Disa thjesht nuk jetojnë pa i kërcitur gishtat. Të tjerët nuk e durojnë këtë gjë. Në fillim të këtij viti, shkencëtarët kanë zbuluar se nga vjen zhurma kur kërcasim gishtat. “Është pak a shumë si krijimi i një vakumi. Kur shkëputen sipërfaqet papritmas, nuk ka lëng të pranishëm për të zënë vendin bosh. Kështu që krijohet një zgavër,” thonë shkencëtarët. Sipas tyre, momenti i krijimit të zgavrës sjell edhe zhurmën. Në një takim të Shoqatës së Radiologëve Amerikanë u fol sërish për këtë çështje. Radiologu Robert D. Boutin i Universitetit të Kalifornisë tha se ka bërë një studim të detajuar të zgavrave me anë të ultratingujve. “Ajo që pamë ishte si një dritë. Ishte si një fishekzjarr që shpërthen. Ishte diçka krejt e pazakontë”. Sipas shkencëtarëve, blici vjen direkt pas zhurmës. Kjo mbështet edhe teorinë e zgavrës. Por a është e rrezikshme? Një studim tek një 60-vjeçar që kërciste gishtat zbuloi se gishtat e tij janë bërë më të lëvizshëm- por vetëm për një periudhë të shkurtër kohore. Sipas shkencëtarëve, kërcitjet nuk i kanë sjellë ndonjë dëm në shëndet.