Diaspora

KËSHILLI I DIASPORËS NË TIRANË, LAZIM DESTANI: PO REALIZOHET ËNDRRA E SHQIPTARËVE. KRIJOHET DHE DHOMA E BIZNESIT TË DIASPORËS SHQIPTARE

By vizional

December 21, 2019

Axhenda e ditës së dytë të Këshillit Koordinues të Diasporës, si dhe e gjithë aktiviteteve 48-orëshe në Shqipëri, u përmbyll me një koneferencë për mediat, ku publiku u informua mbi ecurinë e takimit të parë dhe zyrtar të këtij këshilli. “Këshilli njihet zyrtarisht nga shteti shqiptar dhe do të punojë në disa tema kryesore, si votimi i diasporës në zgjedhjet e ardhshme, dyshtetësia, dhe përfshirja e përfaqësuesve të diasporës në institucionet e shtetit shqiptar”, tha kryetari i sapozgjedhur, Mark Gjonaj.

 

 

Krahas tij, anëtarë të Këshillit Koordinativ të Diasporës janë Lazim Destani nga Gjermania, Ardian Radovicka dhe Adriana Fishta Bejko, përfaqësues të diasporës shqiptare në Kanada, Visar Tahsimi nga SHBA, Endri Hatellari dhe Brikena Muharremi nga Britani e Madhe, Sokrat Sinaj nga Zvicra, Anila Hykaj nga Franca dhe Gazmend Kapllani, i cili përfaqëson Greqinë. Aktivitetet e ditës së dytë të Këshillit të Diasporës nisën me takime me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, deputetë, Kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe Kryetarin e Partisë Demokratike, Z.Lulzim Basha.

 

Lazim Destani: Po realizohet ëndrra e diasporës, të bëjmë më shumë për atdheun

 

Filantropi dhe biznesmeni Lazim Destani, njëkohësisht anëtar i KKD-së, e ka përmbledhur në pak rreshta, në profilet e tij sociale, aktivitetin e ditës së dytë, duke shprehut kënaqësinë dhe optimizmin e tij.

 

“Jam i gëzuar që ëndrrat e shqiptarëve të Diasporës po realizohen. Jemi të bashkuar e të organizuar. Për dy ditë me radhë, Këshilli Koordinues i Diasporës u mblodh në Tiranë, ku bashkërisht takuam drejtuesit e shtetit shqiptar, diskutuam së bashku me ta nevojat e Diasporës mbarëshqiptare dhe u shprehëm të gatshëm që të japin kontributin tonë, të bëjmë më shumë për atdheun! Gjithashtu, jam i gëzuar dhe optimist, sepse zgjodhëm edhe drejtuesit e Këshillit të Diasporës. I uroj suksese kryetarit Mark Gjonaj, Nënkryetares Anila Hyka Smorgrav dhe Sekretares së KKD, Adriana Fishta-Bejko. Por, nuk mund t’i mbyllnim aktivitetet dyditore në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, pa takuar e diskutuar për qëllimin dhe kontibutin tonë edhe Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi, Kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, deputetë, si dhe drejtuesin e opozitës, Lulzim Basha. Përzemërsisht, i uroj suksese diasporës mbarëshqiptare, sepse qëllimi i këtij Këshilli Koordinues të Diasporës sonë, është përfshirja e të gjithë shqiptarëve në botë, si urë lidhëse mes Diasporës dhe shteteve ku i kemi trojet tona”.

 

 

Krijohet Dhoma e Biznesit të Diasporës Shqiptare

 

Aktivitetet e dative 18 dhe 19 dhjetor 2019 të Këshillit Koordinues të Diasporës, erdhën pak ditë pas themelimit të Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptar.

 

 

Presidenti i Nderit te Dhomes se Biznesit te Diaspores, Lazim Destani dhe Kryetari Ardian Lekaj

Nata para Festës së Flamurit, shënoi firmën mbi një dokument tjetër. Jo atë të Pavarësisë, por mbi aktin e themelimit të Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare. Fondi Shqiptar për Zhvillimin e Diasporës nën kujdesin Ministrit të Shtetit për Diasporën, organizoi mbrëmjen e 27 nëntorit 2019, ceremoninë e prezantimit të Dhomës së Biznesit të Diasporës, ku merrnin pjesë përfaqësues të rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Diasporë, si dhe personalitete nga politika shqiptare, si Ministri Pandeli Majko, Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduart Shalsi etj.

