I ngarkuar si “gamor”/ Nga Leonard Veizi

I ngarkuar si “gamor”/ Nga Leonard Veizi

918
0

E ç’mu kujtua zbori. Madje ditët e ushtrisë në fakt. Shoh këto foto dhe s’e marr vesh pse më mungon kapela model kineze me yll në ballë. M’u ngjallën ditët e marshimeve.  Kundërgazin në një anë e në tjetrën bukë, ujë dhe fishekë për pushkën model 56 sovjetike. Në xhepin e djathtë mbaja lugën me bisht të shkurtër se mos ma vidhnin.

Mirëpo duken të largëta ditët e shërbimit të detyrueshëm në mbrojtje të atdheut. Iku koha e gavetës. Edhe ditët e zisë kur futeshe në dyqanin e mishit e gjeje kasapin brenda. Sot kohët kanë ndryshuar rëndshëm, futesh në supermarkatën trikatëshe për të blerë sallam dhe del nga ana tjetër hipur mbi një xhip që çmimin e shitjes e ka 45 mijë euro me doganë të paguar.

Por s’e di pse prapë më duket vetja si ushtar. Shkolla ka ca ditë që ka filluar dhe mua më duket sikur më kanë thirrur sërish në Garnizon, për të më caktuar detyrën luftarake. Komandant kompanie këtë herë kam çunin i cili “më urdhëron”:

– Plako ma mbaj pak çantën se është e rëndë!

– Si urdhëron!

Në supin e majtë ku mbaja kundërgazin hedh çantën e djalit, që kur e peshova më doli 12 kile e rëndë. Të keqen e kundërgazit, që bashkë me 20 fishekë dhe një konservë peshku që e mbaja fshehur vinte a s’vinte 2 kg. Po nuk mbaron me kaq. Komandant batalioni kam vajzën.

– Mbaje edhe këtë çantën timen se nuk e ngre dot!

U bënë dy.

– Si urdhëron!

Nga krahu i pushkës hedh çantën tjetër. 16 kg e rëndë. Pu, pu, pu. Të keqen e pushkës. Mund t’i shtosh edhe një kallashnikov e përsëri mbetesh rehat.

-Me çfarë e ke mbushur moj vajzë me bomba?

Epo më është bërë ferrë koha e ushtrisë, me të do ta lidh çdo gjë.

– Po çfarë bombash o ba…. Librat janë.

– Mos ke futur dhe atletet brenda, se si shumë rënduaka?

– Nuk kam fizkulturë sot.

Nis marshimi. Destinacioni: në shkollë, e ku tjetër. Terreni është i vështirë, më keq se te Mali me Gropa. Vërtet nuk ka shteg dhish, por në trotuar bëhen punime dhe në buzë të rrugës janë vënë pengesa. Makina që të vjen përballë mund të të ngrejë zgupthi. Torturë e vërtetë për të mbajtur ekuilibrin tim dhe atë të fëmijëve. Ku ma gjen t’i ngjitesh monopatit.

Më vjen të shaj rëndshëm ndonjë institucion të shtetit. Nuk di ku të shfryhem. Ta filloja me Kryeministrinë, a me Ministrinë e Arsimit, a Bashkinë… E mbush gojën por s’më mbushet mendja për asnjë. Jo, mor jo, ç’faj më kanë ata. Bëj një xhiro me mendjen time dhe në fund ndalem te botuesit e shtypshkronjat: Sikur t’i bëni ca më të lehtë këta librat a të keqen. Na doli fryma. Se ja, ka qëlluar që jam mbi 100 kile dhe nuk ankohem nga kolona vertebrale, po ndonjë tjetër që është sa gjysma ime dhe e ka kapur spondeliatroza, si i bëhet?

– Kjo punë ka vetëm një zgjidhje, – më thotë një prind te hyrja e shkollës, që duart i ka në xhepat e pantallonave dhe në buzë mban një cigare të pandezur. – Fëmijët t’i mbajnë vetë çantat e tyre. Se kur është vetëm një i bëhet dermani, ja dhe ti që ke dy… po unë me tre, ç’të bëj, ngritje peshash.

– Ke të drejtë byrazer.

Këto foto i kanë shkrepur fëmijët e mi si për të më treguar gjithë humor se babi është ngarkuar si kalë race, ku në fakt nënteksti interpretohet ndryshe, fiks ashtu siç thonë tironsit e vjetër, i ngarkuar si “gamor”.