Nga Aleksander Meksi
Mbas shkrimit për “Masa dhe Propozime..” për krizën e pandemisë, miq të mi më kërkuan shpjegime më të hollësishme dhe të qarta. Po mundohem, i vetëdijshëm se hartimi i akteve zyrtare ju takojnë ekspertëve dhe politikës. Pavarësisht se jemi të parët, ndër vendet që zgjodhën lock down-in si zgjidhje, unë po bëj disa sugjerime….
Jashtë çdo diskutimi distancimi social, mbase dhe 2 metra, duhet të jetë i detyrueshëm jo vetëm kur dalim rrugëve por edhe në vendet e punës e në mjetet e transportit urban, kur do të fillojnë të përdoren. Në vendet e punës është i domosdoshëm dezinfektimi, sidomos pas zbulimit të çdo rasti me infeksion, riorganizimi i vendeve të punës, ndarjet me pleksiglas, shfrytëzimi i mjediseve të lira duke i kthyer në vende pune, organizimi me turne në të 7 ditët e javës dhe zgjatja e orarit të lëvizjeve deri në 19 e 30´, smart working, e mbi të gjitha: maska mbrojtëse e doreza, certifikata të imunitetit, madje dhe veshje kur nevojiten.
Të gjitha këto nuk do të kishin vlerë po qe se strukturat shëndetësore nuk do të hartonin protokolle për sigurinë nga infektimi në vendet e punës, në përputhje me veçantitë e veprimtarive e nuk do të ushtronin kontrolle të vazhdueshme për zbatimin e masave të caktuara sidomos në qendrat e mëdha të punës, e për mospranimin e punonjësve në punë: në se janë të sëmurë me mbi 37,5° C ose kanë shenja të tjera ata duhet të dërgohen në shtëpi. Po ashtu, për ata që kthehen mbas karantinimit, duhet tamponi negativ. Kuptohet që dhe në to vlen distancimi dhe masat mbrojtëse: maskat e dorezat për të gjithë punonjësit që ndodhen në të njëjtin mjedis pune. E njëjta vlen dhe për këdo që për arsye pune do të hyj në një njësi ku punohet apo shërbehet. Ndërsa në njësi të vogla pune e shërbimesh mund të ushtrojnë kontrolle inspektorat sanitar, që duhen shtuar, po ashtu dhe policia, ku në to klientët të hyjnë me mjetet mbrojtëse e një nga një.
Në rastin e vendit tonë ka dhe një problem që kërkon zgjidhje duke patur parasysh dhe kushtet konkrete. E kam fjalën për sigurimin e maskave dhe dorezave. Ato duhet ti siguroj shteti, urdhërdhënësi për përdorimin e detyrueshëm të tyre. Në se do të nxirrte dhe në treg, shteti duhet të vinte një çmim maksimal të detyrueshëm mbase dhe rimbursimin e pjesshëm. Këto masa janë në dobi të bashkësisë dhe të veprimtarisë ekonomike. Kjo kërkon sa më shumë të punësuar e sa më pak për tu ndihmuar, por, askush nuk duhet të lihet në mëshirë të fatit
Duhet të theksojmë se përdorimi dhe furnizimi me mjete mbrojtëse nuk është vlerësuar si duhet dhe mund të bjerë pasoja të rënda, ndërkohë që vendet e tjera i kanë kusht të domosdoshëm për hapjen e veprimtarisë ekonomike dhe institucioneve. Këtë po e ilustrojmë me rastin e Gjermanisë, që megjithë se ka patur rezultate të mira në luftën kundër pandemisë, po punon që nga mesi i gushtit të mund të prodhoj 40 milion maska kirurgjikale dhe 10 milion maska FFP2 e 3, ndërsa Italia, e cila deri tani ka përdorur 138 milion maska e ka rezervë 47 milion të tjera, ka kontraktuar 51 makineri me të cilat do të prodhojnë 25 milion maska në ditë.
Këto fakte duhet ta detyrojnë Qeverinë shqiptare të marrë dhe ajo veprimet e duhura respektive, dhe sa më parë. Mjetet mbrojtëse deri sa janë të detyrueshme duhet të konsiderohen si medikamentet që përdoren për terapitë që këshillon mjeku, e si të tilla duhet ti siguroj shteti (sepse ai po i ndalon njerëzit të shkojnë në punë), e shpenzimet duhet të përballohen tërësisht si disbursimet për ilaçet. Në se do lejohen dhe në tregun privat çmimi maksimal caktohet nga shteti. Ndërsa ritheksojmë se për blerjen e medikamenteve, pajisjeve dhe mjeteve mbrojtëse nga shteti nëpërmjet firmave të licencuara, çmimet të përcaktohen së bashku sipas një marzhi fitimi të arsyeshëm dhe të detyrueshëm, sepse këtyre firmave shteti ju ka kufizuar konkurrencën dhe këtë “favor” nuk duhet ta shpërdorojnë, sidomos në fushën e shëndetit e në raste urgjence. Kjo aq më shumë kur shumicën e tyre shteti i jep falas.
