Kronike

“Ishin në fazën e fundit”, si u zbulua plani për grabitjen e bankës në mes të Tiranës dhe çfarë u gjet në brendësi

By vizional

February 23, 2022

Ndonëse kanë kaluar 2 ditë nga zbulimi i planit për të grabitur një bankë në mes të Tiranës, ende nuk ka gjurmë të autorëve. Gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj raporton se grupi hetimor është duke punuar me kamerat e sigurisë që ndodhen tek kryqëzimi në Bulevardin Zogu i Parë, pranë Ministrisë së drejtësisë, aty ku ndodhet dhe tuneli që u përdor nga autorët për të kryer punime të nëndheshme, me qëllim kalimin drejt një banke të nivelit të dytë.

Nga ana e grupit hetimor janë sekuestruar dhjetëra kamera të bizneseve që ndodhen në zonë. Tanimë ekspertët kanë nisur këqyrjen e këtyre pamjeve me qëllim zbulimin e personave që kanë hyrë e kanë dalë nga tuneli. Hetuesit dyshojnë se autorët e kishin hartuar planin rreth 3 muaj më parë dhe vetëm përgjatë muajit të fundit kanë nisur punën për gërmimin nëntokë.

Nga tuneli është një gjatësi prej rreth 300 metrash deri tek banka e nivelit të dytë, që ishte planifikuar për të grabitur. Autorët në fakt pothuajse e kishin finalizuar operacionin për kryerjen e grabitjes megjithatë janë zbuluar në fazën e fundit të ndërhyrjes.

Gazetari thotë se kanë qenë qytetarët, të cilët kanë dëgjuar zhurmat dhe që kanë raportuar në polici. Kjo ka bërë që të vinin punonjësit e policisë, të cilën kanë konstatuar një prej autorëve të dyshuar, duke dalë nga tuneli dhe janë vënë në ndjekje të tij. Megjithatë ai ka mundur të arratiset.

Deri në këto momente nga ana e policisë nuk bëhet e ditur që të kemi persona të shoqëruar, pasi po punohet me fakte dhe prova të mbledhura në vendin e ngjarjes. Edhe përgjatë ditës së djeshme policia sekuestroi disa sende të përdorura nga autorët, mes tyre një shkallë druri të përdorur për të zbritur nga hyrja, pasi ndodhet rreth 3 metra nëntokë. Autoritetet do të përpiqen të zbulojnë nëse ka gjurmë të autorëve në këto shkallë.