“Kam dhënë dorëheqjen e parevokueshme”, Gent CAKAJ reagon pas Ramës: Kapitulli im...

“Kam dhënë dorëheqjen e parevokueshme”, Gent CAKAJ reagon pas Ramës: Kapitulli im ka përfunduar! Shqipëria është në fushatë, nuk synoj të bëhem deputet

318
0

Ish-ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, reagon menjëherë sapo kryeministri Rama lajmëroi se ai kishte dhënë dorëheqjen, ndaj në vend të tij ka emëruar Olta Xhaçka. Cakaj thotë se Shqipëria është në fushatë dhe ai nuk synon të bëhet deputet.

Gent Cakaj i shpreh mirënjohjen Ramës për besimin, ndërsa thekson se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm.

 

Njoftimi i Gent Cakaj:

 

“Të nderuar qytetarë,

 

Dëshiroj të ju njoftoj që sot, e martë, 29 dhjetor 2020, i kam paraqitur Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dorëheqjen e parevokueshme dhe me efekt të menjëhershëm si Ministër në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

 

Pas përfundimit me shumë sukses të kryesisë së OSBE-së, hapjes së negociatave për anëtarësim me BE-në, punës së jashtëzakonshme për të siguruar një ulëse në Këshillin e Sigurimit për 2022-2023, zbatimit të një sërë masash të pashembullta për ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke qenë se Shqipëria është në pragfushatë zgjedhore, ku unë nuk synoj të angazhohem si kandidat për deputet, konsideroj që kapitulli i shërbimit tim në krye të diplomacisë shqiptare është i përfunduar.

 

Dua të shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim ndaj Kryeministrit Rama, për besimin e dhënë dhe bashkëpunimin e ngushtë në rrethana jo të lehta për Shqipërinë. Po ashtu, u jam shumë mirënjohës të gjithë bashkëpunëtorëve dhe stafit të MEPJ, për mbështetjen e vazhdueshme në rrugëtimin e përbashkët, për të ndërtuar një sistem diplomatik të denjë për ambiciet e Shqipërisë evropiane dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit qytetar e kombëtar.

 

Në mbyllje, nënvizoj, mes tjerash, se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim.

 

Faleminderit nga thellësia e zemrës të gjithëve për mbështetjen, kritikat e punën e përbashkët! E keni për jetë mirënjohjen time – shërbimi ndaj jush ka qenë nderi më i madh i jetës sime”, shkruan Gent Cakaj.