Kongresmenët në Tiranë, takojnë dy presidentët Nishani dhe Meta

Kongresmenët në Tiranë, takojnë dy presidentët Nishani dhe Meta

422
0

Një delegacion kongresmenësh amerikanë, kryesuar nga kryetari i komisionit të çështjeve ligjore, Bob Goodlatte kanë mbërritur për një vizitë zyrtare në Tiranë, ku kanë zhvilluar takime me krerë të lartë të shtetit dhe politikës.
Ata janë takuar mëngjesin e të mërkurës me presidentin e Republikës Bujar Nishani, ku në fokus të takimit ka qenë situata politike në Shqipëri dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në kushtet kur partitë politike janë gati për të nisur fushatën për zgjedhjet e 18 qershorit ndërsa opozita do t’i bojkotojë ato.Sipas njoftimit të Presidencës, Kongresmenët amerikanë kanë diskutuar me presidentin Nishani edhe për ecurinë e reformës në drejtësi, rëndësinë e shtetit ligjor, shqetësimin për dukurinë e kanabisit dhe trafikut të drogës, krimit të organizuar por edhe rreth buxhetit financiar për shpenzime ushtarake dhe mbrojtjen. Delegacioni me 7 kongresmenët amerikanë vlerësoi edhe rolin institucional dhe përkushtimin e Presidentit Nishani në ndërmjetësimin e dialogut mes 2 palëve kryesore politike në vend. Pas takimit me Nishanin, kongresmenët janë takuar për 45 minuta në kryesinë e kuvendit edhe me presidentin e zgjedhur Ilir Meta.Gjatë takimit palët biseduan për zhvillimet më të fundit politike në vend, me fokus të veçantë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, reformën zgjedhore, zbatimin e reformës në drejtësi, rritjen e buxhetit në fushën e mbrotjes në kuadër të NATOs dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Palët diskutuan edhe për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Vëmendje e veçantë iu kushtua trafikut të lëndëve narkotike dhe kultivimit masiv të drogës në vend.Kreu i Kuvendit theksoi se pavarësisht sfidave, Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj axhendës së saj euroatlantike. Delegacioni I Kongresit amerikan përbëhej nga kongresmenët Bob Goodlatte, Steve King, Dave Trott, Matt Gaetz, Peter DeFazio, David N. Cicilline, të cilët në takimet zyrtare u shoqëruan nga ambasadori Donald Lu.

Delegacioni u takua edhe me ministrin e punëve të jashtme Ditmir Bushati, i cili i informoi mbi ecurinë e reformave në vend, kryesisht për reformën në drejtësi.

Në orën 17.00 ata do të takohen në selinë e PD edhe me kreun e opozitës Lulzim Basha. Delegacioni nuk parashikohet të takohet me kryeministrin Rama. Kjo vizitë vjen pak ditë përpara se Tiranën zyrtare pritet ta vizitojë zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, i cili pritet të sjellë një mesazh final të Uashingtonit për ngërçin politik në vend.