Konflikti mes dy pronarëve në Tiranë, banorët e pallatit në protestë: Punimet...

Konflikti mes dy pronarëve në Tiranë, banorët e pallatit në protestë: Punimet kanë ngecur, ne kemi blerë hyrjet. Rama të na ndihmojë

342
0

Banorët e pallatit në ndërtim nga dy biznesmenët Sino Llanaj dhe Albert Allmuça janë ngritur këtë të shtunë në protestë, për shkak se kanë blerë hyrjet e tyre dhe ende nuk janë futur brenda. Ata thonë se prej dy vitesh punimet në pallat kanë ngecur, pasi dy pronarët janë futur në konflikt me njëri-tjetrin.

Gazetari Osman Stafa ishte sot pranë banorëve, të cilët treguan shqetësimet e tyre për mikrofonin e News24. Ata thanë se i kanë blerë hyrjet që në vitin 2017, por ende nuk janë futur, ndërsa i bëjnë thirrje kryeministrit Edi Rama, që t’i ndihmojë për të drejtën e tyre.

 

Banorja e parë: Nga 2018 deri më tani punimet këtu janë si milingonat. Ne kemi blerë hyrjet, kemi dhënë lekët dhe nuk dimë gjë tjetër. Ne banorët i kemi të regjistruara në hipotekë. Ndërkohë, nga avokatja dëgjojmë që Llanaj nuk kishte të drejtë të shiste hyrje. Ne nuk e dimë çfarë do të bëhet me ne tani.

 

Banorja e dytë: Unë e kam blerë hyrjen në vitin 2017. Kërkojmë të futemi në shtëpinë tonë, ku kemi derdhur djersën e gjakun tonë. Avokatja e pronarit tha se aty nuk banon njeri, por siç shihet aty banojnë të tjerë. Në kontratën që kam lidhur unë me Llanaj shpk janë të dyja firmat, edhe e këtij, edhe e pronarit tjetër. Zotëria tjetër thotë që nuk e njeh kontratën. Ne i kemi bërë thirrje kryeministrit të ndërhyjë për të drejtat tona. Vërtet ne kemi blerë në privat, por ky privat e ka marrë lejen në shtet. Jemi 120 familje, por ka nga ato që kanë pasur miq, që janë futur nga pronari tjetër.