Snajperë, dronë dhe kamera monitorimi, forca xheniere për çmontimin e mjeteve shpërthyese dhe staf mjekësor. Qyteza prestigjioze bregdetare e Taorminas është kthyer në ”kamp ushtarak” për të pritur liderët e shtatë vendeve më të pasura të planetit. “Italia është gati për t’u prezantuar në botë”, u shpreh të hënën ministrja italiane, Maria-Elena Boschi. ”Thuhen shumë fjalë të rënda në lidhje me Siçilinë, por ne i kemi hedhur tej stereotipët e së kaluarës”, shton ajo. Përballë kërcënimit terrorist, autoritetet kanë marrë masa për një mekanizëm të jashtëzakonshëm njerëzor me rreth 7 000 forca policie, karabinierë dhe ushtarakë të ngarkuar për të dhënë siguri në Taormina dhe në rrethinat e saj. Kontrolle në kufijtë tokësore, detare dhe në vijë ajrore u përforcuan mes 10 dhe 30 majit.