“Jam penduar që nuk u bëra…” Vera e “Një djalë dhe një...

“Jam penduar që nuk u bëra…” Vera e “Një djalë dhe një vajzë” tregon pengun më të madh të jetës

553
0

Krejt rastësisht do të prekte kinemanë dhe botën e spektaklit, por do të mbetej gjatë aty… Interpretimi në disa role të spikatura dhe përfaqësimi në ndonjë subjekt artistik të guxuar për kohën, bëri që Rezana Çeliku të ngulitej sakaq në mendjet e shikuesve. E larguar nga TVSh për “sabotim”, sot, në moshën 50-vjeçare, e pamartuar dhe me pengun e përjetshëm të mungesës së një fëmije, ajo tregon detaje interesante nga eksperienca artistike dhe karriera e sotme profesionale. Protagonizmi i saj në filmat artistikë do të ishte tërësisht në nivele amatoreske. Nuk kishte shkelur në auditorët e Akademisë së Arteve dhe nuk kishte të trashëguar dellin artistik. Ngjan se aftësia e të përvetësuarit shpejt të gjërave, fytyra simpatike dhe mbi të gjitha natyrshmëria e të sfiduarit të situatave, u “thithën” menjëherë nga regjisorët e filmave shqiptarë, sigurisht pas spikatjes së saj si prezantuese e disa festivaleve në TVSH.

Për Rezana Çelikun, gjithë e kaluara e saj artistike është e fiksuar njësoj si në një celuloid. Interpretimet e njëpasnjëshme, përfshirja në botën e spektaklit dhe prezantimit e largimi vetëm për shkak të një “pakujdesie”, që do të faturohej mandej si tentativë sabotimi nga ana e drejtuesve të Televizionit Shqiptar, do të shërbenin si “leksion” për jetën e vajzës simpatike. Vëmendja profesionale për Rezanën, ishte më largpamëse se kaq. Me një karrierë të gjatë në Bashkinë e Tiranës dhe pengun e një jete familjare të cunguar, 50-vjeçarja flet në këtë intervistë për suplementin “Unë Gruaja”.

 

 

Ju kujtojnë si ajo vajza jo fort e “moralshme” tek “Një djalë dhe një vajzë”, apo mësuesja pas të cilit dashurohet trajneri në filmin “Shokë të një skuadre”…Po sot, cila është jeta juaj sot?

 

U bënë shumë vite qëkur jam shkëputur nga bota e artit dhe kinematografisë. Pas interpretimit të fundit në vitin 1989 tek filmi “Një djalë dhe një vajzë”, u largova nga aktrimi, sepse nuk e shihja si zgjedhjen time për të ardhmen profesionale. Njëkohësisht, hoqa dorë edhe nga prezantimet televizive. Jam diplomuar për Ekonomi dhe Juridik dhe prej disa vitesh punoj në Bashkinë e Tiranës, në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Publikun. Më plotëson profesioni që ushtroj, përtej pasionit kinematografik.

 

Po atëherë si ka ndodhur që u gjendët në botën e filmit?

 

Përpara se regjisorët të mbërrinin në përzgjedhjen time, ata kishin vlerësuar prezantimet e mia në disa festivale rinore të realizuara në TVSH. Unë nuk kisha përfunduar studimet në Akademinë e Arteve, ndaj përveçse si amatore, nuk mund të shfaqesha ndryshe. Me siguri që pamja ime, silueta, elokuenca e të folurit dhe natyrshmëria, me të cilën ndërmerrja çdo sfidë aktoriale, i bindnin regjisorët për të mbërritur tek unë.

 

Fillimisht, ka qenë regjisori Pirro Milkani që më ka përzgjedhur për rolin e Melit tek “Zonja nga qyteti”, rol i cili më pas iu besua Rajmonda Bulkut. Natyrisht, Rajmonda ishte aktore profesioniste, e lindur për atë punë, dhe mua nuk më erdhi “surprizë” ky fakt, sepse aktrimin nuk e kisha qëllim në vetvete. Ndaj dhe regjisori më besoi një tjetër rol, atë të Valit, vajzës që zgjidhet si sekretare rinie. Mandej ishte Kujtim Çashku që më përzgjodhi tek “Ata ishin katër”, partizania mes qindra meshkujve që luftonin në male. Dhe me radhë pasuan interpretimet e tjera.

