Intervistë/ Anila Çela: Bukuria për mua është fasadë

Intervistë/ Anila Çela: Bukuria për mua është fasadë

1407
0

Nga: Era Çela

 

Një femër mjaft tërheqëse, e ëmbël, ku bie në sy një portret njerëzor mjaft shprehës. Plot ambicie në jetë, fantazia e saj për botën e ekranit gjallon për çdo ditë e më shumë, pasi të tilla i ka kërkesat dhe studimet e saj në këtë fushë. Të arrijë deri këtu, ajo se ka pasur aspak të thjeshtë. Punë, lexim, mundim, lëvizje, kërkesa,  ka arritur këtu ku është sot . Fillesat e saj në media përkojnë si një gazetare terreni, kërkuese, ngulmuese, kërkesa të domosdoshme për një femër që ka objektiva në jetë. Anila Çela Teliti  tashmë numëron plot vite punë në televizion qysh adoleshente. Aktualisht  ajo moderon “Mesditë” në Vizion plus, një program që i ka dhuruar shumë lumturi, por edhe emocione.Prezantuesja simpatike ndalet në vitet e para kur nisi të punonte në televizion,  ajo thotë që emocionet të rrëzojnë ose të ndihmojnë, me sa duket mua më vlejtën pozitivisht dhe kështu vijova më tej gjatë gjithë këtyre viteve në vazhdim”, – tregon  Anila për fillimin e saj. Më pas çdo gjë vijoi normalisht.  Sot Anila  është një  prezantuese e afirmuar, një grua e lumtur dhe një nënë e dashur . Në një intervistë ekskluzive për “vizion.com.al” Anila tregon rrugëtimin e saj të gjatë në media.

Anila,  e mban mend momentin e parë kur ke dalë në ekran si ka qënë ai dhe emocionet e tij?

Po sigurisht që e mbaj mend. Është ndër ato momente që nuk harrohen lehtë dhe jo vetëm në daljen e parë, pasi emocionet më kanë shoqëruar për shumë kohë. Emocionet e para janë të mbushura me pasiguri, me pasionin e ndërthurur me frikën nëse po bën gjënë e duhur, nëse do komentohesh për mirë apo për keq, nëse do ketë jetëgjatësi etj. Unë i kam disi të largëta këto emocionet e para por sërish i kujtoj me nostalgji.

Kush ishte shtysa e parë në këtë drejtim?

Ime motër ka qënë ndër njerëzit e parë që më ka shtyrë për të dalë në ekran. Ajo ishte më shumë e bindur se unë vetëm se kjo ishte gjëja që duhet të bëja. Ajo më shihte si një prezantuese dhe ka qënë ajo e cila më ka rritur besimin në vetvete për ta nisur këtë rrugë e cila me sa duket zgjati më shumë seç e kisha menduar.

A ka qënë një ëndërr televizioni ?

Ndoshta po. Nuk është se kujtoj ndonjë moment të kem ëndërruar pa fund për ekranin. Ndoshta ka qënë dëshirë e pavetëdijshme e cila erdhi një moment dhe u bë realitet. Nuk kam bërë ndonjë sakrificë të madhe për ta kapur me sesbën ekranin. Por pasi e provova me kalimin e viteve fillova ta kuptoj që kjo është gjëja që dua të bëj. Tani e di që ekranin e dua shumë.

Mendoje se do ta arrije deri këtu ku je sot pasi ti je një ndër moderatoret më profesioniste dhe e talentuar?

Jo nuk e kam menduar asnjëherë. E kam nisur si një lojë për të provuar veten dhe diçka ndryshe për moshën time. Nuk e kam çuar asnjëherë ndër mend se kjo do të kthehej  në profesionin tim në këto vite.

 

Çfarë mendon se është risi apo tërheqëse në “Mesditë” Me Anilën, pra përse duhet që teleshikuesi të shohë ty?

Në fakt u bë kohë që kam hequr dorë nga këto promovimet e emisioneve duke shprehur atë fjalinë klasike: Do ketë risi etj etj… Ne jemi një format shumë i lehtë, komod, i kuptueshëm, gjithëpërfshirës dhe mbi të gjitha ku punohet me shumë dashuri. Shikuesi na ndjek nëse i gjen të gjitha këto në një minutash në caktuar. Paraditja mendoj se kalohet kënshëm edhe me televizorin ndezuar ndaluar ne Vizion Plus.

Gjatë kësaj rruge, cilët kanë qenë njerëzit që të kanë besuar por edhe që u ke besuar punën tënde?

 Janë disa njerëzit që më kanë dhënë mundësi, autore emisionesh që më kanë besuar punën e tyre dhe sigurisht që i jam mirënjohëse të gjithëve. Bashkëpunimim me të gjatë në punën time e kam patur me regjisorin Roland Plaku me të cilin realizojmë ende edhe formatin e këtij sezoni “Mesditë”. Çdo shans në ekran nuk është pak, mua Vizioni më ka dhënë çdo sezon hapësira të reja ku shpresoj të jenë mbushur në mënyrë cilësore dhe argëtuese.

