Është miratuar rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara kundër vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Mes 128 vendeve anëtare që kanë votuar pro kësaj rezolute ishte edhe Shqipëria. Ndërkohë 35 shtete kanë abstenuar dhe 9 vende të tjera kanë dalë kundër rezolutës. Sipas tekstit të rezolutës çdo vendim për statusin e Jeruzalemit është nul dhe i pavlefshëm dhe se duhet të tërhiqet. Pak pas këtij vendimi, Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar me anë të një deklarate, ku shpjegon pozicionin e Shqipërisë në këtë votim. “Vota jonë sot në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së reflekton pozicionin tonë të pandryshuar për këtë cështje. Shqiperia i është përmbajtur konsensusit ndërkombëtar mbi Jeruzalemin, bazuar në një numër te konsiderueshem dokumentesh të OKB-së, përfshirë një numër rezolutash të Këshillit të Sigurimit, dhe i është bashkuar pozicionit të përbashkët të shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të BE-së, duke i qëndruar koherente qëndrimit e saj te linjëzuar me Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e MPJ. Më herët Trump dhe ambasadorja e SHBA në OKB kërcënuan se do të ndërpritet ndihma financiare për vendet që votojnë pro kësaj rezolute. Mes këtyre vendeve është gjithashtu edhe Shqipëria. Sidoqoftë për momentin është disi herët për të mësuar se cilat do të jenë pasojat reale të këtij pozicioni të Shqipërisë kundër vendimit të Trump për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit. Shqipëria zgjodhi kështu të mbante të njëjtin qëndrim me Bashkimin Europian. Izraeli nga ana e tij e cilësoi OKB-në si ‘shtëpinë e gënjeshtrave’ dhe tha se ky votim do të përfundojë në koshin e plehrave të historisë.