Këshilli Koordinues i i Diasporës i kërkon Kancelares Merkel liberalizimin e vizave...

Këshilli Koordinues i i Diasporës i kërkon Kancelares Merkel liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës

23
0

Në fillimi i këtij muaji Gjermania e ka marrë presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian. Me këtë rast, Këshilli Koordinues i Diasporës (KKD) i ka dërguar Kancelares  gjermane Angela Merkel urimet më të mira si dhe kërkon angazhimin e saj për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Letra e KKD drejtuar Kancelares Merkel është posstuar në rrjetet e tij sociale edhe nga filantropi e biznesmeni i njohur, Lazim Destani, njëherësh anëtar i KKD dhe firmëtar i letrës.

 

 

“Shtetasit e Republikës së Kosovës janë të vetmit në Evropë që nuk mund të udhëtojnë në Zonën Schengen pa viza, edhe pse Institucionet shtetërore të këtij vendi i kanë plotësuar detyrat e caktuara nga Bashkimi Evropian për këtë qëllim. Për më tepër, Komisioni Evropian e ka dhënë pëlqimin për liberalizimin e vizave. Ky kufizim i lëvizjes nuk prek vetëm shtetasit e Republikës së Kosovës por edhe anëtarët e familjeve të tyre që janë nënshtetas të vendeve ku aplikohet sistemi i vizave Schengen. Vetëm në shtetet ku flitet gjuha gjermane (Gjermani, Austri, Zvicër) jetojnë më shumë se 700,000 shqiptarë nga Kosova. Pamundësia e vizitave të rregullta për familjet e tyre nga Kosova ndikon në të drejtën e tyre themelore për jetë familjare, e drejtë që mbrohet nga Konventa Evropriane për të Drejtat e Njeriut”, shkruhet ndër të tjera në lerën e firmosur nga 15 anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës:

 

Letra e plotë drejtuar Kancelares Merkel:

 

KËSHILLI KOORDINUES I DIASPORËS                                       13 Korrik 2020

 

Bundeskanzlerin Dr. Angela Merkel

Bundeskanzleramt

Willy-Brandt-Straße 1

10557 Berlin

 

E nderuar Zonja Kancelare Dr. Angela Merkel,

 

Ju shkruajmë si Këshill Koordinues i Diasporës, Institucion shtetëror që përfaqëson interesat e diasporës shqiptare me banim në vende të ndryshme të botës.

 

Sfidat me të cilat përballet Bashkimi Evropian, posaçërisht në këtë periudhë pandemie, janë të mëdha dhe ne jemi të bindur se nën udhëheqjen Tuaj do të jemi në gjendje t’i kalojmë ato me sukses.

 

Zonja Kancelare, përmes kësaj letre dëshirojmë gjithashtu angazhimin Tuaj për liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës.

 

Shtetasit e Republikës së Kosovës janë të vetmit në Evropë që nuk mund të udhëtojnë në Zonën Schengen pa viza, edhe pse Institucionet shtetërore të këtij vendi i kanë plotësuar detyrat e caktuara nga Bashkimi Evropian për këtë qëllim. Për më tepër, Komisioni Evropian e ka dhënë pëlqimin për liberalizimin e vizave.

 

Ky kufizim i lëvizjes nuk prek vetëm shtetasit e Republikës së Kosovës por edhe anëtarët e familjeve të tyre që janë nënshtetas të vendeve ku aplikohet sistemi i vizave Schengen. Vetëm në shtetet ku flitet gjuha gjermane (Gjermani, Austri, Zvicër) jetojnë më shumë se 700,000 shqiptarë nga Kosova. Pamundësia e vizitave të rregullta për familjet e tyre nga Kosova ndikon në të drejtën e tyre themelore për jetë familjare, e drejtë që mbrohet nga Konventa Evropriane për të Drejtat e Njeriut.

 

Ne shprehim besimin që liberalizimi i vizave do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në respektimin e të drejtave themelore të njeriut por edhe në ekonomi, kulturë si dhe në procesin e negociatave me Serbinë, proces në të cilin Bashkimi Evropian ka një rol të pazëvendësueshëm.

 

Jemi shumë mirënjohës që Ju personalisht dhe Gjermania, po e mbështesni prej kohësh liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe shpresojmë që gjatë Presidencës Gjermane të Këshillit të Bashkimit Evropian, kjo gjë të bëhet realitet.

 

Duke ju uruar mbarësi dhe suksese të mëtejshme, mbetemi në pritje të përgjigjes Suaj pozitive.

 

Ju lutemi Zonja Kancelare, pranoni përshëndetjet tona të sinqerta dhe konsideratën më të lartë.

 

Anëtarët e Këshillit Koordinues të Diasporës:

 

Dr.h.c. Lazim Destani……………. Gjermani

Prof. Dr. Sokrat Sinaj…………….. Zvicër

Anila Hyka Smorgrav……………. Francë

Ardian Lekaj………………………… Holandë

Rosario Petta………………………… Itali

Dr. Gazmend Kapllani…………… Greqi

Brikena Muharremi……………….. Britani e Madhe

Endri Hatillari………………………. Britani e Madhe

Dr. Adriana Fishta-Bejko………. Kanada

Ardian Radovicka…………………. Kanada

Mark Gjonaj…………………………. SHBA

Visar Tasimi…………………………. SHBA

Esmeralda Mosko………………….. SHBA

Bashkim Bekiri……………………… Australi

Namik Shabi…………………………. Turqi

Adresa postale: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 1.1000, Tiranë, Shqipëri

 

Email: info@keshillikoordinuesidiaspores.com

 

http://keshilli.koordinues.diaspora.gov.al/