Që hapja gati e të gjitha veprimtarive të mos jetë njëherazi dhe mundësi apo rruga e përhapjes edhe për coronavirusin, pra një valë e re e tij, do të duhej të kishim një numër më të madh kontrollesh të përhapjes së tij me tamponë dhe teste sierologjike, të cilat duhet të vazhdojnë në kohë. për imunitetin (pasjen e antikorpeve), dëshmi e shkallës së infektimit të popullsisë. Tek ne deri më sot janë kryer 7279 testime me tamponë për infektimin apo jo të individëve. Për ilustrim krahasimi po japim dy shembuj: SH.B.A. ka kryer mbi 4 milion e gjysme tamponë që duke krahasuar me numrin e banorëve duhej të kishim kryer rreth 40000 tamponë; po kështu Italia ka kryer rreth 1 milion e 750 mijë tamponë pra për ne do ishin mbi 70000. Këtë nuk e kemi bërë megjithë porositë e O.B.SH. dhe ekspertëve të huaj.
Mendoj se detyrimisht duhet të filloj menjëherë një sondazh si fushatë testimesh me tamponë dhe teste për antikorpe në gjithë vendin për popullsinë nga 6-90 vjeç. Fillimisht do të mjaftonte të testonim rreth 10000 persona (nga krahasimi me fushatën që do ndërmarr Italia), çka mund të vazhdoj dhe më vonë. Vetëm në këtë mënyrë do të mësojmë shkallën reale të përhapjes së pandemisë dhe masat urgjente dhe ato për të ardhmen pra dhe modalitetet, shtrirjen në kohë të hapjes, që të mos kemi pasoja kur porta të jetë hapur, deri sa të vijë vaksinimi, që në rastin më të mirë, shpresohet në fund të vitit.
Po aq e domosdoshme është dhe puna që po bëhet për ngritje në nivelin e duhur të shërbimit hospitalor infektiv, që të jetë i përgatitur për përballimin eventual të pandemive. Dihet se ushtrinë e mbajmë dhe në kohë paqeje, pra lipset që dhe shëndetësia; numri i spitaleve, i shtretërve, i pajisjeve dhe i personelit të jenë në përputhje me detyrat për të tilla raste epidemie. Është koha të rimendohet një strategji e re për shëndetësinë në vendin tonë.
Lidhur me rregullat e deritanishme për hapjen kam vërejtjen që edhe pensionistët duhet të kenë të drejtën e daljes së lirë, kurdoherë me masa mbrojtëse e distancim si gjithë të tjerët. Ata përgjithësisht do lëvizin në zona të kufizuara në rrugët dhe brenda oborreve të blloqeve të banimit, po kështu mund të kenë nevojë të vizitohen nga mjekët, të blejnë sende që parapëlqejnë, të ecin e të vijojnë kontaktet njerëzore që janë të domosdoshme për ta. Ata sigurisht do të dalin mëngjeseve dhe mbrëmjeve për të shmangur të nxehtin, qoftë me një shtim shkalla shkallë të ditëve që ju lejohet dalja. Po kështu shumica e tyre bashkëjetojnë me familjarët, të cilët edhe dalin edhe shkojnë në punë. Të gjitha këto e bëjnë të tepërt e të dëmshëm izolimin tërësor të tyre në këtë fazë të dytë. Më vonë, në një kohë të dytë, në se do ketë një ecuri pozitive mund të lejohen dhe vizitat me masa sigurie tek njerëzit e rrethit të ngushtë familjar.
Gjithashtu, besoj se nuk ka arsye që të ketë ndalim të çdo lëvizjeje të shtunave e të dielave, që duhet të jenë si çdo ditë tjetër e javës, aq më tepër që mendojmë se duhet të jenë edhe ditë pune për të kompensuar pasojat e distancimit dhe masave të tjera mbrojtëse.
Hapja për këtë fazë të dytë kërkon protokolle për çdo rast, monitorim, ndërhyrje kur situata ndryshon, kontrolle të përhershme e shërbim shëndetësor në të gjithë vendin, duke shtuar dhe mobilizimin e personelit mjekësor shtesë (kjo vlen dhe për policinë e rendit e ushtrinë), që mund e dëshiron të punoj, dhe duke i shpërblyer denjësisht për këtë punë. Kjo është e nevojshme deri sa mendohet për hapjen e bareve…..restoranteve e deri dhe plazheve, përdorimin e transportit e të tjera veprimtari me pjesëmarrje masive të publikut, që duhet të jetë e kujdesshme (me protokolle konkrete), me hapa të matura e sipas mundësive e territorit. Përsa i përket shkollave të të gjitha niveleve vazhdoj të mbetem i mendimit që ato të hapen në 1 shtator e muaji i parë le të përdoret për kontrollin dhe plotësimin e mangësive në dijet e vitit shkollor 2019-2020, sigurisht në se nuk ndodhin të papritura.
Hapja është një proces që vijon në kohë, që duhet kryer me kujdes, monitorim të vazhdueshëm e shkallë shkallë, me të gjitha veprimet në dobi të sigurisë së jetës që paraqitëm më lartë e të tjera që i mendojnë ekspertët e politika. Në se hapja në territore të veçanta apo në veprimtari të caktuara do krijojë probleme, i takon politikes të marri masa kufizuese në të mirë te jetës së qytetarëve.
Koha që po kalojmë është një periudhë e bashkëjetesës me coronavirusin gjithnjë me norma sigurie. Edhe një herë përsërisim pajisjen urgjente me maska dhe testimet e tamponët, duke filluar menjëherë nga qyteti i Tiranas e vijuar me qendrat më shumë të prekura nga Covid 19 dhe në gjithë territorin e vendit. Injorimi i këtyre dy veprimeve mund të jetë me pasoja.
Nga suksesi i kësaj faze të dytë varet fillimi i fazës së tretë, të investimeve zhvillimore, por gjithnjë kur realisht të kemi bllokuar pandeminë.