Kaosi te Luftëtari, Duro: Nuk e kuptova Dalipin, Luftëtari do t’ju surprizojë

Kaosi te Luftëtari, Duro: Nuk e kuptova Dalipin, Luftëtari do t’ju surprizojë

374
0

 

 

Për 25 ditë ishte në rolin e drejtorit teknik, ndërsa tashmë do të jetë trajneri i ri i Luftëtarit. Klodian Duro e njeh mirë skuadrën që po ndërtohet, por ka mbetur i befasuar për mënyrën e largimit të trajnerit Klevis Dalipi.

Në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport”, Duro tregon arsyet e marrjes përsipër të drejtimit të Luftëtarit, komenton largimin e Dalipit, si dhe flet për të ardhmen e skuadrës, duke filluar nga ndeshja e sotme me Tiranën.

Ky takim do të jetë edhe debutimi i ish-mesfushorit të Kombëtares në stolin bluzi. Në të kaluarën ai ka drejtuar Kukësin, ku arriti të fitonte edhe Kupën e Shqipërisë, ndërsa sezonin e kaluar ishte në krye të Kamzës.

Klodi, keni marrë përsipër drejtimin e Luftëtarit, në një kohë që deri dje ishit drejtor teknik…

Po, iu përgjigja pozitivisht ofertës që më bënë drejtuesit e klubit në këtë moment të vështirë të Luftëtarit, që vjen pas dorëheqjes së presidentit të mëparshëm Grigor Tavo. Ardhja ime këtu është me qëllim për të zgjidhur sa më mirë dhe në mënyrën e duhur problemet e klubit. Duke qenë në detyrën e drejtorit teknik, jam në dijeni të të gjitha zhvillimeve të merkatos.

Si e komentoni largimin e Dalipit?

Nuk e kuptoj largimin në këtë moment të Dalipit. Po ju them që isha unë një nga ata që vura veton te drejtuesit, që trajneri i ri i Luftëtarit të ishte Klevis Dalipi.

A mendoni se është ndërtuar skuadra e duhur për të përballuar Kategorinë Superiore?

Në skuadër janë afruar lojtarë të rinj, me dëshirë dhe shpirt gare për të dhënë më të mirën për Luftëtarin. Ne si drejtues jemi në krah të tyre për të konkurruar denjësisht në kampionat. Sigurisht që mendojmë për ta nisur sa më mirë edicionin, duke filluar nga ndeshja e sotme.

Sa u përket atyre që janë afruar nga merkatoja ju siguroj se fjalën e fundit e kishte trajneri, por gjërat kështu rrodhën dhe tashmë duhet të shikojmë përpara.

Cili do të jetë objektivi juaj në krye të stolit bluzi?

Detyra jonë është që pas kësaj periudhe të vështirë, të punojmë fort dhe seriozisht për të mos diskutuar mbijetesën në Superiore. Të gjithë duhet të mobilizohemi sa më shumë për të marrë maksimumin që në ndeshjen e parë. Jam këtu me qëllim mbajtjen lart të emrit që ka trashëguar dhe ka aktualisht Luftëtari.

Që në hyrje dhe dalje të merkatos kam punuar dhe do të punoj fort që Luftëtari të mos e diskutojë mbijetesën. Me këtë objektiv kemi punuar falë edhe ndihmës së drejtorit sportiv, Artur Dadaj, por edhe dyshes Dalipi-Novi. Kemi shumë punë për të bërë në vijimësi të garës së re sportive. Shpresoj ta nisim mbarë.