Kryetari i Bashkisë së Lungro z. Guiseppino Santoiani, i ka uruar mire se ardhjen në një pritje të veçantë delegacionit të Institutit të Çështjeve Kombëtare (Albanian Institute of National Affairs), i cili ka mbritur sot në Calabri për të marrë pjesë në veprimtarinë që ka planifikuar sot në Lungro dhe nesër më 26 Maj 2018 në Firmo & Acquaformosa, Itali. Kreu i Institutit z. Kastriot Frashëri, pasi falenderoi kryetarin e Bashkisë z. Santoiani, për mikëpritjen dhe fjalët e përzemërta që tha në lidhje me rëndësinë që ka krahina e tyre në ruajtjen e gjuhës, zakoneve dhe kulturës arbëreshe, u shpreh se Instituti do të bëjë të gjitha përpjekjet e tij për forcimin e marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe turizmit ndërmjet Shqipërisë dhe Calabrisë. Ne nuk do të mjaftohemi vetëm tek bashkëpunimi kulturor, por do të nxisim jo vetëm biznesin shqiptar të investojë në këtë vend, por edhe turizmin patriotik. Sot shumë grupe arbëreshe po vizitojnë vendin tonë në kuadër edhe të 550-vjetorit të heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit, dhe “Vitit Mbarëkombëtar të GJ.K. Skënderbeut” të shpallur nga qeveria shqiptare, por edhe turistët nga Shqipëria të vizitojnë vëllezërit e tyre arbëreshë. Takimi kaloi në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore.