe Kosova.

Ndërkohë, zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës, shprehen se ky format i garës do të përfshijë të gjitha ekipet që janë të regjistruara në dy federatat e futbollit, në Kosovë dhe në Shqipëri, të cilat do të nisin garën që nga faza e parë, për të vazhduar drejt eliminatorëve.

Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, shprehet se në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, kërkesa për lejimin e kësaj gare është dërguar në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA).

Lidhur me këtë nismë të dy federatave të futbollit, të Shqipërisë dhe Kosovës, i ka shkruar UEFA-s, për të kuptuar nëse ka nisur shqyrtimi eventual. Pritet që të gjitha këto t’i përcaktojnë të dy grupet punuese që do të punojnë në emër të FFK-së dhe FSHK-së.

Nismën për Kupën “Nëna Terezë” e kanë bërë publike krerët e të dy federatave të futbollit, të Kosovës dhe të Shqipërisë, në dhjetor të vitit të kaluar, duke deklaruar se tashmë e kanë dërguar projektin në UEFA. Deri më tani, kjo e fundit nuk u ka kthyer ndonjë përgjigje zyrtare dy federatave, të cilat synojnë realizimin e këtij projekti