Ilir Harxhi: Shqipëria shumë mbrapa në filma, mungojnë mjeshtërit e skenarit, shumica...

Ilir Harxhi: Shqipëria shumë mbrapa në filma, mungojnë mjeshtërit e skenarit, shumica janë të sajuar

564
0

Regjisori Ilir Harxhi vijon aktivitetin me filmin, por sipas tij të realizosh sot projekte kinematografike me buxhet shteti është e vështirë. Në intervistën për “SOT” regjisori Ilir Harxhi shprehet se buxhetet në art dhe kulturë janë të pakta, por ka dhe raste që shpërndarja nuk ka qenë si duhet. Për regjisorin Ilir Harxhi problemet me filmin sot kanë të bëjnë edhe me skenarin.

 

Sipas tij, fatkeqësia sot është që nuk ka më mjeshtra si dikur të skenarit në filma. Përballë kësaj gjendje regjisori shprehet se shteti është ai që duhet të gjejë njerëz të talentuar dhe ti dërgojë jashtë vendit për tu specializuar për shkrimin e skenarit. Për regjisorin ata që krijuan shkollën e kinemasë dhe bazën e filmit në vendin tonë nuk janë më aktivë dhe kjo sjell pasojat në film.

 

Duke folur për kinematografinë, regjisori Ilir Harxhi shprehet mes të tjerave se filmi duhet parë si art, dhe duke qenë i tillë shteti duhet të krijojë mundësitë për më shumë buxhete. Deri tani në krijimtarinë e tij regjisori Ilir Harxhi numëron nëntë filma artistikë, në të cilët janë angazhuar aktorë të njohur të kinemasë shqiptare. Në lidhej me bordin e ri që pritet të krijohet në QKK, ai shprehet se nuk e kundërshton, që do të ketë dhe emra të huaj.

 

 

 

-Pas 40 vitesh ishit në skenën e një festivali si aktor. Një shfaqje me regji nga Enver Petrovci. Si ishte ky rikthim për ju?

 

Vepra teatrore “Kreolët e Ballkanit” shkruar dhe me regji nga Enver Petrvoci që e pati premierën në Teatrin Eksperimental në maj ishte në skenën e Beogradit në festivalin “Mirëdita, dobar dan!”. Ishte regjisori që më ftoi, që unë të luaja në skenën me këtë shfaqje dhe të isha me një nga rolet kryesore. Për mua ishte kënaqësi, që iu riktheva pas 40 vitesh aktrimit, që kur luaja në gjimnaz me teatrin amator. Shfaqja u prit shumë mirë, por për rolin unë pata përgëzime dhe nga Branka Petriç, gruaja e aktorit të madh Bekim Fehmiu. Unë interpretova personazhin e gjeneralit në atë pjesë teatrore.

 

 

 

-Si kanë qenë këto kohë angazhimet tuaja si regjisor me filmin?

 

Unë pak kohë më parë realizova një film dokumentar për Bujar Kapexhiun, duke marrë për të 28 intervista nga njerëzit më të rëndësishëm. Titulli i film dokumentar është “Bujar Kapexhiu”, që u bë me rastin e 75- vjetorit të tij, dhe pata avantazhin e madh që ai mori dekorimin “Nderi i Kombit”. Në premierë ishin rreth 200 vetë dhe ky ka qenë projekti im më i fundit. Ndërkohë që filmi im “Tuneli”, ka vijuar të shfaqet edhe në Kosovë, por po shfaqet dhe në stacionet e RTSH. Dhe kur dikush që takon në rrugë të thotë, që këtë film e kam parë 20 herë, kjo është kënaqësi e pafundme për mua si regjisor.

 

 

 

-Në filmat tuaj gjejmë aktorë të njohur të kinematografisë shqiptarë. Si ka qenë për ju deri tani ky bashkëpunim?

 

Normalisht kur e ndjejmë që pavarësisht sado të dashur ta kesh një aktor, në rast se ti nuk e shikon që mund të bëjë këtë lloj karakteri ose e ka bërë disa herë ai në fund do të përsëris vetveten. Po marrim Robert Ndrenikën apo Enver Petrvocin, që kanë luajtur në disa nga filmat e mi dhe ti e shikon se çfarë karakteresh kanë ndërtuar.

 

Robert Ndrenikës kur i afron një rol si ai i xha Muços te filmi im i parafundit “Tuneli”, shikon që i ke dhënë mundësi që ai të shpalosë veten, sepse rrethanat dhe ngjarjet që vijnë rrotull këtij karakteri i japin mundësi atij të krijojë diçka unike dhe kështu ka ndodhur me Ndrenikën me filmin “Tuneli”.

