“Internimi” me ngjarje të viteve ’80, në garën zyrtare të “Catalina Film...

“Internimi” me ngjarje të viteve ’80, në garën zyrtare të “Catalina Film Festival” në Kaliforni

362
0

Filmi “Internimi”, me ngjarje që zhvillohen përgjatë viteve ’80 me skenar dhe regji nga Kast Hasa vazhdon udhëtimin në festivale të ndryshme, që zhvillohen në botë. Deri tani filmi ka marrë pjesë në disa festivale, por i radhës do të jetë në SHBA. Filmi “Internimi” do të jetë në garën zyrtare në “Catalina Film Festival”, që do të zhvillohet në Kaliforni. Në filmin “Internimi” është Shqipëria gjatë sundimit komunist dhe në role protagoniste janë aktorët Klodian Hoxha, Krist Baçi dhe Enxhi Cuku. Për protagonistët e filmit kjo pjesëmarrje në festivale të ndryshme në botë ka jo pak rëndësi. Sipas aktores Enxhi Cuku, që këtë herë në film vjen me rolin e Fridës të jesh në një festival ka rëndësi dhe sepse ke mundësi për të krijuar kontakte të rëndësishme për kinematografinë, por veç shikueshmërisë rëndësi ka dhe vlerësimi. “Sigurisht që ky është synimi, pasi realizojmë filmat. Përpos shikueshmërisë, shitjeve të biletave, shumë më e rëndësishme është një film të vlerësohet, të jetë pjesëmarrës në festivale, e sidomos në festivale me nivel. Pjesëmarrja është e rëndësishme për të gjithë ekipin, që realizon filmin. Sigurisht që dhe për aktorët është një qëllim i arrirë, të jesh në një festival, të të shohin në ekranin e madh dhe të krijosh kontakte të rëndësishme”, shprehet aktorja. Enxhi Cuku protagoniste në filmin “Internimi” vjen me rolin e Fridës, që është një vajzë adoleshente me ëndrra, e rritur në një familje të mirë, ku e detyrojnë prindërit të martohen me dikë me pozitë, kundrejt dëshirës së saj. Një vajzë guximtare, që nuk heq dorë lehtë, dhe lufton për lirinë, për dashurinë. Festivali në Kaliforni, që bën bashkë prodhime të ndryshme kinematografike nga bota do të zhvillohet në muajin shtator dhe filmi shqiptar “Internimi” konkurron për filmi më i mirë. Pjesëmarrës dhe në festivale të tjerë më parë, deri tani filmi shqiptar ka pasur edhe vlerësime, ndërsa gara e radhës është në Kaliforni.

 

“Internimi”, në Shqipërinë e viteve ’80

 

Filmi “Internimi” është xhiruar në Divjakë, Lushnjë dhe Ferras. Regjisori Kast Hasa më herët për filmin e tij mes të tjerave është shprehur se “Internimi” është një përpjekje për të hedhur dritë mbi mizoritë e asaj kohe në vendin tonë. Ndërsa në role protagoniste janë aktorët Klodian Hoxha, Krist Baçi dhe Enxhi Cuku, rolet e tjera në film interpretohen nga Kristaq Pilo, Jorida Meta, Gramoz Gashi, Arjeton Osmani, Ioana Sinani, etj. Ngjarjet e filmit na çojnë në vitet ’80 në Shqipëri. Familja Kulla përpiqet të mbijetojë ndërsa janë të internuar nga regjimi komunist. Për Arturin djalin e familjes, situata vështirësohet më tepër, pasi vendbanimi i tij i ri, është pranë shtëpisë së të dashurës së tij Frida, e cila është e detyruar të fejohet me operativin. Familja vazhdon të jetojë vuajtjet e persekutimit ndërkohë, siç zbulohet më vonë, i sapo riatdhesuari Nik Nuri në përpjekje për të ndihmuar familjen, e komplikon situatën më tutje. Ky është film debutues i regjisorit Kast Hasa. “Vlerësuar me çmimin “Filmi më i mirë i huaj” në Arizona International Film Festival, USA dhe “Regjia më e mirë” në Riverside International Film Festival, USA, ky film debutues i regjisorit Kast Hasa është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Më herët gjatë këtij muaji, filmi “Internimi”, me ngjarje që zhvillohen përgjatë viteve ’80 u shfaq premierë për publikun në ekranin e kinemasë në Tiranë.

 

Nga Julia Vrapi

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/