“Prioritet rrugët, shkollat dhe vendet e punës”
Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë në qarkun e Kukësit për zgjedhjet e kësaj vere, znj. Mimi Kodheli zhvilloi një takim me gratë e Hasit, ku prezantoi dhe kandidatin për deputet në këtë zonë, z. Agron Gecaj. Në fjalën e saj, Kodheli, nën një atmosferë festive falenderoi gratë pjesëmarrëse, si dhe vlerësoi rolin e tyre të rëndësishëm në familjet shqiptare, sidomos në një zonë të tillë të vështirë siç është ajo e Hasit. Kodheli u premtoi grave hasjane se mandatin tjetër kjo qeveri do të hapë më shumë vende të reja pune për to, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre si dhe traditën e mrekullueshme të kësaj zone në punimet artizanale. “Më së pari më shumë vende pune për gratë, prandaj i kemi projektuar bashkë me kandidatët për deputetë të mundësojmë dhe të rikthejmë një traditë të humbur të grave të Kukësit dhe të Hasit, prodhimet e qylymave, sixhadeve që shkonte e gjitha për eksport dikur. Sot kanë humbur traditat, kanë humbur ato që kanë ditur ta bëjnë këtë profesion, megjithatë nuk ka humbur dëshira e grave të kësaj treve për t’u rikthyer akoma më fuqishëm në tregun e brendshëm edhe të jashtëm, me prodhime që do të nderojnë këtë vend dhe që do t’i japin punë edhe frymë ekonomisë së Hasit”, tha Kodheli.
Duke u ndalur sërish te gratë, Kodheli nënvizoi faktin se ajo çfarë ka bërë qeveria Rama në këto katër vite do të hyjë në histori. “Ne sot kemi një qeveri me 50 % të ministrave gra. Eshtë hera e parë në historinë 100-vjeçare të shtetit shqiptar që një raport i tillë ndodh, që nuk është shumë por pa dyshim që është shumëçka, sepse pak vende edhe në Europën e zhvilluar e kanë këtë. Sot, ka një ministër Mbrojtje grua për herë të parë në historinë e Ministrisë së Mbrojtjes 104-vjeçare. Sot, ka rreth pothuajse 30% gra në Parlamentin shqiptar. Kjo mund të duket diçka normale në Shqipërinë e sotme, por është absolutisht anormale në shumë vende që kanë një demokraci shumë më të vjetër se kjo e jona. Sot në Has nga 250 mësues, 171 janë gra edhe vajza. Kjo tregon për forcën e jashtëzakonshme të grave hasiane. Sot në Has kemi një kryetare partie grua, të cilën dua të përshëndes e ta falenderoj. Sot kemi kryetare të FRESSH-i një vajzë, të bukur e të zonjën”, shtoi znj. Kodheli.
Njëherësh Kodheli u bëri thirrje banorëve të kësaj zone që të mos merren më politikën e televizioneve por të shohin gjërat e prekshme që do të bëhen shumë shpejt realitet. “A do të na duhet shumë kohë që ta bëjmë Shqipërinë që duam ndryshe? Mbase shumë, mbase brezi im nuk do ta gëzojë atë Shqipërinë e mrekullueshme që e ëndërrojnë të gjithë. Por unë besoj se të gjitha ne duhet ta mësojmë njësoj dhe të jemi në një fjalë kur flitet për gjëra shumë të rëndësishme, që i tejkalojnë ngjyrimet politike, që i tejkalojnë partitë dhe problematikat e politikës së korridoreve që nuk kanë fare të bëjnë me shqetësimet e përditshme të qytetarëve e qytetareve hasianë. Lërini politikanët të bëjnë politikë në ekranet e televizorit. Unë kam ardhur këtu që të bëj disa gjëra të prekshme, të mira në shërbim të të gjithëve ju”, tha Kodheli. Në përfundim të fjalës së saj, znj. Kodheli përmendi edhe njëherë vlerat e veshjeve tradicionale të kësaj zone, të cilat duhet të ruhen me fanatizëm nga të gjithë brezat. Nga ana tjetër ka garantuar se me mbështetjen e PS dhe të kryeministrit Edi Rama, bashkëpunimin e drejtuesve dhe komunitetit vital të Hasit, kjo zonë do të ndryshojë rrënjësisht. Ndërsa në fjalën e tij, kandidati për deputet, z. Agron Gecaj vlerësoi punën e bërë nga qeveria Rama gjatë mandatit të parë qeverisës për Hasin, dhe projektet për të ardhmen. “Të gjithë e dimë për investimet që janë bërë në Has në këtë katër vjeçar, duke filluar nga rruga Kukës-Krumë, ku me insistimin e prefektit të Qarkut Kukës u bë e mundur asfaltimi dhe rehabilitimi i plotë i saj. Gjithashtu investime të tjera janë bërë edhe në shumë rrugë rurale. Me ndihmën e zonjës së nderuar, ministres Kodheli ne do të bëjmë të mundur ndërtimin e një ure, e cila do t’i shërbejë banorëve të dy fshatrave. Gjithashtu ivestime janë bërë edhe për ndërtimin e disa ujësjellsave të rinj”, tha ai. Në fund të fjalës së tij, kandidati Gecaj u shpreh se prioritet në 4 vitet e ardhshme janë dhe investimet në disa shkolla si dhe asfaltimi i të gjitha rrugëve rurale që lidhin fshatrat me rrugën nacionale.