Ju rrëfej filmin, si “vlonte gërshëra” nga udhëheqja dhe Sigurimi

Ju rrëfej filmin, si “vlonte gërshëra” nga udhëheqja dhe Sigurimi

554
0

Leonard Veizi

 

Me mbi 80 role si aktor në teatër e kinema, ai është dhe regjisor i 25 premierave në teatër dhe estrade, autor komedie, drame i dhjetëra skeçeve.. Astrit Çerma thotë se gjithsesi: “ia ka bërë ‘hallall’ teatrit “Skampa” gjithçka: rolet, regjtë, shkrimet, sukseset, por edhe dështimet e marrëzitë”. Ndërsa për 8 vitet kur ishte drejtori i tij, thotë se e mbajti gjalle atë teatër. “Unë e di ç’kam hequr për 8 vite. Edhe skenograf, dramaturg, balet maestër, punëtor skene, sherrxhi, llafazan, jam zënë grushte, edhe shtëpinë e braktisa, për atë teatër… Megjithatë, teatrin “Skampa”e kam dashur dhe e dua”. Kjo eshët gjithçka mund të thotë një njeri që ia ka kushtuar jetën teatrit. Për më tej, në një interviste me plot të papritura, Astrit Çerma rrëfen për “Shekullin”:

 

 A ishte e vështirë të bëje art në një vend me kufizime si Shqipëria

 

Natyrisht, që të vlerësosh apo zhvlerësosh artin dhe kulturën e 45 viteve monizëm nuk mund të mos marrësh parasysh kufizimet e atij pushteti. Por, mbi çfarë konkretisht kanë rënduar kufizimet? Tani dalin estetë, kritikë, analist, studiues që në shumë fusha të artit e kulturës i tjerrin dhe ç’tjerrin vitet e pas çlirimit e deri në demokraci jo vetëm për kufizime por edhe për shkatërrime, sakatime, izolime, ndalime. Madje sot është bërë “mode” që në biografitë e krijimeve dhe krijuesve të stampohet vend e pa vend brenda “persekutimit” titulli “i persekutuar” edhe për të nderuar e respektuar të asaj kohe, qoftë me poste e detyra, qoftë me tituj e ndere.

 

Çuditërisht askush nuk bën analizë se çfarë arti e kulture profesioniste trashëgoi vendi ynë nga thellësia e viteve e deri me 1945? E vërteta është: Përjashto disa individë të shquar, kryesisht në pikturë e muzikë gjithë tjetra ishte një amatorizëm arkaik. Të gjitha institucionet dhe formacionet profesioniste u ngritën në vitet 45-85; dhe të gjithë u ngritën mbi bazat institucioneve e formacioneve të vendeve të lindjes, kryesisht të Bashkimit Sovjetik. Edhe drejtuesit në drejtim të krijimit e ekzekutimit u arsimuan dhe u përgatitën po nga Lindja. Ndoshta ky ishte kufizimi i parë. Por edhe kufizim s’mund ta quash sepse arti i atyre vendeve edhe sot e kësaj dite gëlon dhe vlerësohet.

 

Atëherë? Me thoshte Kadri Roshi: “Astrit. E kam mësuar motin në oqean unë, e jo si ju në pellgje e përrenj.” E kishte fjalën tek “oqeani” për kryeveprat botërore që Teatri Popullor (edhe teatro të tjerë) vunë në skenë gjatë atyre viteve dhe në “pellgjet e përrenjtë” për ato palo drama që u vunë në skenë sidomos pas viteve ‘74. Këtu po. Le te flasim për kufizimet, madje, për… shabllonizimet. Politika dhe pushteti ndërhynte dhe impononte me forcë tek teksti por, ishte inkurajues dhe kërkues për interpretimin. E dinte shume mirë se “pamfletet politike” thitheshin nga publiku nëpërmjet interpretimit të lart.

