
Aston Villa dhe Brightoni i kanë dhuruar mbi 1000 vakte ushqimore për njerëzit e pastrehë, pasi koronavirusi bëri që ndeshjet e tyre në Premierligës të suspendohen për këtë fundjavë dhe atë të ardhshme.
Të premten në mesditë u lajmërua se dy xhirot e ardhshme të Premierligës janë vendosur të suspendohen, përderisa deri më 3 prill u suspenduan edhe të gjitha nivelet e tjera të futbollit në Angli
Premierliga fillimisht kishte insistuar që ndeshjet të vazhdonin ashtu siç ishte planifikuar fillimisht, edhe me tifozë në stadiume, por pastaj u mbajt takim urgjent pasi trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, doli pozitiv në testin për këtë virus.
Edhe Aston Villa e edhe Brighton supozohej të ishin vendas për ndeshjet e së shtunës në Premeirligë – Villa e priste Chelsean, që tani ka dalë se sulmuesi i tyre Callum Hudson-Odoi është me koronavirus, përderisa Brighton do të luante kundër Arsenalit, të cilëve iu infektua trajneri.
Megjithatë, në vend se t’i lejojë t’i shkojnë kot përgatitjet për këto ndeshje, të dyja klubet kanë vendosur që ta dhurojnë ushqimin e stadiumit, që planifikohej të përdorej për ndeshjet, për shoqatat bamirëse që u ndihmojnë njerëzve të pastrehë.
Në Britani kanë vdekur 21 persona shkaku i koronavirusit, përderisa në Itali, vendin evropian të prekur më së shumti nga ky virus, kanë vdekur shkaku i këtij virusi 1441 njerëz, ndërsa 21,157 të tjerë janë infektuar.