 Cili ka qënë emisioni jot më i sukseshëm?

Nuk mund ti ndaj dot pasi çdo sezon ka patur të bukurat e tij. Çdo sezon ka emisione të veçanta speciale apo intervista që të lënë shije më të mirë, por në kompleks unë i kam shijuar të gjitha sezonet e deritanishme.

Cili është sipas teje çelësi i suksesit në këtë zhanër?

 Po se di nëse ka këshilla apo sekrete suksesi.Unë mendoj se të rrish me këmbë në tokë funksionon në çdo profesion ( dhe natyrisht të duash e të punosh për atë që do.

Modeli perfekt i prezantueses shqiptare, cili është sipas teje?

 Ka disa prezantuese shqiptare që mendoj se publiku i do. Nuk di nëse duhet të veçoj perfekte por sigurisht që kemi emra shumë të mira të moderatorëve që ndiqen nga audienca si Arbana Osmani apo Alketa Veisiu.

Tashmë ju jeni edhe nëna e dy fëmijëve si e kordinoni kohen?

 Nuk është e lehtë të menaxhosh kohën në këtë situatë. Por di që gjithmonë jam vonë dhe gjithmonë kam ende diçka për të bërë. Jam bërë më e shkathët, i mbyll punët më shpejt, nuk shoh më detaje shtëpinë, kam hequr dorë nga gjëra që tani i shoh të panevojshme tj. Dmth kam vendosur prioritete .

Ndihesh shpesh në faj kur të duhet ti lësh për orë të gjata vetëm?

Nuk ndodh. Unë kam punuar me kohë të pjesshme sidomos në muajt e parë të lindjes së djemve. Edhe tani që ata janë disi më të rritur përsëri mundohem sa më parë të kthehem në shtëpi. Punoj në shtëpi gjatë natës nëse më duhet dhe shfrytësoj punë që mund ti bëj edhe pa qënë fizikisht në punë. Pasditet janë gjithmonë me djemtë, me kohën e tyre nuk bëj kompromis.

Kujt i ngjajnë fëmijët më shumë?

 Fëmijët ngjajnë të dy nga babai.

  Si je njohur me bashkëshortin tënd ?

Jemi njohur në televizionin Koha ne vitin 2006, punonim bashkë .

 Sipas teje, të jesh familjare të ndihmon apo të pengon për të bërë një karrierë më të shpejtë dhe të suksesshme?

Ai që do të bëjë karrierë duhet të dijë se çfarë kërkojn dhe të njohë edhe kapacitete e veta. Jo çdo dëshirë është e mundur të behet realitet, shpesh herë janë rrethanat që nuk ta mundësojnë. Familja nuk të pengon në asgjë, ajo është pjesa ime më e rëndësishme dhe kurrsesi nuk do ta shihja si pengesë. Nuk do kisha bërë asgjë më shumë dhe nëse nuk do kisha një familje sot. Ndërsa për karrierën e shpejtë mendoj se nuk është e shëndetshme në asnjë formë.

 Si ka qënë periudha pas lindjes sa i takon ardhjes në formë?

 Ka qënë shumë komode, me sa duket metabolizmin e kisha “shok” të mirë.

  A ke “vuajtur” me këtë pjesë?

 Jooooo fare.

 Harxhon shumë kohë duke u kujdesur për veten?

 Nuk harxhoj shumë. Blej rrallë dhe gjërat që më duhen. Nuk jam e varur pas shopping etj. Jam e varur për blerjeve për djemtë si veshje ashtu edhe lodra por për veten time jo.

Çfarë është bukuria për ty?

 Bukuria sekondi i parë. Shpesh hërë ka ndikim të fortë, krijon simpatitë e para. Por për mua mbetet fasadë e cila jo gjithmonë flet për brendinë.

Nëse koha do të kthehej mbrapa, ti në ç’vit do ta ndalje?

 Nuk e di, nuk e kam menduar. Mendoj se nuk kam ndonjë periudhë të cilën do doja ta rijetoja, kam shijuar cdo moshë, çdo fazë të jetës. Ndoshta edhe njëherë bebe ku i ke të gjitha gjërat gati dhe vetëm përkëdhelesh sdo ishte keq.

  A ka shumë njerëz rreth teje që janë xhelozë për ty?

Uh uroj që jo .

A është bota e televizionit siç përshkruhet nga shumë, e ashpër?

 Ka pak nga të gjitha. Duhet të dish të përshtatesh edhe me ashpërsinë, edhe me bërrylat, edhe me sfidat. Por e rendësishme është të fokusohesh tek ajo që do të bësh. Ne dund të fundit kudo do ketë vërshtirësi e tillë është jeta.