“‘Drita që humbëm’ është një roman që jeton me ty shumë kohë pasi e ke përfunduar. Një libër klasik i së ardhmes”.
Revista “The Sun” është vetëm një ndër prestigjiozet ndërkombëtare, që ia sugjeron lexuesit romanin e shkrimtares amerikane Jill Santopolo, të promovuar në Panairin e Librit që lamë pas, në stendën e botimeve “Toena”.
Për shqipërimin e kësaj vepre, që “HELLO” e ka quajtur “Libri i vitit”, është kujdesur përkthyesja Enkeleida Haxhinasto. “Ardhjen e një libri, Enkeleida e përjeton si ardhjen e një fëmije në jetë, me të njëjtën përkujdesje, prandaj librat që ajo përkthen kanë garanci”, thotë botuesja Irena Toçi. Ndërsa Haxhinasto ndalet te shkrimtarja Jill Santopolo. “Është një nga autoret më të paguara të momentit dhe romani i saj ‘bestseller’(i përzgjedhur nga ‘New York Times’, ‘USA Today’ si dhe revista ‘Publishers Weekly’) është përkthyer në më shumë se 35 gjuhë. Madje, në Poloni është konsideruar si “Libri më i mirë i vitit” në kategoritë romancë dhe dramë”, tregon përkthyesja. Dhe, në fakt, suksesi i këtij libri i kapërcen kufijtë e letërsisë.
Disa nga yjet e Hollivudit e kanë pëlqyer dhe e kanë rekomanduar romanin “Drita që humbëm”. Reese Whitherspoon, një nga aktoret më të paguara të momentit, e ka zgjedhur për klubin e saj të librit “Hello Sunshine”, sepse i është dukur i mrekullueshëm.
Ndërsa Cindy Crawford thotë se “Drita që humbëm” është një roman i shkëlqyer dhe e rekomandon në faqen e saj në “Instagram”. “Është një histori e bukur dashurie që të lë pa frymë dhe të prek thellë në shpirt”, shprehet aktorja Emma Roberts. Romani “Drita që humbëm” ka marrë mjaft vlerësime edhe nga personalitete letrare si shkrimtarja Xhuli Kohen (njëherazi edhe aktore), e cila e konsideron si një histori emocionuese e të shkruar bukur.
“Një histori që flet për dashurinë, mundësitë e humbura dhe si mund të ndryshojë rrjedha e jetës së një personi nga ngjarjet e rëndësishme globale”, thotë Kohen. Pas suksesit në rrethin letrar e joshjen që romani u bëri yjeve të kinemasë, Jill Santopolo do ta përshtatë si skenar filmi për producentët Riçard Luis dhe Gabriel XherouTabak.
Dy producentët janë shprehur mjaft të emocionuar për bashkëpunimin. “Jill Santopolos, me zërin e saj unik e të jashtëzakonshëm, ka sjellë një histori dashurie epike që na ka bërë për të qarë”, tregojnë ata për median. Fuqia e librit “Drita që humbëm” qëndron pikërisht në thjeshtësinë e tij. Është një histori që mund të ishte e kujtdo. Gjithçka që libri zbulon është e veçantë dhe e thellë.
E teksa e lexon, të vjen vazhdimisht në mendje një thënie e famshme e Xhon Lenon-it: Jeta është gjithçka që të ndodh, teksa je i zënë duke bërë plane të tjera. Ky libër do t’ju bëjë të mendoni, të qani, të pyesni veten si dhe do t’ju lërë përshtypje të thella. Dy personazhet kryesore, Lusi dhe Geibi takohen në Universitetin e Kolombias, më 11 shtator 2001, në ditën që do të ndryshonte jetën e tyre përgjithmonë. Sulmet e 11 Shtatorit u nxitën atyre dëshirën për ta bërë botën më të mirë.
Së bashku ata marrin vendimin që të bëjnë diçka të rëndësishme gjatë jetës së tyre, pra, të lënë gjurmë. Ky libër flet për të gjitha llojet e dashurive, flet për pasionin, për të qenët nënë, për dashuritë që zgjasin dhe dashuritë që përfundojnë shpejt. Lexuesit tërhiqen nga rrjedhshmëria e stilit të Jill Santopolos, nga përshkrimet interesante dhe nga dialogët realiste. Autorja ia ka dalë mbanë të krijojë një lloj gjuhe që është bashkëkohore dhe e bukur, lirike dhe e drejtpërdrejtë kur është e nevojshme.
Simbolika e përdorur nga Santopolo e ndihmon lexuesin t’i kuptojë më mirë personazhet dhe nëpërmjet simboleve të ndryshme, ai mund t’i shohë si zhvillohen këto personazhe. Tema kryesore nuk është dashuria, por zgjedhjet dhe prioritetet, pyetjet e mëdha që i japin formë jetës sonë. Dhe këto pyetje nuk lidhen vetëm me ndjenjat romantike, por me gjithçka që ka të bëjë me planet për të ardhmen dhe marrëdhëniet njerëzore. Prandaj, ky libër është larg të qenit thjesht një histori dashurie.