Amerika humbi një burrë shteti të nderuar, një patriot krenar dhe një luftëtar që sakrifikoi veten. Senatori John McCain vdiq sot në moshën 81-vjeçare, pas një beteje me kancerin në tru. Zëri i Amerikës i hedh një vështrim jetës së tij të plotë dhe të jashtëzakonshme që ia dedikoi shërbimit ndaj vendit. Në muajt e tij të fundit, John Sidney McCain vazhdoi të flasë me gjallëri për Amerikën. “Jemi të bekuar. Jetojmë në tokën e njerëzve të lirë, ku gjithçka është e mundur”, përsëriste zoti McCain. Ai foli hapur edhe për rreziqet që shikonte tek epoka Trump. “…të refuzosh detyrimet e rolit udhëheqës në botë dhe detyrën tonë për të shërbyer si pishtari i fundit i shpresës, për shkak të një nacionalizmi të shtirur, të gatuar nga njerëz që preferojnë të fajësojnë të tjerët dhe jo të zgjidhin problemet…”, deklaroi ai. “John McCain personifikonte shërbimin ndaj vendit… Ai ishte një hero i vërtetë amerikan, jo i llojit të sajuar dhe të fryrë nga mediat”, thotë historiani politik Allan Lichtman. I biri i një admirali amerikan, zoti McCain u bë aviator i marinës dhe kreu fluturime luftarake gjatë Luftës së Vietnamit. Në vitin 1967, avioni i tij u godit, ai u kap rob nga vietnamezo-veriorët dhe vuajti mbi pesë vite tortura dhe keqtrajtime si rob lufte. Dekada më vonë, tashmë një senator republikan, zoti McCain u rikthye në Vietnam. Ai kërkoi rivendosjen e marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Hanoit, dhe siç thoshte për Zërin e Amerikës, që e shkuara të lihej pas. “Pati disa individë që më keqtrajtuan në burg, të cilët shpresoj mos t’i shoh më kurrë. Por, kjo nuk e ndryshon mendimin tim se populli vietnamez është i mrekullueshëm dhe se janë miq të vërtetë që na duhen dhe iu duhemi”, shprehej zoti McCain. Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, McCain kritikoi taktikat e torturës ndaj të dyshuarve për terroristë, ndërsa mbështeti luftërat në Afganistan dhe Irak. Në Kongres, ai njihej për gjuhën e tij të mprehtë. Por, ai gjithashtu vepronte me zemërmirësi. McCain kandidoi dy herë si kandidat republikan për president me pikëpamje të pavarura, dhe arriti të fitojë emërimin si kandidaturë e partisë në vitin 2008. Gjatë fushatës, ai doli në mbrojtje të kundërshtarit të tij demokrat, Barack Obama, kur një grua në publik e quajti Obamën “një arab”. …Jo, zonjë. Ai është një familjar i mirë, një qytetar me të cilin kam pikëpamje të kundërta…”, deklaroi atëherë zoti McCain. Zoti McCain humbi garën presidenciale, por u rikthye në Senat, ku në rolin e kryetarit të Komisionit të Senatit për Forcat e Armatosura, vazhdoi të përkrahë angazhimin e fuqishëm amerikan në mbarë botën dhe forcimin e ushtrisë amerikane. Zoti McCain nuk u kundërpërgjigj kur kandidati për president Donald Trump, vuri në pikëpyetje statusin e tij të heroit të luftës. “Është hero lufte meqë u kap rob. Mua më pëlqejnë njerëzit që nuk kapen rob. Më vjen keq që po e them”, deklaroi Donald Trump më 18 korrik 2015. Senatori McCain u shndërrua në kritikun këmbëngulës të stilit qeverisës dhe të politikave të zotit Trump, por edhe ndaj qëndrimeve të tepruara partiake në Uashington, siç u dëshmua kur vota e tij hodhi poshtë planin republikan për sistemin e kujdesit shëndetësor të promovuar nga Presidenti Trump.
McCain respektohej nga demokratët dhe republikanët.
“Kurajo dhe besnikëri. Nuk kam përshkrim tjetër për burrin që po nderojmë sot, mikun tim John McCain”, deklaronte ish-Nënpresidenti Joe Biden.
“Në dallim nga të gjithë politikanët e tjerë të viteve të fundit, John McCain ishte i gatshëm t’i zgjaste dorën palës tjetër, për të realizuar arritje në të mirë të vendit, si reformën për emigracionin, apo reformën për financimin e fushatave elektorale”, thotë historiani Lichtman.
Shumë njerëz janë duke mbajtur zi për humbjen e tij, por McCain e ruajti ritmin e tij deri në ditët e fundit.
“Jam më fatlumi në botë. I shërbeva kauzës amerikane”, deklaronte ai./VOA