Identifikimi biometrik dhe numërimi elektronik, KQZ shpall tenderin dhe jep 12 ditë...

Identifikimi biometrik dhe numërimi elektronik, KQZ shpall tenderin dhe jep 12 ditë afat, ja pse u vonua procesi

320
0

Na ndajnë vetëm 4 muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 25 prillit 2021, ndaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur tenderin për identifikimin biometrik.

Burime për mediat bëjnë me dije se të enjten u është kërkuar kompanive që të japin ofertat e tyre për realizimin e identifikimit biometrik të votuesve në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë pritet që dhe në ditët e ardhshme të shpallet një tjetër tender për numërimin elektronik.

Qeveria më herët akordoi një fond rreth 5 milionë dollarë në një kohë që KQZ-ja kërkoi 16 milionë dollarë vetëm për identifikimin me gisht të zgjedhësve. Afati i fundit për kompanitë që të dërgojnë ofertat e tyre është data 5 janar e vitit që vjen.

Ligjvënësit sanksionuan që tenderi për teknologjinë në zgjedhjeve të bëhet me negocim pa shpallje, por burimet i thanë gazetës “Panorama” se në momentin e parë që u çuan dokumentet për të nisur procedurat në Agjencinë e Prokurimeve Publike, procedura u kthye mbrapsht, duke iu përgjigjur KQZ-së se nuk ka çuar arsyetim të mjaftueshëm për të zhvilluar tenderin me negocim pa shpallje.

Kjo bëri që procesi për nisjen e tenderit për identifikimin biometrik të vonohej. Kjo bëhet shqetësuese kur faktori kohë është shqetësimi më i madh i realizimit të projektit për identifikimin biometrik të zgjedhësve.