Humbjet e jetës nga COVID/ 67 për qind janë burra, të dhënat...

Humbjet e jetës nga COVID/ 67 për qind janë burra, të dhënat tregojnë se…

393
0

ADA HAZIZOLLI/ Edhe pse përhapja e infeksionit është më e lartë në radhën e grave, të dhënat tregojnë se nga 1433 persona që kanë ndërruar jetë që prej fillimit të pandemisë, 960 janë burra.

Kjo, sa i takon informacionit zyrtar, pasi dyshohet që numri i vdekjeve si pasojë e koronavirusit të jetë disa herë më i lartë.

 

MOSHA

 

Por, cila është grupmosha më e goditur? Sipas tabelave zyrtare, 48 për qind e personave që kanë humbur betejën me COVID-19, janë mbi 70 vjeç, 28 për qind janë të grupmoshës nga 60 deri në 69 vjeç dhe 16 për qind të grupmoshës nga 50 deri në 59 vjeç.

 

Sëmundja nuk ka kursyer as grupmoshat nga 40 deri në 49 vjeç, pasi rezulton që 6 për qind e fataliteteve të jenë në këtë fashë. Ndërkohë që pjesa e mbetur, pra, 2 për qind e rasteve fatale, janë të moshës nga 20 deri në 40 vjeç. Prej fillimit të pandemisë, të dhënat zyrtare tregojnë se janë 1433 persona që kanë ndërruar jetë si pasojë e COVID-19 në vendin tonë. Tirana qëndron në krye të listës sa u takon qarqeve me numrin më të lartë të fataliteteve përgjatë 11 muajve të pandemisë.

 

Në Berat kanë ndërruar jetë si pasojë e koronavirusit 55 persona, nga një total me mbi 3560 persona të identifikuar pozitivë. Në Dibër, ndërkohë, nga 1933 persona të infektuar, janë shënuar 32 humbje jete. Në Durrës janë regjistruar 144 humbje jete në mesin e 6856 të infektuarve. Në Elbasan, 134 humbje jete nga 5230 të infektuar.

 

Për të vijuar me Fierin, që është një ndër qarqet me numrin më të lartë të të infektuarve pas Tiranës, nga 7355 të infektuar, janë raportuar 129 humbje jete. Gjirokastra, po ashtu, ka qenë në perimetrin e kuq, nga 2500 të infektuar në këtë qark janë regjistruar 33 humbje jete. Në Korçë, 3856 të infektuar dhe 73 humbje jete. Në Kukës, nga 1888 të prekur 30 kanë humbur jetën. Në Lezhë, 4066 raste dhe 64 humbje jete. Në Shkodër, 4546 raste dhe 74 humbje jete dhe në Vlorë nga 5387 të infektuar janë regjistruar 55 humbje jete.

 

SITUATA

 

E premtja ka regjistruar një tjetër rekord të infektuarish me COVID-19. Dje janë raportuar 1089 raste të reja nga 4270 testime të kryera. Javët e fundit kanë sjellë një përkeqësim të situatës, nuk janë vetëm rastet pozitive, por edhe fatalitetet si pasojë e koronavirusit, të cilat janë rritur ndjeshëm. Në 24 orët e kaluara kanë humbur betejën me sëmundjen 15 persona, mes të cilëve edhe një 34- vjeçar.

 

“Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 15 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19 në spitalet COVID. 10 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Durrësi, 1 qytetar nga Kavaja, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Dibra, të moshave 34-86 vjeç”, ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë. Sa u takon shpërndarjes së rasteve pozitive të konfirmuara në 24 orët e kaluara, Tirana mban edhe peshën kryesore, ku të premten janë regjistruar 403 raste të reja, duke e çuar në 18 mijë numrin e rasteve aktive në këtë qytetet.

 

Shifrat në rritje të rasteve janë reflektuar edhe në shtrimet spitalore, të cilat kanë njohur rritje. Aktualisht, në 4 spitalet COVID, po trajtohen 423 pacientë, 27 në terapi intensive, nga të cilët 12 pacientë janë të intubuar. MASAT Ndërsa pjesa më e madhe e shteteve u janë përgjigjur shifrave në rritje të të infektuarve, duke ashpërsuar masat anti-Covid, në vendin tonë vijojnë të jenë në fuqi masat e përcaktuara qysh prej muajit nëntor.

 

Numrat në rritje të të infektuarve, kryesisht pas javës së dytë të janarit, nuk kanë sjellë asnjë masë të re shtrënguese apo kufizim të lëvizjes, duke rritur rrezikun për përkeqë- simin e mëtejshëm të situatës. Çka e bën edhe më tepër serioze situatën, janë dyshimet e shtuara për përhapjen e virusit anglez, i cili ka një shkallë më të lartë transmetueshmërie si edhe agresiviteti. Por, pavarësisht kësaj, Komiteti i Ekspertëve ka gjykuar të mos ndryshojë asgjë në planin e masave.