Klubi i Kukësit sqaron tifozët për largimet e titullarëve.

Klubi i Kukësit sqaron tifozët për largimet e titullarëve.

25
0

Largimet e shumta të ditëve të fundit krijuan shqetësim mes tifozërisë së Kukësit, por ka qenë vetë klubi verilindor që ka reaguar nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ku ka bërë thirrje për qetësi.

Klubi ka theksuar se me përjashtim të Besar Musollit dhe Valon Et’hemit, që kanë prishur kontratën në mënyrë të njëanshme, të gjithë të tjerët janë larguar me marrëveshje me drejtuesit e skuadrës.

Gjithashtu klubi zbulon se largimet e ditëve të fundit kanë qenë të menduara mirë nga ana e drejtuesve dhe trajnerit, që po bëjnë një punë shumë të madhe për të kompletuar ekipin me të tjerë futbollistë.

Ndërsa në fund të deklaratës theksohet se edhe këtë sezon objektivi i Kukësit do të jetë rikthimi te titulli kampion dhe se po punohet për të ndërtuar një skuadër të denjë për këtë synim madhor.

Deklarata e Kukësit:

“Klubi i Kukësit ju bën me dije se merkatoja e skuadrës është menduar mirë nga stafi dhe nuk ka vend as për panik dhe as për frikë. Të gjithë futbollistët e larguar deri më tani, janë larguar me mirëkuptimin e klubit dhe janë zëvendësuar me futbollistë të tjerë, cilësorë dhe me kualitet. Besar Musolli dhe Valon Et’hemi janë futbollistët e vetëm që nuk kanë respektuar kontratën duke e prishur në mënyrë të njëanshme, pa diskutuar me klubin.

Të gjithë futbollistët e afruar në këtë merkato vere, janë studiuar mirë nga stafi para se të afrohen dhe klubi kërkon vetëm durim nga tifozët dhe opinioni. Ju sigurojmë se shumë shpejt do të shihni ekipin e ri, më të fortë dhe më kualitativ seç ishte! Puna po bëhet e madhe për të rikthyer titullin kampion në Kukës dhe me punë e besim, do t’ia dalim ta rikthejmë. Forca Kukësi!”.

 

 

loading...