Histori njerëzore

I hodhën acid në fytyrë, Vilma Dule: Kam bërë 25 ndërhyrje, nuk kthehem më në Shqipëri sepse autori nuk u dënua…

By vizional

December 07, 2021

Vilma Dule ka dhënë një intervistë ekskluzive për emisionin “ABC-ja e mëngjesit” për ngjarjen e rëndë që i ndodhi në gusht të vitit 2013, ku u sulmua me acid në fytyrë. Sulmi ndodhi poshtë pallatit ku banonte Vilma, ku agresori e kishte pritur derisa të dilte. Megjithatë, pavarësisht peripecive që është dashur të kalojë, Vilma rrëfen se me forcë dhe vullnet ka ecur përpara.

 

Pas largimit nga Shqipëria, ajo kreu 25 ndërhyrje kirurgjikale gjatë kohës që qëndronte në Francë. Ajo thotë se nuk do të kthehet në Shqipëri pasi autori nuk ende është arrestuar dhe kjo e bën të ndihet e kërcënuar. Tani, ajo është kthyer në një shembull frymëzues. Ka hapur një ekspozitë të titulluar “Persona”, përmes së cilës dëshiron të përcjellë një mesazh shprese për të gjithë njerëzit që kanë vuajtur dhe kanë përballur dhunën.

 

“Është e lehtë të flasësh në këtë pikë, jam kuruar dhe fizikisht, nuk është aq e lehtë, duhet të jemi të ndërgjegjshëm që kur sulmojmë një femër shkatërrojmë një botë. Sulmi me acid është tradicion i kulturave indiane, kundër identiteti sepse ai që sulmon nuk do ti bëjë keq. Nuk donin të shkatërronin lëkurën time për identitetin tim, kjo është ajo që nuk kam lejuar të ndodhë sepse pasi dola nga spitali i premtova veten tre gjëra.

 

E para të mos viktimizohem, nuk kam bërë asgjë për të qenë një viktimë. I kam premtuar që të mos shikoj asnjëherë pas. Kush e ka lënë Shqipërinë pa dëshirë më kupton se çfarë do të thotë kjo gjë. I ngjava pak gjyshes time dhe ajo u çrrënjësua, ironike se si fati u përsërit tek mua, u largova nga Shqipëria, personat nuk u dënuan nuk kthehem dot më në Shqipëri.”, rrëfeu ajo.

 

“Mëshirë sepse falja ia jep një njeriu që ta kërkon kurse mëshirën ia jep të gjithave, një person që arrin të sulmojë, në atë formë si ma bënë mua, kam mëshirë për ata sepse duhet të jesh një njeri me shpirt të vogël të planifikosh në detaje agresionin e një femre, të arrish të bësh në dritën e diellit në mes të Tiranës. Kam mëshirë për botën e tyre të vogël për njerëzit që i rrethojnë, për ato nëna dhe gra që i rrethojnë.”, shtoi më tej ajo.

 

Duke folur për ekspozitën ajo tha: “Jam kuruar në Francë dhe ka një sistem kurimi shumë special, ti nëse digjesh ke një qendër rehabilitimi ku shkon dhe kurohesh. Prodhohen maska, të cilat një i djegur t’i mbajë 24 orë, i kam veshur për 5 vite. Gjatë kësaj periudhe që e mbaja maskën punoja dhe jetoja, ndodhi që shikoja reagimet e njerëzve që më shikonin me çudi, kuriozitet, mëshirë dhe lindi në mua nevoja për të transferuar sensin e kësaj maske nga një objekt mjekësor në art.

 

Çdo njeriu mund ta gjente veten ne këtë projekt dhe fillova të pikturoja maskat, e ndava me 24 të tjerë të djegur dhe nga ky projekt lindi projekti “Persona” që ka si moto se pas çdo maske ka një person, qëllimi është të sensibilizojë empatinë, të vihemi në vendin e tjetrit dhe të mos gjykojmë.”