Lajme

Ish-Missi rrëfen jetën me Devis Xherahun: Kemi sakrifikuar shumë për dashurinë, tani na pret vetëm altari

By vizional

November 19, 2019

Klotilda Harka/ “Tjetër bën e tjetër thua” është klipi më i ri i Devis Xherahut, në skenat e të cilit është protagoniste partnerja e tij prej shumë vitesh, Ertemiona Mejdani. IshMiss Shqipëria rrëfen për “Panorama Plus” arsyen pse vendosën të sjellin në klip momentet nga jeta e tyre në çift. Devisi njoftoi ndjekësit se do të publikojë klipin e ri “Tjetër bën e tjetër thua”, një këngë ritmike ku ti je protagonistja. Si u ndjeve që rikthehesh në një projekt me partnerin, siç ndodhi në fillimet e njohjes suaj?

Të punosh me Devin gjërat janë shumë të thjeshta, pasi është profesionist dhe i ka idetë e qarta se çfarë do. Nuk ishte e menduar në fakt. Ndërkohë që isha duke i sugjeruar disa vajza për në klip, Devit i lindi një ide e menjëhershme duke më thënë: “Po sikur të jesh ti? Në fillim e kalova, duke i treguar vajzën e radhës, por pashë që insistimi i tij ishte bindës. Dhe ja ku jemi. Normalisht që në këtë videoklip gjithçka ka qenë më e thjeshtë dhe e familjarizuar. Ajo që jemi në jetë, na i thjeshtëzon dhe gjërat në profesion.

 

Ai u shpreh se ndihet 100 për qind vetvetja për shkakun tënd. A është më e vështirë të luash para kamerave jetën që ndodh jashtë tyre?

 

Normalisht që do ndihesh vetvetja kur skenat interpretohen me partnerin që ke edhe në jetë. Jep dhe merr nga njëri-tjetri, që gjërat të dalin në perfeksion.Në këtë rast, videoklipi na jep mundësinë ta shohim veten edhe në detaje që s’e kishim parë ndonjëherë.

 

 

Si ndihesh ti kur sheh në klipet e Devisit vajza të tjera, që hyjnë nën petkun e një marrëdhënieje dhe si e përjeton praninë tënde në projektet e tij?

 

Në fakt, unë merrem vetë me përzgjedhjen e vajzave kur bëhet fjalë për klipet e Devit. I rishohim bashkë dhe zgjedhim më të mirën, për të mirën e punës dhe pse jo, duke u dhënë një mundësi vajzave të reja që dëshirojnë t’u jepet një mundësi. Nuk ngatërroj kurrë anën profesionale me atë personale.

 

Mund ta dimë fabulën e këngës, është historia e lidhjes suaj në këtë këngë?

Jo, nuk është historia e dashurisë sonë. Është një fabul aktuale, që besoj çdo çift do të gjejë veten dhe do ta shijojë.

 

Të dy të njohur në drejtime të ndryshme, si mund t’ia dalë një çift i tillë showbizz-i të ruajë harmoninë dhe stabilitetin në lidhje?

 

Mund t’ia dalim, sepse parim kryesor kemi dashurinë. Kur shohim që një nga planet e karrierës sonë mund të na e rrezikojë marrëdhënien, atëherë nuk e marrim fare si iniciativë. Sigurisht, dashuria ka sakrifica dhe ne nuk është se kemi sakrifikuar pak për të qenë këtu ku jemi.

 

 

Mund të themi se Devisi është shpirti yt binjak, apo është krejt ndryshe nga ty dhe ndaj funksiononi?

 

Jemi aq të ngjashëm deri në detaje, saqë ndonjëherë edhe vetë çuditemi. Ndoshta vitet na kanë bërë që të marrim të njëjtën formë, por di të them që kjo gjithashtu na bën edhe më të lidhur me njëri- tjetrin.

 

Ka ndodhur që jeni konfliktuar për shkak të xhelozisë dhe si e keni zgjidhur?

 

Sigurisht, në fillimet tona. Por ka qenë gjithmonë në doza që nuk dëmtonin marrëdhënien. Tani jo, sepse vitet kanë bërë që ta njohim njëri-tjetrin fort.

 

 

 

Devisi, në një intervistë të fundit për “Panorama Plus”, tha se dasma juaj do të jetë një surprizë për të gjithë. Si do të jetë ceremonia juaj dhe kush do të jenë VIP-at mes miqve të ftuar? Nuk di të them se kush do të jenë VIP-at, por di të them me siguri që do të jenë vetëm personat, që zemra jonë i do dhe i çmon për atë që janë për ne.

 

Një Miss që ka provuar kurorën e bukurisë, si mund ta përjetojë kurorën e nusërisë?

 

Kam përjetuar shumë kurora bukurie dhe mund të them që ka qenë një ndjesi që nuk mund të përshkruhet. Një ndjesi, që jo çdokush mund ta kuptojë dhe përjetojë. Ndërsa për kurorën e martesës nuk di të them, pasi nuk e kam përjetuar ndonjëherë. Por që sigurisht do të ndodhë, siç ndodh me çdo vajzë të re.

 

/PANORAMA.COM.AL