 

 

Tek filmi “Një djalë dhe një vajzë”, ju jeni centralistja që keni një lidhje dashurore me një djalë më të ri në moshë… Nuk ishte një rol i guximshëm për kohën?

 

Që të jem e sinqertë, ky rol ka qenë disi i padëshiruar nga ana ime. Asokohe punoja mësuese matematike në një fshat të Tiranës. Merrja biçikletën për të shkuar çdo ditë në punë dhe më kishte ardhur në majë të hundës. Propozimin për këtë interpretim e pranova menjëherë, sepse doja të largohesha për ca kohë nga mësuesia. Dublo pas dubloje, kuptova se ai nuk ishte një rol fort i zakonshëm, për periudhën rreth viteve ’80 (ekzaktësisht viti ‘ 89), kur u interpretua dhe për mentalitetin e kohës. Pas atij roli, e ndjeva shumë peshën e opinionit paragjykues, aq sa një ditë një person i afërt me familjen më pohoi se, meqenëse nuk e kisha zgjedhur aktrimin si profesionin e jetës, pse duhet të guxoja me një rol aq të tepruar?! Edhe momenti i futjes në shtrat me partnerin ishte një tjetër moment i sikletshëm për mua. Pata disa momente lëkundjeje, por ia dola mbanë.

 

Vetëm për t’i shpëtuar punës si mësuese, rriskuat me këtë rol edhe pse ai mund t’ju cenonte?

 

Nuk ishte vetëm kjo arsyeja e qenësishme. Aktrimi ishte çështje pasioni për mua, sepse pas interpretimeve të mëparshme që kisha pasur, më ishte futur si “sheqeri në gjak”. Falë Zotit, edhe nga familja nuk kisha pasur asnjëherë pengesë, madje tim atë e kam pasur mbështetje dhe shtysë të fortë në rrugën drejt artit. Vërtet ky rol ishte i guximshëm, por jo i pamundur. Unë tentova dhe ia dola të isha pjesë e një kaste të mrekullueshme aktorësh dhe një filmi të suksesshëm.

 

 

Pas një periudhe të shkurtër si prezantuese e programacionit në TVSh, ju u shkëputët nga televizioni, cila qe arsyeja?

 

Ika nga televizioni për shkak të një incidenti. Shkoja çdo pasdite në punë dhe, para se të dilja në ekran, duhet të bëja grimin vetë. Ishte një aparaturë me prizë, ku ngroheshin në ujë bigudinat që vija në flokë. Një natë e kisha harruar prizën pa hequr… Të nesërmen më thërret drejtori i Televizionit në zyrë dhe më thotë se kisha shkaktuar një incident të rëndë. Ishte djegur aparatura e bigudinave, për shkak se unë e kisha harruar prizën pa hequr. Por, tjetërkund ishte shkaku i pezullimit. Sipas tyre, studioja e grimit ishte ngjitur me studion e lajmeve dhe atë vit do të bëheshin zgjedhjet për Kuvendin Popullor dhe, nëse do të kishte marrë flakë studioja e lajmeve, do zhdukeshin të gjithë arkivat dhe materialet e nevojshme. Ata tentuan ta cilësonin këtë akt si sabotim, i cili do të kishte pasoja të rënda për mua. Ishte ky shkaku pse më larguan nga ekrani, e mandej nuk tentova më të rikthehem aty.

 

Rezana, përtej filmit dhe televizionit, përtej angazhimit tënd profesional në Bashkinë e Tiranës, cila është jeta juaj familjare, statusi civil?

 

Nuk e konsideroj fatkeqësi faktin që jam e pamartuar. Besoj se nuk mund të konsiderohet familje e vërtetë një çift të dashuruarish që nuk plotësohen me një fëmijë. Gjërat rrodhën kësisoj dhe nuk preferoj të jap më shumë detaje…

 

A keni pengje në jetë?

 

Pengu më i madh i jetës sime është mungesa e një fëmije. Sot, pasi i kam kapur të 50-at, është tepër vonë për të zhbërë të kaluarën. Fatkeqësisht, nuk kam më kohë./ aktoretshqiptare.info