Intervista/ Pse vriten gratë dhe vajzat në Shqipëri, psikologia Valentina Telhaj: Ja...

Intervista/ Pse vriten gratë dhe vajzat në Shqipëri, psikologia Valentina Telhaj: Ja disa nga arsyet, më mirë t’i parandalojmë sesa t’i trajtojmë

882
0

Nga Eglantina Alliaj

 Pse po vriten gratë dhe vajzat në Shqipëri..? Viti 2019 u mbyll me një bilanc negativ lidhur me dhunën ndaj grave dhe vajzave në vend, dhunë e cila në disa raste ka shënuar viktima, duke krijuar një plagë sociale në shoqëri. Edhe ky vit, nisi sërish me viktima-gra dhe vajza, të vrara nga bashkëshortë apo familjarë. Edhe pse ligji është ashpërsuar, duket se nuk ka efekt. Një kambanë alarmi për institucionet, shtetin, shoqërinë dhe familjen shqiptare. Çfarë po ndodh me shoqërinë shqiptare? Çfarë duhet të ndryshojë, ligjet, mentaliteti, sjellja sociale? Portali Vizion do sjell çdo ditë opinione, intervista, këndvështrime, pse jo të hapet një debat i gjerë publik për një çështje kaq të rëndësishme. Më poshtë ju sjellim një intervistë me psikologen Valentina Telhaj dhënë për portalin “VIZION.COM.AL’. Zonja Telhaj rendit disa arsye, siç janë modeli ndërbreznor apo trashëgimia e modeleve. Sipas saj, ligji duhet zbatuar më me ashpërsi ndaj këtyre veprave.

 

Pse po vriten gratë dhe vajzat në Shqipëri?

Për shume arsye. Ka kaq shumë shkaqe për të arritur deri në një veprim kaq të tmerrshëm. Një nga ato që do veçoja është modeli ndërbreznor  apo trashëgimia e modeleve ndërkulturore e vlerave morale shoqërore ka qenë se femra duhet të ketë një rol jo aq dominant sa burri. Destruktiviteti i mosfunksionimit normal të një marrëdhënieje bën që  komunikimi konstruktiv , apo  divorci, apo ndihma  nga specialistë  për terapi në çifte  apo në familje të shikohet si utopi, por në fakt është një domosdoshmëri për të preventuar ose të paktën për mos ulur probabititetin e mundshëm të këtyre ndodhive të tmerrshme. Por sigurisht që ka shkaqe shumë të tjera…

 

Sa ndikon realiteti, shoqëria shqiptare dhe mentaliteti i burrave?

Duke parë rezultatin dhe argumentat që të pandehurit  japin, mbasi e kanë  kryer  këtë veprim makabër, duket se ka një ndikim shumë të madh të një presioni social, ose ai i të afërmve që në mënyrë sistematike permanente ndërhyjnë në jetën e tyre private që frustrojnë deri në atë pikë shumë negativisht, deri sa ai arrin në një fatalitet të tillë.

 Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një kambanë alarmi në Shqipëri. Çfarë hapash duhen bërë sipas jush?

Siç e përmenda dhe më lart hapat preventive me terapi çifti, familje apo me ndihmën e organizatave, të shoqërisë civile për ndërgjegjësim do ishte shumë ndihmuese dhe parandaluese. Sa më shumë bashkpunim me të gjithë dhe të gjithë për një qëllim.

A mjafton vetëm ligji për ta parandaluar këtë problematikë që çdo ditë tmerron familjet shqiptare?

Ligjet i kemi, por duhet rritur pak zbatueshmeria më me ashpërsi ndaj këtyre veprave. Asnjëherë nuk mjafton vetëm ligji, duhet pak nga të gjitha hallkat, por sigurisht ligji mund të jetë më dominanti për të ulur probabilitetin e këtyre ndodhive, sidomos në indentifikimet e rasteve pa ndodhur ngjarja. Gjithmonë më mirë t’i parandalojmë sesa t’i trajtojmë.

MSc. Valentina Telhaj, psikologe këshillimi. Psikotraumatologe EMDR. Psikoterapiste CBT

Terapiste ABA & proc, Mp. Psikologji Ligjore.