“Jeta në sytë e një adoleshenti”, Erti Poka sjell librin e parë...

“Jeta në sytë e një adoleshenti”, Erti Poka sjell librin e parë për lexuesin

2805
0

Është nxënës në gjimnazin “Qemal Stafa”, në vit të dytë, një djalë i ri që përveç studimeve për shkollën po hedh hapat e parë në rrugën e letërsisë. Quhet Erti Poka, dhe sapo ka botuar librin e tij të parë, një libër fiklozofik, të titulluar “Jeta në sytë e një adoleshenti”.  Gjatë promovimit javën e kaluar të librit “Jeta në sytë e një adoleshenti”, në ambientet e shkollës ku studion vet autori, në gjimnazin “Qemal Stafa”, ishin të pranishëm përfaqësues të bashkisë së kryeqytetit, përkatësisht nënkryetari i Bashkisë, Z.Abaz Hado, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe të ftuar të tjerë së bashku me drejtorinë e gjimnazit “Qemal Stafa”. Në një bashkëbisedim me portalin “Vizion.com.al”, autori Erti Poka rrëfen se nxitja për të shkruar në libër të tillë I ka ardhur nga një mendim primar, që sipas tij, ne i detyrohemi njëri-tjetrit dhe vetes tonë. Një subject libri, i bazuar në forcën e arsyes dhe gjetjen e një fryme motivuese, ku padyshim, thotë adoleshenti Erti Poka, që gjetja e së vërtetes është e panegociueshme.

 

“Jeta në sytë e një adoleshenti”, është libri juaj i parë?

 “Jeta në sytë e një adoleshenti” është libri im i parë, i cili është një libër filozofik.

Çfarë mund të na thoni për nxitjen apo kurajon tuaj për të shkruar një  libër të tillë?

Duhet thënë se është bërë një kohë e gjatë që unë mendoja për të zhvilluar një projekt të tillë, për të cilin fillova të punoj pasi mendova se kisha arritur pjekurinë e duhur si letrare, ashtu edhe filozofike. E gjithë kjo nxitje vjen nga një mendim primar se ne i detyrohemi njëri-tjetrit dhe vetes tonë. Të japim mendime të ndryshme dhe të zhvillojmë një dialektikë të shëndoshë do të ishte në përfitimin e gjithësecilit. Nëse edhe unë do të jepja kontributin tim modest, jo vetëm në botën e letërsisë, filozofisë, por edhe në shoqërinë tonë mendova se do të ishte sadopak një risi, e cila do të më bënte të ndihesha me të vërtetë të lumtur e krenar.

 

Rinia sot, dhe adoleshentët kanë shumë porbleme, ndeshen çdo dite me problematika të ndryshme. Cili është subjekti i libtit tuaj?

 

Ashtu si të gjithë të rinjtë e tjerë, problemet me të cilat përballemi çdo ditë, si mungesa e një të ardhme të sigurt, mungesa e arsyes, mungesa e motivimit dhe gabimet e ndryshme, të cilat vijnë si pasojë e mungesës së eksperiencës jetësore në vetvete janë thelbi i asaj se çfarë une jam munduar të përcjell. Subjekti i librit është i bazuar në forcën e arsyes dhe gjetjen e një fryme motivuese, ku padyshim që gjetja e së vërtetës është e panegociueshme.

 

Cili është mesazhi që ju doni të përcillni me këtë libër?

Duke qenë se jetojmë në një shoqëri e cila gjatë gjithë kohës bëhet pjesë e një padrejtësie dhe një rrëmuje totale, e cila në vetvete nuk është asgjë tjetër, veçse një pasqyrim i mënyrës së të menduarit mesazhi që unë dua të përcjell është mjaft i qartë: “Në bazë të përgjegjshmërisë tonë ndërtohet edhe bota që na rrethon”. Dhe sigurisht që mesazhi tipik, të cilin edhe unë dua ta përcjell është: “Mos u dorëzoni kurrë!”. Jemi përgjegjës të asaj se çfarë ne po jetojmë dhe duhet të jemi mjaft të kujdesshëm. Në fund të fundit jemi qenie sociale!

Përgatiti: Klodiana Hilaj