 

Ai e pranoi me dëshirë të madhe rolin dhe ma tha dhe këtë, më pëlqen të luaj këtë personazh, sepse më jep mundësi, nuk e kam luajtur kurrë. Të njëjtën gjë te filmi “Daja”, vërtetë Enver Petrovci vuajti shumë ama krijoi një karakter unik, për të cilin ai flet me shumë dashuri. Dhe ai ka bërë role në gati rreth 100 filma po aq dhe në teatër, në ish Jugosllavi dhe në filmat tanë.

 

Nga kosovar ai krijoi një karakter që ishte daja tirons dhe ishte aq i vërtetë. Sa herë takohemi thotë: “të lutem ma vër t’a shoh këtë film se më ka marrë malli”. Madje kur bëra inaugurimin sallës time të kinemasë Enver Petrovci ishte këtu, sepse po bënte një shfaqje në Teatrin Eksperimental dhe tha të lutem ta inaugurojmë me filmin “Daja”.

 

Ai është lodhur shumë me atë karakter dhe vërtetë unë si regjisor riskova. Kjo është arsyeja, që unë kërkoj gjithmonë që të gjej karaktere, ngjarje mund të ketë por magjia e kinemasë janë karakteret.

 

 

 

-Sipas rregullores së re pritet, që bordi i projekteve të filmit në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë të jetë dhe me anëtarë të huaj. Ju si regjisor, si e shikoni këtë?

 

Në rast se do të jenë emra, që qëllohen unë do të jem i lumtur. Unë nuk kam bërë pjesë në asnjë shoqatë, sepse kryesisht nga filmat e mi vetëm me dy kam marrë buxhet nga QKK. Por ka ardhur momenti që bordi të mos jetë i kapur. Janë shumë shoqata dhe ato u shtuan shumë për bordin, por kjo solli probleme. Unë jam plotësisht dakord, që në bord të vihen njerëz me integritet pavarësisht se ka kosto.

 

Por ama në bord janë dhe dy emra shqiptarë, që e njohin traditën, sepse ai i huaji nuk arrin dot të kuptojë mentalitetin shqiptar, ose të skenarit të një ngjarje që është tipike shqiptare. Pavarësisht se unë kam dashur që të bëj gjithmonë filma me rezonim më të gjerë, pra filma me tema universale, por ka dhe me temë lokale që është vetëm për Shqipërinë dhe i huaji se kupton dot. Por filmi në përgjithësi e përcjell gjithmonë problemin universal.

 

 

 

-Çarë pret të ndryshojë në Qendrën e Kinematografisë?

 

Drejtorit të ri Eduart Makri i urova punë të mbarë, sepse dhe në ligj është që drejtori cakton politikat e QKK. Dikur nuk e bënte dot të udhëhiqte politikat e QKK ose e bënte me shumë sforco, sepse bordi ishte kapur nga shoqatat, që ishin 2-3 veta në njërën, 2-3 veta në tjetrën e me radhë dhe mblidheshin dhe kishin njerëzit e tyre në bord. Ne që ishim kineastë të pavarur nuk merrnim projekt.

 

Unë nuk kam marrë ndonjë projekt në QKK, ka qenë vite më parë filmi “Shkallë”, diku nga 2006 a 2007, dhe mora dhe një postprodhim për filmin e fundit “Tuneli”, që ishte thërrime. Unë çdo vit kam dërguar projekte dhe nuk i kanë aprovuar. Unë kam aplikuar në janar për një film, por meqë kemi aplikuar më parë nuk na zënë rregullat e reja në QKK. Duhet të shikojmë për të ardhmen. Por buxheti është i pari problem me të cilët përballen kineastët në vendin tonë për të bërë filmin.

 

 

 

-Dhe pak buxhet sipas jush, sa kufizon për realizimin e filmit?

 

Kur shikon që Maqedonia apo dhe Kosova është më lart se sa Shqipëria duhet të themi, që kryeministri është artist dhe duhet ta shohë këtë. A janë krijuar vlerat? Të bëjmë dhe një festival filmi që mungon prej vitesh, dhe me këtë ballafaqohen dhe vlerat e filmit shqiptar. Rendësi ka në radhë të parë dëshira për të bërë filmin. Unë vetë nga dëshira kam bërë filmat e mi, sepse njeriu do të matet.

