Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, del sot para gjyqit në Hagë

Ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, del sot para gjyqit në Hagë

833
0

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi që dha dorëheqje nga kjo pozitë pas aktakuzës së konfirmuar nga Dhomat e Specializuara do të dalë para kësaj të fundit të hënën në ora 15:00 për herë të parë. Në njoftimin për paraqitjen përpara gjykatësve thuhet se Thaçi do të informohet për të drejtat e tij.

“Gjithashtu, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Po ashtu, DHSK-ja ka edhe një qendër të posaçme për median në ndërtesën e vet në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe të përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër.”, thuhet në njoftimin e Speciales, sipas RTK..

Njoftimi i plotë i Speciales:

Më 9 nëntor në orën 15:00, do të mbahet paraqitja e parë e Hashim Thaçit në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Aktakuza kundër Hashim Thaçit u konfirmua më 26 tetor 2020. Ai u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor  dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë në të njëjtën ditë.

Aktakuza e ngarkon Hashim Thaçit me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale.

Paraqitja e parë e Hashim Thaçit do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që të respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari të kuptojë akuzat kundër tij. Paraqitja e parë mund të përcillet përmes transmetimit në Internet me një vonesë të shkurtër në  https://www.scp-ks.org/sq/transmetim.

Gjithashtu, seanca mund të përcillet edhe nga galeria publike e sallës së gjyqit në ndërtesën e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Po ashtu, DHSK-ja ka edhe një qendër të posaçme për median në ndërtesën e vet në të cilën gazetarët mund të punojnë dhe të përcjellin seancat me një vonesë të shkurtër.

Për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, numri i ulëseve në galerinë publike dhe në qendrën për media është shumë i kufizuar dhe nevojitet regjistrim paraprak.