 

Inaugurimi i zyrave te Dhomes se Biznesit te Diaspores Shqiptare

Ceremonia e parë nisi me inaugurimin e zyrave, si dhe me takimin e parë të anëtarëve të kësaj dhome, të cilët morën dhe Kartat e Anëtarësimit në këtë Dhomë, ndërkohë që u zgjodhën dhe Kryetari i saj e Presidenti i Nderit dhe i Bordit. Ardian Lekaj, një biznemen që jeton e punon në Holandë, është kryetari i Dhomës së Biznesit të Diasporës, ndërsa President i Bordit, Z.Lasim Destani, biznesmen i suksesshëm prej shumë dekadash dhe Kryetar i Bordit Mbikqyrës i Ecolog International. Destani dhe Lekaj thanë pas prerjes së shiritit të zyrave të Dhomës se, ky institucion do të punojë për t’ju krijuar ura bashkëpunimi biznesve shqiptare në Diasporë, me qëllim afrimin e tyre në tregun e Shqipërisë, po ashtu edhe të bisnesve të huaja, si dhe për të ndihmuar bizneset e Shqipërisë që të zgjerohen në tregje të huaja.

 

Z.Lazim Destani, duke nenshkruar krijimin e Dhomes se Biznesit te Diaspores

Ndërkohë, në ambientet e Hotel Rogner u zhvillua ceremonia shtetërore për këtë aktivitet. Ministri i Shtetit për Diasporën, Z.Pandeli Majko u shpreh se ishte i gëzuar për krijimin e kësaj dhome dhe falënderoi të gjitha bizneset shqiptare të diasporës që u bënë pjesë e saj. Sipas tij, qeveria do të jetë përkrah jush. Kryebashkiaku Veliaj i përgëzoi përfaqësuesit e diasporës për angazhimin e marrë me krijimin e kësaj dhome, ndërkohë që nuk nguroi t’ju kërkonte të investonin ne Tiranë.

 

Kryetari i Dhomës, Z.Lekaj përshëndeti të pranishmit në aktivitet dhe foli për rëndësinë e Dhomës së Biznesit të Diasporës në përafrimin e bizneseve shqiptare në botë.

 

Z.Lazim Destani, në fjalën e mbajtur, nuk harroi të ngushëllonte familjet e viktimave të tërmetit, si dhe të uronte shërimin e të plagosurve. “Në këto ditë të vështira, ne na duhet të jemi të bashkuar si vëllezër e motra, duke ia dhënë mbështetjen aq të nevojshme njëri-tjetrit. Do të shfrytëzoja  këtë moment e të rikujtoj të gjithë pjesëtarët e Diasporës për ftesën që Z. Majko, ka bërë për të ndihmuar familjet e dëmtuara nga tërmeti”, tha Destani.

 

 

Duke folur për hapjen e Dhomës, ai e vuri theksin te mbështetja e madhe që ka nga Ministri i Diasporës. Por, dipas Destanit, Z.Majko duhet të evidentojë e monitorojë rastet e ngecjeve institucionale; të iniciojë ndryshime dhe plotësime rregullativave për biznes, si dhe të mbajë komunikimin e të luajë rolin e koordinuesit me të gjitha institucionet për ndërtimin e politikave ekonomike e të mbikëqyrjes së zbatimit tyre, me të vetmin qëllim: krijimin e ekosistemit më të mirë për bërje biznesi. “Unë personalisht, si dhe bashkë me grupin e bizneseve tona gjithandej, mbetem i përkushtuar për ta dhënë kontributin tim brenda mundësive të mia e për t’i çuar këto procese përpara”, theksoi Destani. Sipas tij, “biznesmenët nga Diaspora, por edhe të tjerë do të nisin të investojnë pa nguruar, kur të shohin se funksionon sundimi i ligjit; kur të jenë shmangur barrierat për bërje biznesi; kur hyrja në treg të jetë pa pengesa burokratike;  kur të jenë reduktuar në maksimum konjunkturat për biznese selektive;  kur politikat tatimore bëhen të qëndrueshme;  kur arsimi prodhon profile që i nevojiten tregut të punës; kur luftohet korrupsioni; kur të funksionojnë institucionet dhe jo relacionet personale dhe shumëçka tjetër në këtë drejtim”. Në fund të fjalës së tij, Z.Destani uroi të pranishmit në aktivitet dhe mbarë shqiptarët, për 28 Nëntorin, Festën e Flamurit.