Lajme

Kabineti i ‘Qeverisë Kurti’ Ja si ndahen ministritë sipas partive në koalicionin VV-LDK

By vizional

February 01, 2020

Nga lëvizjet e fundit, sipas të gjitha gjasave, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do ta bëjnë bashkë qeverinë e re të vendit, pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019.

Partia e para në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ajo e cila e zuri vendin e dytë, pritet që nesër, e diel, të nënshkruajnë marrëveshje për formimin e një koalicioni qeverisës.

Gjatë ditës së sotme është hapur rruga për marrëveshje mes VV-së dhe LDK-së, gjatë takimit të fundit mes përfaqësuesve nga të dy partitë më të mëdha në vend.

Nga detajet e zbardhura, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pritet të japë dorëheqje nga posti i tij, për t’i hapur rrugë formimit të koalicionit VV-LDK.

Lajmin e ka konfirmuar anëtari i VV-së, Agim Bahtiri, i cili ka thënë se Konjufca do ta lëshojë postin që e mori vetëm një muaj më parë.

Ndërkohë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i cili thuhet se po luan rol vendimtar në arritjen e marrëveshjes VV-LDK, ka paralajmëruar se koalicioni do të nënshkruhet të dielën, më 2 shkurt.

Ndërkohë kanë dalë detajet përfundimtare të marrëveshjes së koalicionit VV-LDK.

Në qeverinë e re të vendit, të cilën do ta udhëheqë kreu i VV-së, Albin Kurti, do të jenë gjashtë ministra nga radhët e partisë së tij.

LDK-ja do t’i ketë po ashtu gjashtë ministra në ‘Qeverinë Kurti’, ndërsa tri ministri do të udhëhiqen nga përfaqësues të pakicave në vend.

Mësohet se dy partitë kanë vendosur që për postin e presidentit të vendit – mosmarrëveshjet rreth të cilit e kanë bllokuar prej muajsh marrëveshjen mes tyre – të diskutojnë në të ardhmen.

Partia e Albin Kurtit dhe subjekti që udhëhiqet nga Isa Mustafa sipas të gjitha gjasave do ta bëjnë qeverinë të hënën.

Më 3 shkurt, e hënë, është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë së re të vendit.

Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën për seancë, të bërë nga Kurti, i cili është mandatar për formimin e kabinetit të ri qeverisës.

Nga LDK po qarkullojnë këta emra:

Avdullah Hoti – Zëvendëskryeministër i Parë

Lumir Abdixhiku – Ministër i Infrastrukturës.

Anton Quni – Ministër i Mbrojtjes

Lutfi Zharku – ministër (nuk dihet pozicioni)

Ndërkohë Albin Kurti i ka propozuar emrat e ministrave, ku nuk besohet të ketë surpriza:

Haki Abazi – Zv/Kryeministër të dytë të qeverisë

Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë

Besnik Bislimi – Ministër i Financave

Rozeta Hajdari – Ministre e Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë

Arben Vitia – Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit

Glauk Konjufca – Ministër i Jashtëm.

Dorëheqja e Konjufcës nga posti i kryeparlamentari, do i plotësojë kushtin LDK-së për qeverinë Albin Kurtit.