Kapet në Francë drogë me vlerë 1 milion euro dhe me flamurin...

Kapet në Francë drogë me vlerë 1 milion euro dhe me flamurin shqiptar, një i arrestuar

395
0

Një sasi e madhe droge me vlerë 1 milion euro është sekuestruar nga policia në një banesë në Francë, ndërsa trafikantët dyshohet të jenë shqiptarë. Droga u gjet në një banesë në “42 Avenue Berthelot” në distriktin e shtatë në Lyon, ku disa muaj më parë u gjetën 10 mijë euro të siguruara nga trafiku i heroinës, një azilkërkues shqiptar ra në pranga dhe u dënua me 3 vite burg. Ai ishte personi që kishte çelësat e apartamentit, raporton media franceze LeProgres. Por duket se shqiptarët nuk vunë mend. Duke menduar se policia franceze nuk do të dyshonte më për aktivitete ilegale në të njëjtin vend, ata e përdorën të njëjtin apartament si bazë për të fshehur kanabis dhe heroinë me vlerë 1 milion euro, 104 kilogram kanabis dhe 984 gram heroinë. Ekipi anti-drogë GLSES arriti të arrestojë një shtetas shqiptar, pasi e kishte monitoruar shtëpinë për disa ditë dhe kishin përdorur qentë për të nuhatur drogën pa e shqyer derën.

 

Me lejen e prokurorit ata organizuan bastisjen e shtëpisë dhe prangosën shqiptarin.

 

Për 96 orë në polici, i arrestuari nuk tregoi asnjë informacion, por policia dyshon se ai mund të jetë pjesë e një grupi më të gjerë kriminal.