Vizioni Juaj Informativ

Komisioni i Jashtëm i PE miraton raportin për Shqipërinë: Zgjedhjet e 11 majit konkurruese, por të polarizuara

Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian ka vlerësuar “angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për anëtarësim në BE” në një raport të miratuar të mërkurën. Eurodeputetët theksojnë konsensusin e gjerë politik të Shqipërisë dhe mbështetjen e fortë publike për anëtarësimin në BE, së bashku me përputhjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Raporti u miratua nga Komiteti i Punëve të Jashtme me 57 vota pro dhe 11 kundër, me 6 abstenime.

Raportuesi austriak Andreas Schieder nënvizon se Shqipëria është tashmë një shtet pararojë me reformat integruese me objektiv anëtarësimin e vendit në familjen evropiane brenda vitit 2030, megjithatë ende nuk është arritur vija e finishit. Në raport bëhet thirrje për miratimin e reformave të rëndësishme, ndalimin e ndërhyrjeve të huaja – si ajo ruse – për frenimin e procesit të anëtarësimit të vendit në BE, si dhe për më shumë dialog politike.Sa i përket zgjedhjeve, përmendet fakti se ato ishin konkurruese, por të zhvilluara në një mjedis të thellësisht të polarizuar, me shqetësime për përdorimin e burimeve  administrative.

Nevojë urgjente për thellimin e reformave

Duke përshëndetur synimin e Shqipërisë për të përmbyllur bisedimet e anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe progresin e arritur deri tani, eurodeputetët theksojnë nevojën urgjente për të intensifikuar reformat. Prioritetet kryesore përfshijnë forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Forcimi i pluralizmit mediatik dhe transparencës mbetet thelbësor për të ndërtuar besimin e publikut.

 

Dialog politik dhe lufta kundër ndërhyrjeve të jashtme

Raporti vëren se polarizimi politik vazhdon të jetë i theksuar dhe i shoqëruar me retorikë përçarëse, duke bërë thirrje për dialog politik më konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Eurodeputetët shprehin shqetësim serioz për ndikimin e huaj keqdashës, veçanërisht nga burime të lidhura me Kremlinin, që kërcënojnë institucionet demokratike të Shqipërisë dhe përpjekjet për anëtarësim në BE. Ata bëjnë thirrje për rritjen e qëndrueshmërisë institucionale ndaj abuzimeve me financimin politik, manipulimeve mediatike dhe kërcënimeve kibernetike.