 

Unë vetë e kam marr titullin “Artist i merituar” në 1992, por e them me bindje të plotë se titujt para ‘90, vërtetë nuk janë dhënë aty ku politikisht, pse jo dhe moralisht, nuk i kanë shërbyer pushtetit por, kurrë, e theksoi kurrë, nuk janë dhënë vetëm për vlera politike dhe morale. Më thoni cili nga ata që e ka marr nuk e ka merituar titullin dhe nderin? Kështu shpjegohet që brenda kufizimeve të kohës u krijuan vepra me vlera artistike, që sot e kësaj dite janë të pëlqyeshme jo vetëm nga “nostalgjiket” por edhe nga shumë të rinj. Shpërthyen talente që mbeten e do mbeten të papërsëritshëm për krijimet e tyre në tërësi e veçanti.

 

 

 

 

Sa ndërhynte politika në një film, në skenar, regji e montazh, pasi filmi shikohej nga Këshilli Artistik?

 

Deri në bllokim të filmit. Në teatër deri në ndalim të shfaqjes. Me detaje për ndërhyrjet në filma s’mund të flas sepse si çdo aktor tjetër në Kinostudio isha “i jashtëm”. Vinim nga teatrot, xhironim, dublonim e ktheheshim prapë në teatër. Por as nuk diskutohej që gjatë montimit të filmave “vlonte gërshëra”. Di që filmi “Thirrja” është shkurtuar thuajse në një të treten e tij. Një nga skenarët letrar ndër më të bukurit që kam lexuar ka qenë “Ata ishin 4”, mirëpo “u bënë vërejtjet”, “u futen duart” dhe përfundimi, ai që është… Ç’do gjë kalonte në sitat ideologjike.

 

Këto sita fillonin nga vetë krijuesi dhe ekzekutuesi, tek këshilli artistik, kolektivi, drejtoria dhe përfundonin deri në KQ të Partisë. Ndërsa në teatër, pothuajse të gjitha shfaqjet, rrallë janë thënë për publikun pas premierës, ku asistonte këshilli artistik, aparatçikët e partisë së rrethit dhe “kontrolli i klasës punëtore”. Dy-tri ditë, ka pasur raste edhe me jave, janë rregulluar “gabimet”.

 

Madje për një periudhë mbas shfaqjeve, aktorët, ashtu siç ishin, me grim e të veshur sipas karaktereve, dilnin në skenë dhe prisnin “vërejtjet” e publikut. Filloi të mos qëndrojë publiku dhe u hoq dorë… Pushteti i kohës, natyrisht për qëllimet e tij, investonte jo pak për artin dhe kulturën. Ai pushtetet e kishte zbërthyer dhe mëshiruar saktë idenë e tregimit të famshëm të M.Tuenit, për dështimin e pushtimit të vendit me 5000 avionë, 5000 tanke e 5000 ushtarë. Në fund mjaftuan 5 këngëtarë…

 

 

 

 

Ishte e vështirë të luaje hetuesin tek “Fije që priten”? Keni pasur një model për t’u mbështetur?

 

Ku kisha kohe unë për “model”. Në këtë film nuk kisha kohë të mësoja tekstin e jo me të krijoja mbi të. Filmi “Fijet…” kishte mbaruar me kohë, ishte shfaqur për kolektivin krijues të Kinostudios e për disa institucion përkatëse nga ku kishte marrë vlerësimet më të mira. Madje për vlerat e tij ishte vendosur të jepej si “film-premier” me rastin e mbylljes se Festivalit të Parë të Filmit shqiptar, që do te zhvillohej nga data 2-11 prill. Ishte fundi i muajit mars. Në teatrin e Elbasanit u vu dhe po jepej me sukses drama e shkruar nga unë “Hakmarrja e madhe”.

 

Një natë, pas shfaqjes, shoh drejtorin e filmit Josif Kromitha që kishte ardhur urgjent nga Tirana për të më marrë. Ç’ne?! Siç më thanë, filmin “Fijet…” me që ishte me temë nga “sigurimi” e kishte parë “Drejtoria e Dytë”, dhe… urdhër: “Robert Ndrenika në rolin e hetuesit te zëvendësohet sepse ka vëllanë të arratisur.” Këto lloj urdhrash në atë kohë as mos të shkonte ndërmend t’i diskutoje. Atëherë stafi i filmit më kërkoi mua për zëvendësimin! Dhe duhej zëvendësuar për një javë, për festivalin. Dhe më e bukura: Drejtoria e teatrit për aq kohë sa ishte reklamuar shfaqja premierë nguli këmbë që për pesë ditë të shkoja e të vija nga Tirana sepse nuk kisha dublant.