 

Unë ndjehem njeriu më i lumtur në botë kur shkruhet në media apo flasin njerëz të tjerë për filmat e mi. Unë kam dashur të tregoj veten se sa vlej dhe çfarë filmash di të bëj dhe po ju them që nga nëntë filmat e mi nuk kam asnjë skarcitet. Kam ardhur duke rritur nivelin e filmave. Ama të bësh filma sot është shumë e vështirë në Shqipëri. Filmi nuk ti kthen paratë mbrapsht. Dihet se si kanë punuar gjithë këto vite njerëzit. Kanë marrë projekte në QKK dhe u shit apo jo filmi ata kanë marrë buxhetin për filmin. Unë filmin e dua për art, por ka dhe të tjerë që e duan për para.

 

 

 

-Çfarë mund të na thoni sot për “Albafilm” si kineast?

 

Nuk jam marrë kurrë me të, por me sa di unë është kufomë. Ka qenë një gjigand i Kinostudios dhe nuk e di se çfarë është bërë me të. Dikur ka qenë goxha Kinostudio me vlera të ruajtura në vite dhe tani nuk e di se ku kanë përfunduar. Më vjen keq që nuk është më gjithë ajo pasuri e Kinostudios.

 

 

 

-Sa bëhet sipas jush për artin dhe kulturën?

 

Unë jam i specializuar te pjesa e filmit, këtë e njoh mirë. Normalisht buxhetet në art dhe kulturë janë të pakta. Por dhe mënyra se si janë shpërndarë buxhetet ka diskutim, ndaj unë them që tani me bordin e ri që do krijohet në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë të shkojë haka te i zoti, pra sipas vlerës.

 

Unë e përgëzoj çfarë po bën QKK, edhe pse kam dëgjuar që dhe një shoqatë e tërë është kundra kësaj rregulloreje, që tani pritet të miratohet. Ndryshimi është, që mos ta kapin shoqatat bordin, sepse janë para që janë destinuara për kulturën, por shkojnë për tarafe. Po të shohim emrat se kush i ka marrë  dihet që kanë lobingje. Në kinematografinë tonë sot është parë dhe një tjetër problem i madh që nuk kemi skenaristë si dikur.

 

 

 

-Si ndikon kjo në prurjet e filmit?

 

Ne kemi pasur dikur skenaristë dhe sot si kemi më. Kemi pasur Kiço Blushin, që fatkeqësisht u nda nga jeta. Tek ne mungojnë skenaristët, sepse shteti jonë nuk ka politika të tilla që të jenë gjërat më të thjeshta. Shteti të gjejë njerëz të talentuar dhe ti dërgojë për specializime në shkolla jashtë, për tu bërë skenaristë, etj. Si u zhvillua kinemaja në vendin tonë? Shteti dërgoi jashtë kuadrot e para. Dërgoi Kristaq Dhamon për regji, si dhe të tjera emra si Hysen Hakani, Dhimitër Anagnostin etj.

 

Realisht ishin ata krijuan shkollën dhe bazën e filmit tek ne. Nga gjithë ajo kinema e madhe, që kishte Bashkimi Sovjetik arritën dhe krijuan gjithë atë që ishte në Kinostudio. Por tani ky brez që studio në vitet ‘50 nuk janë më, nuk janë aktivë. Pra ka një boshllëk dhe shteti duhet ta plotësojë këtë. Unë vetë kam shkruar skenar, por jam konsultuar me nivele të larta, sepse për të bërë bukën e mirë mielli është baza. Pra lënda për të bërë filmin e mirë është skenari, që ne sot nuk kemi skenaristë më si dikur.

 

Gjëja më e veçantë që do filmi është skenari dhe mbi bazën e saj shikohet çfarë do të dalë më pas. Ne na ka ikur një brez i tërë skenaristësh, iku Vath Koreshi dhe të tjerë dhe nuk janë zëvendësuar. Ne kemi ngjarje dite që janë skenar më vete, kemi dhe ngjarje të forta që kanë drama, pra ngjarje gjenden dhe ne na rrethojnë ne si Ballkan, por ama që të kthehet në skenar kërkon mjeshtrin. Ne sot na mungojnë mjeshtrit e skenarit në filma. Në gati 30 vjet pothuajse shumë pak skenaristë kemi në film, shumica janë të sajuar. Një skenar i dobët ndikon në nivelin e filmit.

 

 

 

-Në fushën e filmit ju po punoni për një tjetër projekt. Çfarë mund të na thoni?

 

Kam një projekt internacional jemi duke punuar për skenarin me një script doctor, por të shohim se si do të shkojnë punët.

 

 

 

Intervistoi: Julia Vrapi /Agjensia e Lajmeve Sot News/