Kërcënimi me jetë që ka marrë gazetari Ylli Rakipi, ka sjellë edhe reagimin e Autoritetit të Medias Audiovizive. AMA bën me dije se e ka përcjell me shumë shqetësim lajmin dhe se dënon çdo përpjekje që cënon dhe rrezikon fjalën e lirë dhe integritetin e angazhimit të komunitetit të medias.
Reagimi i AMA
Kërcënimi ndaj Ylli Rakipit, rast i përsëritur i presionit ndaj gazetarëve në detyrë
Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA po përcjell me shumë shqetësim lajmet për kërcënimet serioze që ka marrë drejtuesi i programit të njohur televiziv “Të paekspozuarit”, z. Ylli Rakipi.
Si një rast i përsëritur i presionit në forma të ndryshme ndaj gazetarëve në detyrë, AMA dënon çdo përpjekje që cënon dhe rrezikon fjalën e lirë dhe integritetin e angazhimit të komunitetit të medias.
AMA solidarizohet me z. Rakipi dhe apelon për autoritetet, që menjëherë të zbardhin rrethanat dhe të venë para përgjegjësisë ligjore fajtorët e këtij akti të rëndë, si dhe të garantojnë një klimë të sigurtë dhe normale për redaksitë dhe gazetarët në ushtrimin e detyrës dhe misionit të tyre për të informuar publikun.
Autoriteti i Mediave Audiovizive