‘Kënga Magjike nuk ka profesionistë’, Flori përplaset me Kozeta Kurtin: Mos e...

‘Kënga Magjike nuk ka profesionistë’, Flori përplaset me Kozeta Kurtin: Mos e mpreh shpatën, ne jemi sylesh!

313
0

Juria e “Këngës Magjike” këtë vit përbëhej nga Enkel Demi, Jonida Maliqi, Markelian Kapidani, Arben Skënderi dhe Kozeta Kurti. Kjo e fundit ka shprehur pakënaqësi ndaj festivalit, duke u shprehur se nuk ka profesionistë por vetëm tifozë të cilët votojnë me formulën “Sa më jep, aq të jap”.

Sipas Kozetës, artistët në festival i kanë krijuar këngët në darkë dhe ia kanë shitur në mëngjes dikujt për t’i kënduar. Ajo ka shprehur pakënaqësi edhe ndaj fitores së Alban Ramosajt, i cili mori vendin e parë me këngën “Thikat e mia”.

Kozeta ka shkruar se Albani nuk ka qenë këngëtari më i mirë në festival, si dhe nuk e ka mbrojtur këngën në skenë. Ajo është e mendimit se Albani ka fituar për shkak të këngës, e cila është shkruar nga Fifi dhe ai, me muzikë nga Bruno dhe po ai.

“Tani më duhet të ndalem pak tek fituesit, sepse pa kurrëfare modestie, më duhet t’ju kujtoj se jam e vetmja prej të gjithëve që kanë votuar në “Kënga Magjike 2021”, këngëtarë apo anëtarë jurie, që kam në tre vendet e mia të para, tre fituesit e Festivalit. E kanë merituar “Urban Band” çmimin për artistin e ri më të mirë, sepse kanë qëndrueshmëri në stilin e tyre (shijet janë personale, dikujt i pëlqen, dikujt jo), por qëndrueshmëria është evidente dhe askush nuk mund ta vendosë në diskutim.

E kanë merituar, për durimin dhe modestinë që kanë treguar duke tentuar të prodhojnë e të vijnë në këtë festival vit pas viti; e kanë merituar dhe me fitoren e tyre u kanë dhënë një mesazh dhjetra të tjerëve të kenë besim dhe të mos paragjykojnë se në Këngë Magjike, “po nuk bëre numrat”, je jashtë Festivalit.

Dua të ndalem tek Nutsa, këngëtarja gjeorgjiane që fitoi çmimin “Best Big International” dhe dua t’u kthej një përgjigje prej së largu çdo syleshi që shkruan: “në të gjithë botën mbështetet vendasi, ne i bëjmë fresk të huajve”. Jo ore, zotërinj, jo.

Nëse i sjell në garë, nuk mund t’i mohosh, vetëm sepse janë të huaj, madje ata i kanë bërë një shërbim të jashtëzakonshëm festivalit, sepse nëpërmjet tyre ka ndodhur BALLAFAQIMI. Dhe mbrëmë….unë nuk e di se ku e ka futur kokën shumica e finalistëve, pasi e ka parë atë vajzën të këndojë në skenë. Vota për Nutsën është e qartë, e pastër, kristal: ti mund të kesh çfarëdolloj kënge, po puna është kush do ta këndojë, sepse këngëtari është ai që ta ngre këngën, apo ta fut shtat’ pash’ nën dhe.

Dhe mbërrijmë tek vendi i parë…. Aty ku unë them: E PARA ËSHTË KËNGA! E keni pyetur veten çfarë roli kanë festivalet? Ose si duhet ta kenë së paku… një garë midis ca emrave? Një vazhdimësi e një iniciative të Ardit Gjerbresë, që e kujton edhe vetë se ky festival nisi krejt kot, pa u menduar gjatë?

Jo, jo. S’mund të jetë kështu.

Gjithë ky investim që të përplasen brej brirësh 10,15,20 njerëz! Një prej misioneve të tij është të orientojë, t’i tregojë kujtdo që s’mundet, të perceptojë edhe se ku duhet të shkojë muzika, ndryshe s’kemi pse ankohemi çdo ditë që edhe kandidatet për eskorta në Dubai, po merren me muzikë. A është Alban Ramosaj këngëtari më i mirë i Festivalit? Jo, nuk është! A e mbrojti dot këngën? Jo, nuk e mbrojti. (ata që e mbrojtën këngën, mund t’jua numëroj ndoshta me gishtërinjtë e vetëm njërës dorë)

Por Albani ka këngën! Dhe kënga është e para. Kur ke këngën, këngëtarin e gjen. Me këtë dua të them se ndoshta ka ardhur koha të ndryshojë e të rikthehet sistemi, siç ndodhte dikur në këtë vend e siç ende në botë ndodh shpesh: producentët e kompozitorët t’ua përshtasin krijimtarinë e tyre interpretuesve dhe jo këta të fundit të bredhin studiove e të kërkojnë këngë”, ka shkruar ndër të tjera Kozeta.

Deklarata e Kozetës nuk është pritur aspak mirë nga Flori Mumajesi, i cili ka reaguar me anë të një postimi në rrjete sociale.

“Një shkrim i nxituar nga mllefi Koke krib! Ftoj të gjithë syleshët që morën pjesë në festival, që nga fituesi e deri te ata që nuk patën mundësi të kualifikohen, të mos ndihen sy lesh! Kam shkëputur nga shkrimi vetëm thikat e panevojshme. Çfarë arrogance për të gjithë ne syleshët që mbetëm në dorën tënde, të na votosh dhe të na vendosësh epitete më pas! Bravo! Të lumtë! Mbase e meritojmë të na votosh si të duash, por të lutem mos e mpreh shpatën pa numëruar deri në 10. Si mikeshë që të kam, edhe pse nuk shquhem për të numëruar deri në 10 po e bëj”, i është përgjigjur Flori.

Kozeta nuk e ka lënë me kaq dhe i është kundërpërgjigjur sërish.

“Qyqja! Zemër! Muzika është më e madhe se Kënga Magjike. Refleksioni është përtej KM, ndonëse e drejta e interpretimit është tërësisht personale. Më vjen vêrtetë keq që etiketohesh sylesh. Sylesh është çdo profil pa identitet në rrjete sociale”, ka shkruar ajo.