 

Për arsye kohe dhe për të më “orientuar” për rolin më dhanë për të parë filmin!!! Ç’të shihja! Ku “zëvendësohej” Berti? Rrolin, siç i thonë, e kishte “qarë”. Ju pyesni për modelin e “figurës”. Edhe kostumi që kam veshur i Bertit është. Tre triko vishja që ta mbushja. “Ti ke prerë dhe ke qepur një kostum të bukur – i thashë Muharremit, regjisorit të filmit, – por ai fatkeqësisht diku t’u gris. Do s’do do të vësh një arnë dhe arna jam unë. Të përpiqemi që këtë arnë mos e dallojnë të tjerët, se ti gjithmonë do ta dish që kostumin e ke me arnë, dhe unë gjithmonë do di se në këtë kostum jam arnë.”. Mbas tre muajsh rastësisht u takova me Bertin tek lulishtja para hotel “Dajtit”. U ulem në stol dhe pimë disa cigare radhazi. Ç’të bënim tjetër???…

 

 

 

 

 

Keni pasur rast kur keni dashur një rol dhe s’ua kanë dhënë, apo keni marrë një rol dhe ua kanë hequr?

 

Tani, disa të vërteta tingëllojnë, si sajime, por… Unë vetëm në 3 filma kam shkuar me dëshirë “Brazdat”, “Në fillim të verës”, “Ilegalet”. Kam dashur edhe tek filmi “Tokë e përgjakur” ku do te interpretoja dy role; babanë dhe djalin, por për arsye se xhirimet e filmit ishin njëkohësisht me “Ilegalet” zgjodha këtë të dytin. Në të gjithë filmat e tjerë kam shkuar me urdhër. Po, po… urdhër. Tani ti hyj historive si e qysh s’ka vlerë. “Në Kinostudio nuk kam hyre duke i lëpirë këmbët njeriu dhe nuk kam ndërmend të qëndroj duke lëpirë këmbët” – ia “përplasa” një herë një regjisori që kishte mbaruar jashtë shtetit një kurs dy vjeçar për… operator.

 

Më shumë në këtë drejtim mund t’ju flas i nderuari Faruk Basha. Me të dhe Demir Hyskien shpesh “qaja hallet”. Minella Borova thoshte: “Ore shoku regjisor, ty nuk të lejohet të mendosh si do të dalë filmi. Ti ke për detyrë të bësh filmin. Pastaj, filmit, po t’i dojë bytha, del mirë, po të mos i dojë del keq. Është punë e filmit, s’është puna jote.” Natyrisht ishte shaka e tij, por që kishte diçka të vërtet. Dikush shkroi për mua se pas viteve 80 “u zhduka”! Natyrisht nuk kam shkuar nëpër filma megjithëse gjithmonë më kërkonin. E para që nuk shkoja ishte se më pëlqente më shumë teatri.

 

Ne teatër unë ç’do natë krijoja, kurse në film më dukej dhe se ç’do gjë ishte e stamposur. Sandër Prosi thoshte gjithmonë: “Mjeshtëria e aktorit blihet në teatër dhe shitet në kinematografi”. Siç duket mua nuk më pëlqente “tregtia”. Por ishin edhe kushtet familjare dhe ekonomike. -E, mo. Edhe këtë nuk ka kandar ta mbaj byrazer – më thoshte Jani Riza – 110 lekë dietë për një kalë në ditë dhe 13 lekë për një aktor… (Kaq thoshin e kishte dietën ditore kali i bardhë i P. Dumes). Vetëm 2% të rrogës merrnim dietë, asgjë tjetër.

 

 

 

Botuar në gazetën Shekulli 2013