Java Çame, Idrizi: Do donim të ndiznim një qiri në Lumin e...

Java Çame, Idrizi: Do donim të ndiznim një qiri në Lumin e Akeronit, aty në Çamëri (FOTO)

434
0

Me një simbolikë ndryshe, në kuadër të 75-vjetorit të Genocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë, qindra qytetarë kanë hedhur në Liqenin Artificial varka me flamur kombëtar dhe me një qiri të ndezur.

Featured image of article: Java Çame, Idrizi: Do donim të ndiznim një qiri në Lumin e Akeronit, aty në Çamëri (FOTO) Shpetim Idrizi duke ndezur qiri 26 Qershor, 2019 10:04

Shoqata Çamëria dhe PDIU kanë përkujtuar viktimat e Genocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë.  Me një simbolikë ndryshe, në kuadër të 75-vjetorit të Genocidit grek mbi shqiptarët e Çamërisë, qindra qytetarë kanë hedhur në Liqenin Artificial varka me flamur kombëtar dhe me një qiri të ndezur. Me këtë simbolikë janë kujtuar shpirtrat e shqiptarëve të Çamërisë që u vranë nga Genocidi grek.

Të pranishëm ishin kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, Aqif Rakipi, Mesila Doda, kryetari i “Shoqatës Patriotike Çamëria” Dritan Sejko, si dhe qindra shqiptarë të Çamërisë e qytetarë të Tiranës.  Idrizi u shpreh se do të donte që të ndizej një qiri në në Lumin e Akeronit në Çamëri, pikërisht në vendin ku vranë dhe u larguan me dhunë nga trojet e tyre shqiptarët e Çamërisë, njofton zyra e shtypit të PDIU.

“Dua t’ju kujtoj të gjithëve se Çamëria është një tokë e lashtë, me histori, ku janë përplasur të dyja qytetërimet iliro-pellazge. Ne do të donim shumë që për shpirtrat e shqiptarëve të Çamërisë, të ndiznim një qiri. E në fakt do të donim që këtë qiri ta ndiznim në Lumin e Akeronit, i cili ndodhet në zonën e Çamërisë, ku nga mitologjia ata që vdesin kalojnë në botën tjetër me varkë dhe me dy monedha floriri. I hodhëm këto varka me flamur kombëtar edhe me një qiri të ndezur, për t’iu thënë të gjithëve që “Çamëria Nuk Harron”, sot është koha për Çamërinë. Kush mendon që ne do të lodhemi, apo koha do të na mund në harresë, ta kenë të qartë se ne deri tek çami i fundit dhe deri tek shqiptari i fundit, do të kërkojmë dhe nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi për Çamërinë”, – u shpreh Shpëtim Idrizi.

Gjithashtu kryetari i PDIU-së theksoi se sot ka një Rezolutë për Çamërinë dhe një ligj që njeh 27-Qershorin, si ditën e përkujtimit të viktimave nga Genocidi grek.

“Sot jemi këtu në një ndër ditët e aktiviteteve për “Javën Çame”, e cila organizohet në kuadër të 75-vjetorit të Genocidit dhe spastrimit etnik grek, mbi shqiptarët e Çamërisë. Çështja e shqiptarëve të Çamërisë është një çështje kombëtare, me një ndjeshmëri njerëzore për mijëra familje të viktimave të shqiptarëve të Çamërisë.  Mbi të gjitha është një detyrim i madh për qeverinë shqiptare, detyrim që buron nga Rezoluta për shqiptarët e Çamërisë dhe nga ligji i parlamentit shqiptar, i vitit 1994, i cili e njeh Genocidin mbi shqiptarët e Çamërisë dhe ditën e 27 Qershorit. Në këtë kuadër, Shoqata Çamëria dhe PDIU kanë organizuar shumë aktivitete. Para disa ditësh ne ishim në Qafë-Botë, ku vendosëm një tufë me lule, pikërisht në varret e një pjese shumë të madhe të shqiptarëve të Çamërisë, që vdiqën nga eksodi”, – theksoi z.Idrizi